KOMUNA E GJAKOVËS, NË 25-VJETORIN E ÇLIRIMIT, I JEP BABA MUMIN LAMAJT ( PAS VDEKJES) DEKORATËN E LARTË ‘NDERI I GJAKOVËS’

Ditën e mërkurë, 12 qershor 2024, në 25 vjetorin e Çlirimit të Kosovës, Komuna e Gjakovës e nderoi post-mortem, ish-Kryetarin e Komunitetit Bektashian të Kosovës, klerikun e urtë, Baba Mumin Lamën, me dekoratën ‘Nderi i Gjakovës’.
Çmimin, Kryetari i Gjakovës, z. Ardian Gjini, i’a dorëzoi Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimajt dhe përfaqësueses së familjes Lama, znj. Afërdita Lama.
Dekorimi i Baba Muminit, nga Dervish Rrauf Rafoniqi dhe anëtarësia shpirtërore bektashiane e Kosovës u mirëprit dhe u konsiderua nderim ndaj gjithë historisë sonë bektashiane.

Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj:
I nderuar Kryetar i Komunës Gjakovë z. Ardian Gjini,
Të nderuar pjesmarrës të ftuar në këtë organizim jubilar të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, pjesë e së cilit është edhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane , për të dhënë falenderimet e rastit për nderimet që i keni bërë Komunitetit Bektashi të Kosovës dhe Baba Mumin Lamaj pas kalimit nga jeta, me titullin “Nder i Qytetit”. Mirënjohje për kontributin e tij në shtimin e vlerave religjioze dhe njerëzore për të gjithë besimtarët por jo vetëm. Më lejoni që me këto falenderime të shtoj urimin e përzemërt në emër të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane për 25 vjetorin e çlirimit të shtetit të Kosovës.
25 vjet më parë në Kosovë trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze. Urime për shtetin e fortë dhe të pavarur që po e ndërtoni dita ditës si një shtet demokratik dhe paqedashës drejt aspiratave të BE.
Gjakova nderon sot Baba Muminin, një prej vëllezërve tanë klerikë të shquar , që me shumë dashuri dhe urtësi udhëhoqi komunitetin bektashi të Kosovës.
Baba Mumin Lame u emërua postnishin i teqesë së Gjakovës nga Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede baba Reshat Bardhi. Baba Mumini, u vu në krye të teqesë së Gjakovës, në kohëra të vështira lufte për Kosovën. Dekada e 90-të e shekullit të 20-të, u veçua në histori për dhunën e gjithanshme të regjimit serb ndaj popullatës shqiptare; u mbyllën institucionet e shkollat.
Por, baba Mumini, duke njohur traditën bektashiane dhe atë të vetë teqesë që drejtonte, u angazhua që këtë tempull fetar ta kthejë në qendër për manifestime fetare-kulturore-artistike e historike, e njëkohësisht e dha teqenë për shkollë, për maturantët e gjimnazit të Gjakovës. Teqeja Bektashiane e Gjakovës, që drejtohej nga baba Mumin Lame, u bë objekt sulmi i ushtrisë serbe, e cila e dogji atë më 7 maj 1999. Kështu, u shkatërruan relikte e artefakte me vlera të jashtëzakonshme, u shkrumbua biblioteka që mbante thesare nga e gjithë bota (shumë nga to ishin dorëshkrime perla që nuk rikthehen më). Këtë fat, pati edhe tyrbja e baballarëve në Gjakovë.
Pas luftës në Kosovë, teqeja u rindërtua më 2007, me ndihmë nga Qeveria e Kosovës, financuar nga shtetet mike të vendit, si dhe nga të ardhurat e vetë teqesë bektashiane të Gjakovës.
Vëllai ynë, baba Mumini, njihej gjithandej për qetësinë që reflektonte, për urtësinë e bujarinë e madhe. Tregonte respektin për çdo qenie njerëzore, nuk dallonte e paragjykonte njerëzit por e vlerësonte dhe rrespektonte çdo njeri pavarsisht besimit të tij. Kleriku Mumin Lama, e la botën materiale për t’u bashkuar me shpirtrat e pastër, duke lënë pas shembullin e devotshmërisë, përkushtimit në udhën e Haxhi Bektash Veliut, kontributin e çmuar fetar e atdhetar të besimit tonë të paqtë.
Sot ditë e shënuar për të gjithë bektashinjtë e Kosovës dhe Shqipërisë, në nderimin e këtij personaliteti të lartë e figure të pashuar në zemrat e të gjithëve ne.
Falenderime e përgëzime Komunës Gjakovë për vlerësimin e klerikut dhe njeriut të urtësisë e mençurisë Baba Mumin Lamaj!
Zoti na bekoftë të gjithëve !
Amin!