KNFSH ZHVILLON NJË AKTIVITET NDËRFETAR NË TEQEN E TURANIT, KORÇË

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka zhvilluar ditën e dielë, më datë 9 tetor 2022, një vizitë studimore në teqen e Turanit, Korçë, ku përfshihej një forum ndërfetar me pjesëmarrjen e liderëve dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare, vizita në institucione arsimore, qendra sociale të komuniteteve fetare, si dhe objekte kulti. Në këtë aktivitet merrnin pjesë Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, drejtues të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, si dhe anëtarë të Bordit Ekzekutiv, Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë.

Ata janë njohur nga afër me ambientet dhe punën e këtyre komuniteteve, sidomos të institucioneve arsimore dhe edukative dhe kontributin, që japin të gjithë së bashku në aktivitete humanitare dhe sociale.

Në këtë vizitë, të rinjtë e të rejat nga Departamenti i Gruas dhe Departamenti i Rinisë në KNFSH folën dhe diskutuan për rëndësinë e këtyre aktiviteteve në rritjen e kapaciteteve të rinisë në promovimin e dialogut dhe humanitarizmit nëpërmjet këtij lloj bashkëpunimi.

Vizita studimore është zhvilluar me mbështetjen e UNHCR-së dhe Caritasit Shqiptar.