Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë nëpërmjet bashkëpunimit të pesë komuniteteve fetare zyrtare në vendin tonë ka ndërmarrë nismën humanitare të radhës, duke ndihmuar modestisht me mjete spitalore në vlerën e 5.000 dollarëve spitalin civil të Tepelenës.
Donacioni i KNFSH-së për spitalin ?Përparim Tepelena? në qytetin e Tepelenës, vjen në një kohë sfidash për shëndetin e qytetarëve të vendit tonë, i cili prej gati dy vitesh po përballet me pandeminë Covid 19.
Në dorëzimin e mjeteve spitalore të blera me kontributet e të gjitha komuniteteve fetare, pjesë përbërëse e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, merrnin pjesë Kryetari në detyrë i KNFSH-së H. Dede Edmond Brahimaj, njëkohësisht dhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, përfaqësues nga komunitetet fetare rajonale, si dhe Përgjegjësja e Financës në KNFSH znj. Sheldiana Jano. Mjetet spitalore përbëheshin kryesisht nga krevate spitalore, karrige me rrota për urgjencën, kondicionerë, aparate tensioni, oksimetra, etj., të cilat iu dhuruan urgjencës së Spitalit të Tepelenës.
Në ceremoninë e dorëzimit të mjeteve ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë Tepelenë z. Tërmet Peçi dhe Drejtoresha e Spitalit ?Përparim Tepelena? znj. Suela Selimi, të cilët përshëndetën këtë nismë të nevojshme, ardhur nga bashkëpunimi ndërfetar nëpërmjet KNFSH-së, si një model frymëzues edhe për donacione të tjera në të ardhmen.
Takimi u përmbyll me një vizitë në ambientet spitalore dhe dëshira e mirë për të vazhduar me këto nisma për njerëzit dhe institucionet në nevojë.