Në mjediset e Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës këtë të premte u zhvillua ceremonia e e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” Josef Weidenholzer , njeriut të angazhuar në përcjelljen e vlerave të veçanta njerëzore e që ka mbajtur poste të rëndësishme politike si Eurodeputet dhe Zv. President i fraksionit S&D ne EU Parlament.
Dhënia e titullit “Doctor Honoris Causa” nga UV ka si motivacion kontributet e çmuara të Josef Weidenholzer në jetën politike, akademike dhe në shumë evente me rendesi të veçanta historike-kulturore të organizuara në Vlorë apo dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, duke reflektuar dashamiresine e nje miku te mire ndaj vendit tone.
Në të gjitha referatet e mbajtura në nderim të punës dhe konsideratës që Weidenholzer ka patur ndaj vendit tonë spikati kontributi i çmuar i Eurodeputetit për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Fjala përshëndetëse e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
"Të ndëruar organizatorë të këtij eventi! I nderuar miku im dhe i të gjithë Shqiptarëve Eurodeputet Josef Weidenholzer! Ju falenderoj për ftesën në këtë event me rëndësi të lartë, jo vetëm për botën akademike , por edhe religjioze, për mbarë dimensionet e demokracisë , që kanë në thelb të drejtat dhe liritë e njeriut. Kam kënaqësinë e veçantë të uroj përzemërsisht për titullin plotësisht të merituar "Doctor Honoris Causa" ish-Eurodeputetin e Parlamentit Europian z. Josef Weidenholzer, këtë personalitet të lartë, mburojën e fortë e të palëkundur të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe në veçanti të Bektashinjve , të Shqipërisë , Maqedonisë, e të gjithë atyre besimtarëve anë e kënd botës, të drejtat e të cilëve shpesh shtypen e neglizhohen, shpërfillen ,e në disa raste axhendat e Parlamentarëve e politikanëve nuk i marrin në konsideratë. Përgëzime i nderuar mik i joni për të gjitha kauzat e ngritura , për të gjitha të drejtat e mbrojtura, e për promovimin e të gjitha lirive shumë dimensionale, duke nisur nga e drejta e fjalës, e shtypit, e besimit fetar, të drejtat e njeriut, lufta kundër terrorizmit e rradikalizmit të dhunshëm , promovimi dhe rregullimi i epokës dixhitale, promovimi i nevojës për një mekanizëm gjithëpërfshirës të demokracisë pjesë e të cilit është edhe besimi, zbatimi i ligjit dhe të Drejtave Themelore, mbrojtja e mjedisit, mbrojtjen e të drejtave të njerëzve vulnerabël, e drejta për arsim dhe edukim etj. Jemi me fat e të nderuar që një personalitet i Lartë , mikut të Shqiptarëve e Shqipërisë i akordohet sot ky titull i lartë, fokusi profesional i të cilit ka qënë kurdoherë Politikat Sociale, teoritë e shtetit të mirëqenies, krahasimi ndërkombëtar ndërmjet sistemeve të shtetit të mirëqenies, teoria politike dhe studimet krahasuese ndërkombëtare mbi kulturat politike, dhe ndihmesa për shtresat që kanë pasur nevojë për mbrojtje të drejtash ai i ka shërbyer me përpikmëri ka luftuar për drejtësi sociale dhe ende mban një qëndrim të fortë publik për çështjet e margjinalizimit. Gjatë detyrës me rëndësi si anëtar i Parlamentit Europian ,z. Weidenholzer i ka dhënë një rëndësi , dhe ka parë me prioritet, diskutimet e kërkesat tona për mbrojtje të drejtash të besimit, dhe lirinë për të besuar lirisht besimtarëve bektashinj të Maqedonisë, Shqipërisë , na ka dhënë të drejtën të ngremë zërin tonë e të bëhemi bashkë për këto të drejta sublime themelore të njeriut, prandaj në emër të miliona besimtarëve bektashinj në mbarë botën , por edhe në emrin tim si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve të them FALEMINDERIT! Faleminderit që hape dyert e zemrës e shpirtit, faleminderit që hape dyert e institucionit të Parlamentit Europian dhe bëre që zëri ynë të dëgjohet kudo, faleminderit për ndihmesën që i ke dhënë kurdoherë Shqipërisë dhe Shqiptarëve për mesazhet , ndihmën dhe rekomandimet drejt rrugës së ndritur për në BE. Fjalët janë të pakta për të falenderuar këtë personalitet që Shqipëria ka patur fatin ta ketë në krah në shumë çështje që në thelb kanë demokracinë , të drejtat dhe liritë. Të siguroj z. Josef se dyert vëllazërore të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe të gjithë besimtarve bektashinj do të jenë mikëpritëse e dashamirëse ndaj një njeriu që me zemër ka treguar se është Shqiptar! Urime dhe një herë për titullin plotësisht të merituar dhe bekimet e Zotit të të ndjekin personalisht dhe familjarisht , i nderuar! Zoti ju bekoftë të gjithëve! Amin!"