Me ftesë së Konsullatës së nderit në Essen Gjermani, Konsulles znj. Anduena Stephan, në datat 13-16 maj 2022, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, zhvilloi një vizitë në NRW North Rhine-Westphalia, Land në Gjermaninë Perëndimore, me më shumë se 17.9 milionë banorë, Landi më i populluar i Gjermanisë. Duke mbuluar një sipërfaqe prej 34,084 kilometra katrorë (13,160 m katror), është Landi i katërt më i madh gjerman për nga madhësia me mbi 100,000 banorë, duke përfshirë Kolnin (mbi 1 milion), kryeqytetin e Landit Düsseldorf, Dortmund dhe Essen (të gjitha rreth 600,000 banorë) dhe qytete të tjera të vendosura kryesisht në zonën Rhine-Ruhr., zona më e madhe urbane në Gjermani dhe e katërta më e madhe në kontinentin evropian. Kryegjyshi u shoqërua në këtë delegacion shqiptar, me përfaqësues të Komuniteteve fetare shqiptare, me pjesëmarrje në event edhe nga Kryetari i Komitetit Shqiptar të Kulteve, z. Klodian Bulku.
Vizita 3 ditore nisi me një takim me Konsullatën e nderit dhe falënderime për bashkëpunime të mëtejshme mes Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe Konsullatës sonë të nderit në Essen e, mandej vijoi me një vizitë në Sinagogën më të vjetër të qytetit. Sinagoga e Vjetër (Alte Synagoge) në Essen është një nga dëshmitë më të mëdha, më të ruajtura dhe arkitekturisht më mbresëlënëse të kulturës hebraike në Gjermaninë e paraluftës. E ndërtuar në qendër të qytetit, ish-Sinagoga e stilit bizantin, u shenjtërua fillimisht si Sinagoga Neue në 1913; ajo tani shërben si një institucion i dedikuar për dokumentimin dhe promovimin e historisë së ish-komunitetit hebre të qytetit.
Më tej vijoi me vizitë, me guidë në Zeche Zollverein, Muzeu i Ruhrit, objekt i trashëgimisë kulturore të UNESCO. Ky objekt është një nga pikat më të rëndësishme të trashëgimisë industriale gjermane, që ka formësuar shtresat sociale të të gjithë rajonit të Ruhrit; të Landit të Rinit të Veriut dhe Vestfalise si dhe të përhapjes së të gjithë besimeve fetare, për shkak të numrit të lartë të punëtorëve nga e gjithë bota në ‘të. Kompleksi industrial Zollverein në Land Nordrhein-Westfalen përbëhet nga infrastruktura e plotë e një vendi historik të minierave të qymyrit, me disa ndërtesa të shekullit të 20-të me meritë të jashtëzakonshme arkitekturore. Ai përbën dëshmi të jashtëzakonshme materiale të evolucionit dhe rënies së një industrie thelbësore gjatë 150 viteve të fundit.
Pasditen e datës 14 Kryegjyshi ishte i ftuar në aktivitetin "Harmonia Fetare dhe toleranca një vlerë e shtuar shqiptare në Europë", takim prezantues dhe foto me Dr. S. Holthoff-Pförtner, Ministër i NRW për Çështjet Federale, Evropiane dhe Ndërkombëtare; z. Thomas Kufen, Kryebashkiak i qytetit të Essenit; Presidentin e Shoqatës së marrëdhënieve me jashtë, z. Klaus Wegener dhe delegacionin. Aktiviteti nisi me fjalën e hapjes nga, President i Shoqatës së Marrëdhënieve me jashtë të Landit NRW, z. Klaus Wegener, më tej vijoi me fjalën përshëndetëse, Dr. S. Holthoff-Pförtner, Ministër i NRW për Çështjet Federale, Evropiane dhe Ndërkombëtare, më tej fjala përshëndetëse, z. Thomas Kufen, Kryebashkiak i qytetit të Essenit. Pjesa e Dytë: Diskutime në Podium dhe me publikun, z. Klodian Bulku, Kryetar i Komitetit Shteteror të Kulteve; Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshata Boterore Bektashiane; Përfaqësues i Komunitetit Katolik Shqiptar në Gjermani z. Ungjelltar dhe Pastor Jeton Keqani, përfaqësues i Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare; Sr. Fatmira Matoshi, përfaqesuese e motrave Franciskane të Zojës së Papërlyer, Shqipëri.
Në fjalën e tij përshëndetëse Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, citoi mes të tjerash.
"Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit Fuqimadh e Mëshirëshumë!
Të nderuar organizator të këtij eventi!
I nderuar Kryetar i Bashkisë z. Thomas Kufen dhe Zv. Krytarja e parë Juta Jakob!
Të nderuar përfaqësues të Shoqatës IDEAL!
Të nderuar vëllezër të mijë, përfaqësues të Komuniteteve fetare bashkëkombas shqiptarë!
Është ndjesi e veçantë mikpritja e organizuar për nderin tonë, e këtij gjerdani harmonie e tolerance të pashkëputur ndërfetar, e që ka vlera madhore jo vetëm për kombin Shqiptarë, nga ku politika duhet të marrë shembull por një shembull e një vlerë nga e cila duhet të mësojë e gjithë bota mbarë.
Besimet fetare në Shqipëri kanë pësuar persekutime dhe tmerre e makabritete në kohën e diktaturës, Klerikë bektashinj, orthodoksë, katolikë e hoxhallarë janë burgosur torturuar e më pas vrarë në mënyrë barbare duke i pushkatuar e duke degraduar figurën e tyre fisnike përpara disa gjyqeve qesharake në prani të qindra njerëzve, ku shkaku dhe faji i vetëm i tyre ngelej "besimi në Zot". Edhe në ditët e fundit të jetës nga goja e tyre kanë dalë lutje kuranore e vargje nga libri i shenjtë i biblës. Besuan, u lutën u falën, por sistemi i shkatërroi, shkatërroi njeriun, pronën, objektet e shenjta të kultit të besimit dhe krijoi çuditërisht "Muzeun e parë Ateist" të padëgjuar në historinë e njerëzimit botëror, ku figura të larta e të ndritura, udhëheqës klerikë me hipokrizinë dhe paturpësinë e kohës u përbuzën pa të drejtë . Klerikë me famë e në zë u internuan dhe u dënuan me punë të rënda në fshatrat më të largëta të Shqipërisë. Shpirti i tyre vuante e lotonte, por besimi në zemër i shtyu që të mbijetojnë e më pas të ringrenë e ringjallin besimin në zemrat e shumë besimtarëve.
Edhe në ato vite të zymta e me vuajtje të diktaturës besimtarët fshehtas i kryenin ritet fetare në shtëpitë e tyre e besimin e përçuan te brezat e gjenerata e re. Kanë qënë Shenjtorët Bektashinj që do të ngelen gjatë në kujtesën e çdo besimtari Bektashian, Dede Ahmet Myftari, Dede Reshat Bardhi, Dede Kamberi, Baba Bajrami dhe shumë e shumë klerikë që persekutimi nuk mundi dot të shuante tek ta vatrën e zjarrtë të besimit.
Pikërisht sot, këtë harmoni ndërfetare e kemi falë këtyre klerikëve të vendosur që e ringritën besimin dhe vendet e Shenjta pas viteve 90', dhe i dhanë dorën e ndihmës dhe shpresës njëri - tjetrit që misionin e besimit në Zot do ta çojnë përpara.
Falë tyre, ne vazhdojmë një traditë të pashembullt për botën anë e mbanë, dhe kjo frymë bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe harmonie na mban të pa stepur e të palëkundur përballë rrymave nganjëherë edhe ekstremiste të kohës në të cilën po jetojmë. Sikundër dhe Naim Frashëri në fletoren e Bektashinjve shprehet: " Vëllazëria, paqësimi, dashuria, mëshira, afrimi, miqësia, vetitë e mira e gjithë të mirat janë dritat e udhës. Më shumë nga gjithë dashuria është afrimi e falja në këtë udhë. Pa këto s’mund të jetë kurrë Bektashi njeriu."
Besimi në Zot është individual dhe rrugët që na tregojnë drejtimin për tek Ai janë të ndryshme por në një pik bashkohemi, në fjalët Hyjnore të kumtuara nga Profeti Muhamet (a.s):“Unë isha një thesar i fshehur. Kur desha të vihem në dukje krijova botën, që të njihem.”
Ndaj të nderuar organizatorë ndjemi të nderuar që na vlerësoni, dhe që na bëni pjesë të pandarë të aktiviteteve tuaja sepse mbi të gjitha Kombi dhe besimi në Zot do të lartësojnë vlerat e shoqërisë që duket se është në kërcënim të vazhdueshëm.
Koha në të cilën po jetojmë, po na përballë me sfida të pashembullta njëra pas tjetrës, pandemia na izoloi e tashmë lufta e ashpër ruse ndaj Ukrainës që po trondit të gjithë botën, po merr jetë të pafajshme foshnjsh, kryefamiljarësh e djemsh të rinj. Po dëbon nga trojet shumë shtetas Ukrainas, e kjo është një e keqe për të të gjithë, që duhet çrrënjosur sa më parë. Lutjet tona të përbashkëta janë gjithmonë për paqen, armëpushimin dhe lirinë e një kombi të pavarur. Kurdoherë feja ka patur prioritet çështjen kombëtare dhe besimi në Zot që duhet ta shoqërojë përherë.
Zoti i Lartësuar na bekoftë të gjithëve, e na bëftë të denjë për të udhëhequr besimtarët që aq shumë kanë nevojë për ne.
E për këtë ditë të veçantë për të gjithë ne, familjet dhe gjithë njerëzit që na rrethojnë, kam përgatitur një lutje që bekimet e uratat e Zotit të na sjellin paqe në këto kohë të trazuara lufte, mbarësi e begati"!
Mandej, në ditën e dytë të vizitës Kryegjyshi Botëror si i ftuar nderi i delegacionit Shqiptar, shtetëror dhe ndërfetar në meshën e Kishës Katolike me rastin e 800 vjetorit të themelimit të qytetit Bocholt u zhvillua një pritje nga kryetare e Bashkise se Qytetit. Në fund të meshës katolike e organizuar posaçërisht për 800 vjetorin e themelimit të qytetit, në të cilën mori pjesë edhe delegacioni shqiptar, me pjesëmarrjen edhe të Kryetarit të Bashkisë së qytetit të Vlorës z. Dritan Leli, Kryegjyshi Botëror u mirëprit nga prifti që organizoi ceremoninë të mbante një lutje për paqe e harmoni në gjuhën shqipe, bekim dhe lutje që u përkthye nga Pastor Jeton Keqani në gjuhën gjermane për audiencën.
Lutje për Paqe dhe Harmoni
"Me emrin e Zotit Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Të falemi O Zot që këtë ditë e ke bërë ditë gëzimi të jemi së bashku mysliman e të krishterë, për të gjitha krijatyrat në këtë planet, me lindjen e dritës së shkëlqyer të Alijjyl Myrtezajt, në Qaben e madhnueshme, luani i yt i vërtetë, mbrojtës i rrugës tënde, shkatërrimtarë i të pabesëve, përfaqësues i yt në të gjithë faqen e dheut, i pajisuri me cilësitë dhe diturit Hyjnore.
Për hir të tij dhe të veprës së Tij dhe të trashëgimtarëve të Tij, O Zot falna gabimet dhe të metat pa qëllim. Shpëtoje gjithë njerëzinë nga frika dhe tmerret.-
Bëj o Zot që të lindin burra e udhëheqës të mirë që të qeverisin me drejtësi në mes të Popujve dhe neve bëna besnikë të pandarë nga drita e Ali Myrtezajit, nga ajo dritë që ti vetë O Zot me madhërinë tënde e ke hijeshuar dhe shenjtëruar.
O Ti që prej Qielli zbriti lavdërimi.
“La Fetta il – la Ali, me përulësi të falemi dhe të lutemi mos na ndaj nga drita e jote dhe bën që gjithë njerëzia e merituar nga lindja e gjer në Perëndim të shtrohem nën flamurin tënd, që është paqja, Lirija, bashkimi dhe vëllazërimi për të gjithë.-
Pamëshira jote rëndoftë mbi ata që duke ditur tradhtojnë dhe shkelin ligjet dhe traditat e tuaja.
Pamëshira jote rëndoftë mbi ato që për egoizmin e tyre, terrorizojnë dhe mbysin në Gjak njerëzinë.-
O Dritë e Shënjtërisë e pajisur prej vetë Perëndisë në këtë gjithësi: Ndihmëtarë, flamurtarë dhe zëvendës i Profetit Muhammed: drita e dymbedhjetë imamëve dhe e gjithë shenjtorëve në Botë; me përulësi të falemi.
Për rrojtjen e njerëzisë, shiun nga qielli, dridhjet nga toka, shëndetin nga era, Zoti i bekoftë!
Ademi i kulluari i Zotit, Nuhu i shpëtuari i Zotit, Ibrahimi i afërmi i Zotit, Musaj folësi i Zotit, Isaj Fryma e Zotit, Profeti Muhamet, dhe të gjithë Profetët e të dërguarit e Zotit, Urimet dhe bekimet e tyre hyjnore, qofshin të përjetshme mbi ne në këtë dhe në atë jetë. Qofshim edhe neve në radhët e atyre që kanë përfituar admirimin tuaj, dashurinë tuaj, sigurimin tuaj, mësimet tuaja, sikundër ke thënë vetë O Zot: Njeriun e kam lartësuar, të gjitha ja kam mësuar, të gjitha ja kam siguruar dhe për të i kam Krijuar.
Zoti na bekoftë të gjithëve!
Amin!"
Pas meshës, Kryegjyshi me ftesë të Kryetares së Bashkisë Bocholt, shkëmbeu mendimet dhe bisedat me bazë tolerancën dhe harmoninë ndërfetare në Shqipëri e më gjerë, biseda u përqendrua gjithashtu edhe në përhapjen e bektashizmit në botë, këtë udhë mistike të fesë Islame.
Vizita vijoi në hollin ndërfetar të Xhamisë DITIB, Xhamia Merkez Duisburg, zona Ruhr, North Rhine-Westfalia, Gjermani. Delegacioni u prit nga Drejtori i Xhamisë, Anëtarët e Bordit dhe përfaqësues të Komuniteteve fetare vendase, të cilët kishin krijuar Këshillin Ndërfetar të Duisburgut. Kryegjyshit ju akordua medaljoni i Xhamisë, në nder të vizitës së tij në këtë Xhami.
Vizita vijoi me ftesë të drejtoreshës së Muzeut të qytetit të Duisburgut, në të cilën pas fjalës përshëndetëse të mirseardhjes së Drejtoreshës së Muzeut, përshëndet Kryegjyshi Botëror duke falënderuar për mikrpritjen dhe ftesën për kthim vizite në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, mbajti një lutje të shkurtër në gjuhën shqipe e cila u përkthye në Gjermanisht.
Lavdërim i Zotit.
"Në emër të Zotit fuqi madh e mëshirë shumë.
O Zot Ti që je i pari dhe para teje s’ka gjë.- Ti që je i fundit dhe pas teje s’ka gjë. – Ti që je i dukshëm dhe mbi Ty s’ka gjë.- Ti që je i brendshëm dhe pa ty s’ka gjë.- Ti që je i urtë dhe i mendshëm.-Ti që ke qenë para çdo gjëje.-Ti mbetesh pas çdo gjëje. –Ti bën ç’dëshiron dhe hyn në zemrën e Njeriut. –Ti je i padukshëm në lartësi dhe në hapësirë.- Ti ndigjon dhe shikon çdo gjë. –Ti je Zoti i çdo gjëje. Mbarona dëshirën dhe largona mërzinë, ndihmona të plotësojmë detyrimet tona për hir të profetit dhe bijvet të tij të uruar, të pastër dhe të bekuar. Ty të qofshim falur."
Ditën e tretë delegacioni zhvilloi një takim me Kryetaren e Bashkisë Essen Gjermani, në një pritje të veçantë së bashku me këshillin bashkiak të qytetit Essen, vizitë e cila u zhvillua së bashku me fjalimet përkatëse të Kryetares së Bashkisë dhe vijoi me fjalën përshëndetëse të Kryegjyshit Botëror, një pjesë nga fjala e tij po e citojmë: ".... këtë harmoni ndërfetare e kemi falë klerikëve të vendosur që e ringritën besimin dhe vendet e Shenjta pas viteve 90', dhe i dhanë dorën e ndihmës dhe shpresës njëri - tjetrit që misionin e besimit në Zot do ta çojnë përpara.
Falë tyre, ne vazhdojmë një traditë të pashembullt për botën anë e mbanë, dhe kjo frymë bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe harmonie na mban të pa stepur e të palëkundur përballë rrymave nganjëherë edhe ekstremiste të kohës në të cilën po jetojmë.
Sikundër dhe Naim Frashëri në fletoren e Bektashinjve shprehet: " Vëllazëria, paqësimi, dashuria, mëshira, afrimi, miqësia, vetitë e mira e gjithë të mirat janë dritat e udhës. Më shumë nga gjithë dashuria është afrimi e falja në këtë udhë. Pa këto s’mund të jetë kurrë Bektashi njeriu."
Besimi në Zot është individual dhe rrugët që na tregojnë drejtimin për tek Ai janë të ndryshme por në një pik bashkohemi, në fjalët Hyjnore të kumtuara nga Profeti Muhamet (a.s) :“Unë isha një thesar i fshehur. Kur desha të vihem në dukje krijova botën, që të njihem.”
Ndaj të nderuar organizatorë ndjemi të nderuar që na vlerësoni, dhe që na bëni pjesë të pandarë të aktiviteteve tuaja sepse mbi të gjitha Kombi dhe besimi në Zot do të lartësojnë vlerat e shoqërisë që duket se është në kërcënim të vazhdueshëm.
Koha në të cilën po jetojmë, po na përballë me sfida të pashembullta njëra pas tjetrës, pandemia na izoloi e tashmë lufta e ashpër ruse ndaj Ukrainës që po trondit të gjithë botën,po merr jetë të pafajshme foshnjesh, kryefamiljarësh e djemsh të rinj. Po dëbon nga trojet shumë shtetas Ukrainas, e kjo është një e keqe për të të gjithë, që duhet çrrënjosur sa më parë. Lutjet tona të përbashkëta janë gjithmonë për paqen, armëpushimin dhe lirinë e një kombi të pavarur. Kurdoherë feja ka patur prioritet çështjen kombëtare dhe besimi në Zot që duhet ta shoqërojë përherë.
Zoti i Lartësuar na bekoftë të gjithëve, e na bëftë të denjë për të udhëhequr besimtarët që aq shumë kanë nevojë për ne.
E për këtë ditë të veçantë për të gjithë ne, familjet dhe gjithë njerëzit që na rrethojnë , kam përgatitur një lutje që bekimet e uratat e Zotit të na sjellin paqe në këto kohë të trazuara lufte, mbarësi e begati! "
Vizita vijoi me një pritje të veçantë që ju bë delegacionit shqiptarë në kuadër të promovimit të harmonisë ndërfetare që e bëri të mundur Konsullja e Nderit të Shtetit Shqiptar në NRW znj.Anduena Stephan, me Klubin Ekonomik të familjes Destani në Dusserdolf, bashkë me përfaqësues të trupës diplomatike, Delegacioni i bashkisë Vlorë me në Kryebashkiakun Leli dhe emra ndikues në bashkësitë që mund të rrisin e zhvillojnë bashkëpunimet mes vendeve.
Vizita treditore u përmbyll me një takim dhe pritje të veçantë nga Kryebashkiaku i Duseldorf Stephan Keller, e cila i ngjante mikpritjes shqiptare. Në sallën historike që bashkia u ka rezervuar miqve, ndamë vlerën e paçmuar të bashkëjetesës fetare që na i njohin e vlerësojnë ngado. Bashkë me to, prezantimi i Vlorës si një nga vendet më të bukura turistike, bëhet gjithmonë shkas për të zhvilluar miqësitë që rrisin e përmirësojnë ekonominë e vendeve.
Pas fjalës përshëndetëse të ngohtë e mikëpritëse të Kryebashkiakut, e cila e kishte thelbin në harmoninë bashkëjetesën fetare dhe hapjen e mundësive bashkëpunuese në këtë fushë, vijoi me fjalimin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e TIj, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
"Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit Fuqimadh e Mëshirëshumë! I nderuar Kryetar i Bashkisë së Dusseldorfit, Stephan Keller,
I nderuar Dr. Holthoff- Pförtner – Ministër për Çështjet Federale, Evropiane dhe Ndërkombëtare.
E nderuar znj. Anduena Stephan, Konsulle nderi e Shqipërisë në Essen, Gjermani,
I nderuar Z. Klodian Bulku, Kryetar i Komitetit shteteror te kulteve.
I nderuar Kryetar i Bashkisë së Vlorës z. Dritan Leli
Të nderuar vëllezër të mijë të besimeve të ndryshme!
Kam nderin dhe kënaqësinë të jem pjesë e këtij paneli të nderuar, që vlerëson me kaq dashamirësi harmoninë, bashkëjetesën dhe tolerancën fetare që karakterizon Shqipërinë dhe besimtarët Shqiptarë në breza. Çështje të traditës së harmonisë uroj të na mbledhin gjithnjë bashkë, për të folur pse jo edhe për situatat aktuale që bota po kalon. Besimi është vlerë e paçmuar që duhet ta karakterizojë çdo njeri, ajo mirësi dhe paqe në shpirt që gjithë bota duhet ta pranojë.
Vështirësitë dhe persekutimet e klerit Shqipëtar në përgjithësi e atij bektashian në veçanti janë të pashembullta në të gjithë historinë e njerëzimit. Torturat, vrasjet e internimet e kohës së ataturkut në Turqi, e më pas në Shqipëri.
E këtu do doja të përkujtoja e të jepja një ide për brezat e rinj dhe ata që nuk e njohin historine e persekutimit te klerit bektashi. Do te doja te flisja per një klerik bektashi Shqiptarë të persekutuar nga Turqia, e përmendur dhe në librin Misticizma Islame dhe Bektashizma (Baba Rexheb). Baba Saliu, i cili merrej dhe kujdesej për edukimin e fëmijëve të katundit të vet, më 1902, ku me të hollat e tij kishte ngritur një shkollë me mësues të shquar. Kur u bë baba, teqeja e tij në Matohasanaj, Tepelenë në kohën pas lidhjes së Prizrenit, u bë shkollë e fshehtë për mësimin e gjuhës shqipe, ku përfitonin gjithë paria, duke mësuar fshehurazi gjuhën shqipe.
Baba Salihu për gjuhën shqipe kishte bërë sakrifica të mëdha. Këto libra dërgoheshin nga Stambolli në Tripoli (Tarabul garb), ku me anën e governatorit të vëndit, Rexheb pashë Matit - që ishte shqiptar i vendosur - baba Saliu i sillte në Shqipëri dhe i shpërndante.
Këtë detyrë të shënjtë patriotike e kishte kryer shumë herë, dhe për një kohë të gjatë. Por në vitin 1902 u diktua nga spiunët dhe u kallëzua tek qeveria turke. Baba Saliu u kap menjëherë në krahinën e Kudhësit të Vlorës dhe u burgos për një kohë të gjatë.
"Baba Saliu ka patur edhe talent për vjersha. Në një vjershë të tij, shpjegon ngjarjen e arrestimit fatkeq, që i ndodhi. Vjersha është kjo:
"Unë s'jam vetë asnjë thërrime,
Zot! Të lutem duke qarë;
Ali! Thërret gjuha ime,
Alinë, Ahmet Myhtarë;
Hysen, më qan zëmra shumë,
Haxhi Bektashë, Hunqarë.
Them kët vjersh' për brengën time,
Pse punoj për gjuhën time,
Dua të zgjuaj Shqiptarë.
Në Vlor' Kudhës tek po rrija,
Treqind e tetëmbëdhjetë,
Viti turqishte ka qënë,
Sheshit kish dalë Mavija!
Spiunët bashkë u bënë,
Më dogjnë planet e mia!
E mori vesh dhe Turqia,
Që përhapja shqipen unë,
Erdhi çifte suvaria,
Më muarr në burg më shpunë;
O Sali, mos rri pa punë,
Merr shkruaj nga Fuzuliu,
Arabi, Farsi ka shumë,
Shqip ta marrij vesh Shqiptarija".
E më vonë diktatura e egër në Shqipëri, shpërfytyroi njeriun, kërkoi ta bënte ateist, i shkatërroi objektet e faljes dhe lutjes në Zot, i mori pronën dhe e përbuzi në gjyqe qesharake të asaj kohe të zymtë. Ringritja edhe pas 32 vitesh duket e vështirë, por jo e pamundur kur ke besimin e palëkundur në zemra e dashamirësinë në shpirt. Të gjithë bashkë, Myslimanë e të krishterë do tja dalim, që vlera kaq e çmuar e besimit të lulëzojë në gjeneratat që do të vijnë. Koha e vështirë në të cilën po jetojmë, dhe rrymat ekstremiste kërkojnë ta përçajnë e të gjejnë mënyra të paligjshme, herë herë edhe duke keqinterpretuar thëniet e Kuranit e librave të Shenjtë,për ta krisin këtë harmoni e tolerancë që kemi midis nesh, por duke qenë të bashkuar e mirëkuptues ndaj njëri-tjetrit, duke patur ndihmë zbatimin e lgjit dhe shtetin çdo gjë ka rrugëzgjidhje.
Situata që po kalojmë është shumë shqetësuese,lufta Ruse kundër një shteti Sovran siç është Ukraina është e pafalshme nga e gjithë bota e mbi të gjitha nga Zoti i lartë. Ne, liderët fetarëduhet të bashkohemi njëzëri në lutje që paqja dhe armëpushimi të vij sa më shpejtë e që mos të ketë më humbje jetë njerëzish të pafajshëm. Lufta është e keqe për këdo, për popullin rus e për Ukrainasit.
Me shumë vend vlen shprehja e Ghandit në këtë rast: "Çfarë ndryshimi ka midis të të vrarëve nga lufta, jetimëve dhe të pastrehëve, nëse shkatërrimi i çmendur bëhet nën emrin e totalitarizmit apo emrit të shenjtë të lirisë apo demokracisë? "
Lufta do të përfundojë dhe liderët do të shtrëngojnë duart. Ajo nënë do të vazhdojë të presë djalin e saj martir. Dhe ata fëmijë do të vazhdojnë të presin babanë e tyre hero. Nuk dihet kush ka shitur atdheun, por shihet kush e ka paguar çmimin...nëse të besuarit të Zot dështon, lufta ndodh e vazhdon.
E nëse ne nuk e përdorim besimin dhe lutjet për ti dhënë fund luftës atëherë lufta do ti jap fund njerëzimit. Të jetuarit së bashku në paqe nuk do të thotë të vrasim fëmijët e njëri tjetrit, është drejtësia, besimi, toleranca, dhe rëndësia e jetës së njeriut mbi të gjitha!
E nëse të gjithë ne e quajmë luftë, në fakt është pushtim i shtetit Rus ndaj Ukrainës, por Zoti nuk dallon kombësinë, shquan zemrën e besimtarit dhe rëndësinë e lutjeve, nuk është në nder të liderëve fetarë të thonë se “Bota ka një hapësirë qesharake të shkurtër të vëmendjes. Sepse bota harroi viktimat në Izrael dhe Palestinë, harroi Afganistanin, dhe së shpejti do të harrojnë edhe Ukrainën. Bota harron, por vuajtjet e njerëzve vazhdojnë. Mos u bëni ajo botë miqtë e mijë, bëhuni një botë më e mirë, një botë e civilizuar dhe e përgjegjshme, me besim në Zot, pa dallime fetare, kombësie,vetëm atëherë ne do të jemi në gjendje të parandalojmë një krizë tjetër të Izraelit dhe Palestinës, një krizë tjetër në Afganistan, një krizë tjetër në Ukrainë, përndryshe këto ngjarje do të vazhdojnë të përsëriten.
Të bashkojmë lutjet për një botë pa ndasi besimi, për ndërgjegjësim edhe në zemrat më të egra, sepse vetëm bashkimi paqësor midis liderëve është shembulli më i arrirë i një shoqërie në zhvillim.
Do të doja ta mbyllja fjalën time me një shprehi të Imam Aliut:" Çdo njeri me të cilin takoni është vëllai juaj,ose në besimin tuaj ose në krijim." Në çdo rast, ai është një njeri. Të gjithë njerëzit duhet të jenë të bashkuar dhe të dashur ndaj njëri-tjetrit.
Zoti na bekoftë të gjithëve!
Amin!"
Gjatë vizitës 3 ditore në Gjermani, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, u takua me shumë besimtarë bektashinj të diasporës, biznesmen, mësues, Nënkryetar të Bashisë Essen, dhe të tjerë, të mirë integruar në shtetin Gjerman, të cilët me shumë dashamirësi e përgëzuan për përfaqësimin denjësisht të bektashizmit kudo në botë!
Në mbyllje të vizitës, u zhvillua takimi përshëndetës dhe falënderues i delegacionit Ndërfetar me Konsullen Shqiptare të Nderit në Essen, në zyrën e Konsullatës, Kryegjyshi e përgëzoi këtë Konsullatë për punën e mirë që bën me diasporën shqiptare dhe i uroi mirëseardhjen në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, për organizimin e aktiviteteve të tilla me natyrë ndërfetare. Vizita e delegacionit Shqiptar ishte e nivelit të lartë dhe u publikua në shumë media shqiptare dhe intervista të realizuara nga DW Deutsche Welle Germany, gazetarja Adelheid Feilcke.