HAPJA E THEMELEVE PËR VENDOSJEN E BUSTIT TË BABA TAHIR PRISHTËS NË DITËN E PELIGRINAZHIT TRADICIONAL NË TEQENË E PRISHTËS, SKRAPAR

Si rrallë herë, ditën e premte, më 18 gusht 2023, gjithë besimtarët e asaj zone, Dëshnicë e Skrapar, kanë përjetuar një ditë të veçantë festive që lidhet me dy evenimente të rëndësishme, pelegrinazhi tradicional vjetor në teqenë bektashiane të Prishtës dhe ceremonia e hapjes së themeleve për vendosjen e bustit të baba Tahir Prishtës në këtë teqe.
Kanë marrë pjesë në këtë ditë të shënuar në ambientet e teqesë së “Prishtës”, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, baba Hekuran Nikollari, autoritetet të larta, përfaqësues të pushtetit vendor dhe politikës, përfaqësues të komuniteve fetare, klerikë, besimtarë si dhe të tjerë të pranishëm.
Simbolika që e veçon Prishtën nga fshatrat e tjerë të Skraparit, Tomoricës, Dëshnicës e Beratit është teqeja, një nga objektet e kultit bektashian më me emër në mbarë vendin.
Prishta dhe Teqeja kanë bashkëjetuar si në simbiozë me njëra-tjetrën, kanë ecur krah për krah, duke u njehsur si në një të vetme.
Historia e teqesë së Prishtës lidhet me kohën pas themelimit të teqesë së Frashërit. Të dhënat burimore flasin se në vitin 1781 u ngrit teqeja e Frashërit, të cilën e drejtoi baba Nasibi Tahiri. Me fjalët e çuditshëm ai ka thënë: “Me emrin Tahir kam ardhur më parë në Malind të Skraparit, tani këtu, në Frashër e si të vdes këtu, kam për të vajtur në Prishtë ku do të bëj gjithë këto vepra mirëbërëse”.

Baba Tahir Prishta dhe Teqeja e Prishtës
Teqenë e Pishtës e themeloi baba Tahir Prishta (Kotobelli), në vitin 1815. …Baba Tahiri, në këtë mision, u përkrah nga besimtarët e tij dhe nga mytesarifi i Beratit, Hysen Virioni. Së pari, ai e forcoi ekonomikisht teqenë dhe krijoi një bibliotekë të pasur me libra. Ai punoi me përkushtim në përhapjen e bektashizmit dhe ngriti gjithë popullin në zonat e Oparit, Tomoricës, Skraparit, Dëshnicës (krahina e Këlcyrës së Përmetit), Toskërisë së Tepelenës (nga fshatrat Arrëza, Maricani, Shalësi, Buzi, Gllava e deri në Klos dhe Hekal zëmrën e Mallakastrës së sipërme) dhe Nahijes së Beratit (Nga Bargullasi, Novanji, Kapinova, Peshtani, Roshniku, Karkanjozi, Tozhari, Çorrogjafi, Zhabokika, Plashniku, Melishti) deri në Luar, Kurjan, Lapulec dhe Cakraj, në kërthizën e Mallakastrës së poshtme. …Pasuesit e tjerë në drejtimin e teqesë së Prishtës njihen: baba Xhaferi, baba Ahmeti, baba Shabani, Hysen Panariti, të cilët kontribuan në përhapjen e gjuhës shqipe. Baba Xhaferi më 1908 ngriti shkollën e parë shqipe në Çorovodë dhe ndikoi me patriotët e tjerë në arsimin e Skraparit. Teqeja u bë qendër e rëndësishme në rilindjen kombëtare. Baba Shabani me patriotët e tjerë, Hasan Koprëncka, Mahmud Zaloshnja, Jaçe Gjergjova, Fetah Sevrani, Zenjel Braçi morën pjesë në mbrojtjen e shkronjave shqipe. Baba Hyseni e Baba Kamberi, i ardhur nga Amerika, ndihmuan në përgatitjen e kongresit bektashian të vitit 1921. Teqeja kishte pasuri të madhe dhe një bibliotekë të pasur me libra. Ajo u dogj nga andartët grekë në vitin 1914. Në gazetën “Liria e Shqipërisë” në datën 27 mars 1915, Varf Aliu, dervish i kësaj teqeje, shkruan: “Prishta është një nga fshatrat e malësisë së Skraparit, ku 60 vjet e po tehu gjendet Shtëpi Zoti (teqe) pan-bektashiane, në të cilën gjer njëdizanj jetonin afro 30 veta varfë. Këtë shtëpi të madhe hijerore që po rrëfej e ka djegur njëherë më parë qeveria turke dhe prapë u ndërtua, por mjerisht vandalët e Kostësi, duke parë që kjo Shtëpi Zoti epte dritën e zgjimit te populli i paditur shqiptar, si në të gjithë fshatrat dhe në Prishtë, u derdhë me egërsi: vranë, prenë, plaçkitën teqenë edhe shtëpitë e fshatit dhe ikën praptazi, ku morën tok varfë e fshatarë si robër.” Teqeja u ringrit në vitin 1920. Teqeja ishte e ndërtuar me mur guri me rreshta të rregullt. Ajo ishte e përbërë nga dy blloqe katrorë me dy kate dhe një qendrorë me një kat të vetëm,në gurë të veçantë kish simbole bektashiane. Teqenë e ka vizituar dhe studiuesi J. Sëire. Më 1967-ën, ajo u mbyll. Ajo u kthye në magazinë, më vonë në stalla të bagëtive dhe, në vitet 1985, u shkatërrua plotësisht. U rihap në vitin 2004, me një tyrbe të baba Tahirit. Më pas nën kujdesin e gjyshatës të Skraparit u ringrit teqe e re, jo si e para tradicionale. Në gusht të vitit 2020 u vendos busti prej bronzi i Dede Kamberit në mirënjohje të këtij kleriku të shquar…
Klerikët që kanë shërbyer ndër vite në teqenë e Prishtës
Ndër dekada, në teqenë e Prishtës, kanë shërbyer klerikët: Baba Tahir Kotobelli (viti 1815);baba Xhaferi (viti 1898); baba Shabani; baba Hysen Guma nga Panariti i Beratit (1918-1923); baba Kamber Meço (Kryegjysh, 1944-1945); dervish Abaz Hilmi Elezi, 1929 (Kryegjysh 1945-1947); gjysh Kamber Ahmet; dervish Riza Dure; dervish Mustafa Xhaferi; dervish Ahmet Mersin; dervish Sabri Fetah; dervish Ali Mehmet; dervish Et`hem Ibrahim; dervish Dino Xhafer; dervish Zejnel Hasan; dervish Isuf Mehmet; dervish Hasan Myftar; dervish Hasan Xhafer; dervish Sali Mustafa (në vitin 1940); gjysh Iljaz Bakaj; dervish Teme Vëndresha; dervish Haxhi Bënça; dervish Bajram Hamonikaj; dervish Islam Shelku; Besim Nazmushji, kandidat per dervish në vitin 1950; gjysh Iljiaz Halilaj; dervish Hetem Vëndresha; dervish Teki Dautaj; dervish Haxhi Bënça; dervish Islam Bregu; dervish Hajredin Rabija në vitin 1955; gjysh Iljaz Halilaj; dervish Islam Bregu; dervish Haxhi Osmani; dervish Hatem Halilaj; dervish Hajredin Suli; dervish Hamza Xhelilaj në vitin 1956; baba Amet Hajdëraj (1955-1963); baba Sherif Canaj në vitimn 1963; zëvendës gjysh i zonës Riza Gllaniku (Qato) në vitin 1966; baba Sabri Kalaja; dervish Ferik Çaushi; dervish Zylfo Sherifi, në vitn 1967.

Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ