Ditën e djeshme (27 shkurt 2022), në sallën e Qendrës Kulturore të Fëmijve ”Adem Hoxha” në Gramsh, u përkujtua 180 vjetori i lindjes dhe 95 vjetori i kalimit nga jeta, i baba Meleq Shëmbërdhenjit, organizuar nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Bashkia Gramsh dhe Teqeja e Shëmbërdhenjit.
Në këtë aktivitet morën pjesë, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjëve, shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryetari i Bashkisë-Gramsh, z. Klodian Taçe, Nënprefektja e Gramshit, znj. Luljeta Dollani, Deputeti i zonës Gramshit, z. Besjan Ajazi, përfaqësues të komuniteteve fetare, myftiu i Gramshit Ermir Gjana, dhe At Mihali, drejtues i teqesë së Shëmbërdhenjit, dervish Xhelal Resuli, përfaqëues të Gjyshatës Skrapar me sekretarin Zalo Qato, besimtarë dhe dashamirës nga qyteti dhe fshatrat përreth qytetit. Pas hymnit kombëtar, përshëndeti Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Ndër të tjera, ai theksoi: “Si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, me kënaqësi të veçantë ju uroj dhe bekoj të gjithë ju, që keni ardhur në këtë ditë të shënuar, mbarësi dhe lumturi në familjet tuaja, më shumë shëndet, dashuri, paqe e mirësi, për besim të palëkundur tek i Madhi Zot, në këto kohë të vështira që po kalojmë sot! Mes klerikëve që kanë punuar e drejtuar në Teqenë historike të Shëmëdhenjit e gjithë trevën e njohur, baba Meleq Shëmërdhenji, ka lënë gjurmë të ndritshme jo vetëm si klerik në predikimin e zgjerimin e besimit të paqtë, por dhe si atdhetar për çështjen kombëtare, si poet, si kontribues i flaktë për mësimin e përhapjen e gjuhës së bukur shqipe e shkollimin e brezave si mësimdhënës. ...Kleriku Meleq Tahir Muçi lindi në vitin 1842, në fshatin Starveckë të Skraparit, në një familje me tradita patriotike dhe bektashiane. Në fshat ndodhej një mekam, të cilin gjithë fshati e frekuentonte dhe bënin ritualet e besimit. Në kufi me fshatin Backë, ndodhej teqeja e famshme e baba Fetahut me histori e veprimtari të madhe për gjuhën shqipe. Në këtë teqe Meleqi mësoi mbi bektashizmin. Kleriku Meleq Tahir Muçi, është pjesëmarrës në mbledhjen e teqesë së Frashërit në maji të vitit 1878, është bashkëpunëtor me Naim Frashërin, Jani Vruho, Nuçi Naçin. Ai mori pjesë aktive në vitet e Lidhjes së Prizrenit, në organizimin e kësaj lidhje në Skrapar, së bashku me patriotin Hysen Sevrani. Gjithashtu, ishte pjesëmarrës në mbledhjen me gjithë baballarët e jugut të Shqipërisë në Kostrec, në mbrojtje të aspiratave atdhetare. Në këtë periudhë si dervish në teqenë e Frashërit dhe Backës, atë e gjeje kudo në lëvizje për edukimin e të rinjve, mësimin dhe shkrimin e gjuhës shqipe. Kjo veprimtari ra në sy të autoriteteve të kohës, të cilët e arrestuan disa herë. Ai ishte agjitator i librit shqiptar si askush tjetër në Shqipëri. Dokumentat arkivore japin të dhëna si veprimtar i Rilindjes Kombëtare në çështjen e arsimit dhe kulturës shqiptare. Në Egjipt në vitin 1879-n jepte mësim shqiptarëve të atjeshëm, të cilët mblidheshin rreth tij, në teqe e vende të tjera. Kjo ra edhe në sy të princave egjiptian. Në vitin 1892 bëri një udhëtim në Anadoll, me ndihmën e Sadik Efedi Qesarakës ku mblidhte shqiptarët dhe u jepte mësim shqip. Në vitin 1896 shkoi në teqenë e shenjtë të Merdiven Qojt, në Stamboll, ku fshehurazi i bashkonte shqiptarët dhe u jepte mësim në gjuhën amtare. Në kulmin e pjekurisë shkroi poezitë e bukura të gjuhës shqipe. Në këto poezi ai shkrihet e bëhet një me mistikën, tretet si qiriri në devizën se “Pa atdhe nuk ka fe”. Kur u largua nga Stambolli në vitin 1898, u vendos në trevat shqiptare në Manastir, Ohër dhe Strugë, ku qëndroi 2 vjet, nëpër miq e besimtarë, duke u dhënë atyre mësim.
Në vitin 1900, baba Meleqi, erdhi përsëri në teqenë e Frashërit, ku shkruante dhe u jepte mësim. Më 1904 iku nga Shqipëria e vajti në Rumani, ku përfshirë me veprimtari atdhetare e kombëtare. Qeveria turke e ndiqte dhe u detyrua të strehohet në teqenë e “Shememi Baba”, të Fushë. Më shkoi në teqetë e Krujës, Martaneshit, Elbasanit, Gramshit ku shpërndau abetaret shqipe. Në vitin 1910 shkoi në Bukuresht të merrte sërish libra por shpërtheu lufta dhe në vitin 1912, baba Meleqi ndodhet në Vlorë.
...Në vitin 1884 kur në Stamboll doli gazeta ”Drita” baba Meleqi, u bë bashkëpunëtor i Naim e Sami Frashëri, Jani Vreto e të tjerë, kohë në të cilën ai ka shkruar e botuar shumë poezi.
Predikimet e tij fetare janë të ndjeshme në çdo teqe. Ai punoi në teqenë e Frashërit, të Backës, dhe për 17 vjet drejtoi teqenë e Shëmbërdhenjit të Gramshit me një aktivitet të plotë fetar dhe patriotik. Ishte gjithashtu një mësues shëtitës, për përhapjen e gjuhës shqipe në Skrapar, Berat, Përmet, Korçë, Kolonjë, Elbasan, Martanesh, Krujë, Ulqin, Manastir, Kosovë. Kolonia shqiptare në Kajro e ka ngarkuar me shumë detyra për Shqipërinë. Robert Elsie shkruan në historinë e letërsisë shqipe: “ Shëmbërdhenjin e mbajnë si njërin nga poetët më të mirë bektashinj të periudhës. Ai ishte edhe mik e adhurues i Naim Frashërit, të cilin e quajti “Zemra e Shqipërisë, gurra e urtësisë, pishtari i vegjëlisë, shenjtor i njerëzisë”.
Baba Meleqi me kohë kishte përgatitur dy vëllime me vjersha. Një e kishte lënë në teqenë e Shëmbërdhenjit, të cilën siç dihet në vitin 1914 e dogjën andartët grekë dhe tjetrën në teqenë e Turanit, te baba Zylfua. Vetëm në vitin 1933 u arrit të botohet nën kujdesin e dervish Rizait në teqenë e Leskovikut. Shumë shkrime i kish çuar për botim në Bukuresht të Rumanisë dhe nuk dihet fati i tyre. Shtëpia e baba Meleqit u bënë teqetë, brenda dhe jashtë vendit, vëllezërit kosovarë, maqedonas, malazez, çamë e kudo që ai punoi. Si shumë rilindas, punoi i paepur për arsimin dhe kulturën shqiptare sepse ishte mjeti më i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për forcimin e ndërgjegjes kombëtare, për bashkim e vëllazërim, bashkëjetesë e harmoni fetare, kundër përçarjes dhe propagandës antishqiptare.
...Besimtarët në periudhën e luftës kundër fesë, i ruajtën eshtrat e baba Meleqit dhe ato u vendosën në varrezat e qytetit të Çorovodës, Skrapar. Së fundmi, në qershor të vitit 2010 eshtrat e tij, erdhën në teqenë e Shëmbërdhenjit ku shërbeu 17 vjet. Vepra dhe jeta, përpjekjet e baba Meleqit për zhvillimin e arsimit, gjuhës dhe shkrimit shqip ishte një shembull frymëzues për gjithë patriotët e brenda dhe jashtë atdheut. Për veprën e tij është dekoruar me medaljen “Për veprimtari patriotike”. Gjithashtu ka marrë titullin “Mësues i merituar”.
Duke përkujtuar sot këtë klerik e atdhetar e mësimdashës, ne evidentojmë rolin historik të klerikëve bektashianë, që me besimin në Zot, kanë bërë në shekuj, bëjnë e do të bëjnë gjithçka, sipas devizës së njohur të bektashizmit: “Pa atdhe, nuk ka fe!!”. Së fundi, unë dua të falënderoj drejtuesit e bashkisë së Gramshit për bashkëpunimin e ngushtë me ne, dervish Xhelalin që sot punon e drejton në teqenë historike të Shëmbërdhenjit dhe, të gjithë ju, të pranishëm.Pashi mirësi e begati në familjet tuaja!
Zoti ju bekoftë të gjithëve!”
Në përshëndetjen e tij, Kryetari i Bashkisë-Gramsh, z. Klodian Taçe, u shpreh se mesazhi i baba Meleq Shëmbërdhenjit për përparim dhe mësim e dashuri për atdheun, bashkëpunimin dhe dashuri për njerit-tjetrin, është edhe sot aktual. Deputetit, z. Besjan Ajazi u shpreh: “Unë jam nga një familje bektashiane dhe kam mirëpritur të gjitha pelegrinazhet që behen në tyrben e Komjanit dhe në të gjitha teqet dhe tyrbet në rrethin e Gramshit. Gjithmonë do të jem pranë jush!”. Myftiu Ermir Gjana falenderoi organizatorët e këtij aktiviteti të rendësishëm dhe theksoi se “... mësimet e klerikut baba Meleqit janë një rast i veçantë për bashkëpunimin dhe harmoninë fetare. Ndërsa At Mihali, vuri theksin se përkujtimi i klerikut të lartë baba Meleq Shëbërdhenji “na bën të ndjehimi të bashkuar dhe të punojmë për një të ardhme më të mirë. Pastaj, studiuesi Petrit Basha u ndal në kumtimin e tijnë aktivitetin e baba Meleqit gjatë veprimtarisë së tij në këtë trevë, ndërsa poeti Islam Hasani përshëndeti me poezitë kushtuar klerikëve baktashinj.
Me këtë rast u shfaq, vidio-dokumentari “Mbi veprimtarinë e baba Melqit“, dhe një koncert përshëndetës nga Qendra Kulturore e Fëmijëve ”Adem Hoxha“ nën drejtimin e znj, Leidi Shqiponja.
Më pas u prezantua ekspozita fotografike: “Jeta dhe vepra e baba Meleq“, përgatitur nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane.
Dhe me heshtjen flet
Poezi nga Ledia SHQIPONJA
Baba Meleqi
Ulur këmbëkryq me urtësinë,
Qëndron në dy jetë.
Fjala, veç dritë të pikon...
Tek të dyja,
Dhe me heshtjen
Ti na flet.
Ty zemra,
Të çoi në udhë pa fund.
As në humnerën më të keqe,
S`tu përgjunj.
Besimi të jepte forcë,
Të takoi me mirësinë.
Jetën, Atdheut ia dhurove,
Jetove për Shqipërinë.
Mençuria jote,
Rreze e artë,
Na ndriçon mendjet
Në çdo stinë,
Vjershat e tua
Si kroje të kristaltë,
Ma ferskojnë shpirtin tim.
Baba Meleq.
Ti sot je kudo.
Ku shërohet një dhembje,
Ku zgjohet një besim.
Je ku lind një bukuri,
Ku thahet një zemërim.
Je aty ku nisin këngët,
Ku shtrohet e shpërndahet gëzim.
Të shohim, të ndiejmë.
Je atje lart, në majë Tomorr,
Bisedon shtruar me Abaz Alinë.
Je tek teqeja e Shëmbërdhenjit,
Je zemër, që rreh për të ardhmen,
Për shqiptarinë...
Përgatiti: Nuri ÇUNI
Fotot: Ardiani