Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë takim me Kryeministrin lidhur me rihapjen e objekteve të kultit

 

Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë me kërkesën e tij ka zhvilluar sot një mbledhje online me Kryeministrin e Shqipërisë z. Rama, ku është folur për rihapjen e objekteve të kultit për shërbesa fetare në komunitet, pas mbylljes së tyre për shkak të pandemisë së Covid 19.
Në këtë takim merrni pjesë krerët e pesë komuniteteve fetare, kryetari i Këshillit Ndërfetar  Mons. George Frendo (njëkohësisht kreu i Kishës Katolike), kreu i KMSH-së H. Bujar Spahiu, Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Fortlumturia e Tij Anastas, H. Dede Edmond Brahimaj, kreu i VUSH-it Pastor Ylli Doci, si dhe Sekretari i Përgjithshëm Dr. Genti Kruja.
Gjatë këtij takimi fillimisht Kryeministri Rama ka falënderuar komunitetet fetare dhe të gjithë drejtuesit e tyre për bashkëpunimin lidhur me këtë situatë të vështirë, si dhe për sakrificat e ndërmarra në ditë festash të rëndësishme fetare për secilin komunitet, lidhur me pezullimin e përkohshëm të ritualeve në objektet e kultit.
Liderët e pesë komuniteteve fetare kanë shprehur opinionet e tyre, duke vënë theksin në rëndësinë, që i jep feja shëndetit dhe jetës së njeriut, lidhur me masat e marra që në fillim nga ana e tyre. Ndërsa tani, ku për shkak të qëndrueshmërisë dhe uljes së përhapjes së virusit në vendin tonë, si dhe zbutjes së masave nga qeveria shqiptare për rihapjen e aktiviteteve të ndryshme të jetës së përditshme, komunitetet fetare kanë marrë masat për një rihapje graduale të objekteve të kultit, kishave, xhamive dhe teqeve në bashkëpunim me organet kompetente dhe ekspertët e fushës.
“Kërkesa më e madhe që kemi është të kemi vendet e lutjes dhe adhurimit dhe të na jepni drejtimin të kujdesemi për këtë gjë, të mbajmë distancën mes njerëzve. Vendet e adhurimit ofrojnë shpresë dhe gëzim. T’ia japin njerëzve këtë mundësi, e përsëris duke iu përmbajtur udhëzimeve të dhëna deri tani. Komunitetet fetare kanë dhënë shembull të përulësisë dhe jemi gati për të vazhduar me këtë, gjithmonë në bashkëpunim të mirë me shoqërinë dhe në solidaritet me gjithë popullin”, – tha Kryepeshkopi Anastas.
“Në kuadër të hapjes graduale që po merret në kushtet e pandemisë kërkuam këtë takim për të diskutuar rreth hapjes graduale të objekteve të kulteve duke respektuar rregullat e distancimit social. Pra, të na lejohet të kryejmë adhurimet në objektet tona të kultit”, u shpreh kreu i KMSH-së, H. Bujar Spahiu.
“Ju përgëzoj për masat në radhë të parë, pasi siç e keni thënë edhe ju vetë do të kishim pasoja më të rënda, por unë bashkohem me çfarë u tha më parë se strukturat tona lejojnë respektimin e masave, pra të mos japim dorën e të shmangim kontaktet fizike. Dëshirojmë të hapet më shumë, të kemi leje që të bëhen takime fetare si mesha apo kremtime, duke shmangur çdo rrezik”, – shtoi nga ana e tij Mons. Frendo.
“I morëm masat ashtu siç keni udhëzuar ju, as Sulltan Novruzin nuk e festuam. I falënderoj vëllezërit e mi për këtë propozim dhe bashkohem me të”, u shpreh H. Dede Edmond Brahimaj.
Nga ana e tij kryeministri Rama shtoi: “Ajo që keni bërë është fantastike ndihma që keni dhënë është e paçmuar. Keni përcjellë një mesazh shumë të qartë për popullin shqiptar. Sa i përket shqetësimit tuaj, unë bashkohem me ju që në kuadër të masave për lehtësimin e ndërveprimeve dhe jetës së përditshme sociale është e nevojshme të adresojmë edhe situatën aspak të lehtë që kjo luftë ka krijuar mbi komunitetet tuaja dhe të lehtësojmë pengesat e mëdha në ushtrimin e aktiviteteve tuaja.
Kjo është një gjë që duhet bërë në mënyrë graduale. Kjo kërkon një bashkëbisedim me ju se praktikat janë të ndryshme nga komuniteti në komunitet. Ndryshe nga aktivitetet e tjera të biznesit në rastin e komuniteteve fetare duhet bërë bashkarisht. Nga sot apo nesër ju duhet të jeni disponibël për t’u vendosur në kontakt me personat që hartojnë masat lehtësuese, për të pasur një konsultim konkret, se si mund të hartohet një kalendar gradual deri në normalizimin e plotë. Nëse do hartojmë një kalendar të arsyeshëm, besoj që më 18 maj kur do të jetë konfiguruar gjithë projekti i fazës së dytë të mund të japim edhe disa indikacione konkrete për institucionet fetare”.
Menjëherë pas mbledhjes, grupi i punës nga qeveria ka kontaktuar me KNFSH për të përcaktuar dhe diskutuar rreth kalendarit dhe propozimeve të komuniteteve fetare për rihapjen e objekteve të kultit, gjë e cila do të finalizohet në kohën më të afërt në përputhje dhe me rregullat dhe masat që do ndërmerren në bashkëpunim institucional.