Komunitetet bektashiane të Skraparit e Gramshit, përkujtojnë në Durrës 180 vjetorin e lindjes dhe 95-vjetorin e ndarjes nga jeta të baba Meleq Shëmbërdhenjit

Nëpërmjet një aktiviteti të mirëorganizuar, mbrëmjen e ditës së premte, 8 prill 2022, komunitetet bektashiane të Skraparit e Gramshit, përkujtuan në Durrës, 180-vjetorin e lindjes dhe 95-vjetorin e ndarjes nga jeta të baba Meleq Shëmbërdhenjit. Ky aktivitet, u organizua nga Selia e Shenjtë Bektashiane, nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në bashkëpunim me Shoqatën Atdhetare Kulturore “Tomorri”, me kryetar Hajri Nuhun dhe Shoqatën Atdhetare Kulturore “Gramshi”, me kryetar Xhevdet Haxholli. Për pjesëmarrësit e shumtë nga trevat e mësipërme, nga Durrësi, të ardhur nga Tirana, Kruja, Elbasani e gjyshata të tjera bektashiane, përveç përshëndetjeve të personaliteteve fetarë e vendorë, ishin përgatitur e u ndoqën dhe një ekspozitë fotografike për jetën dhe veprën e klerikut atdhetar baba Meleq Shëmbërdhenji, një koncert i pasur artistik nga asambli i njohur polifonik “Tomorri”, përgatitur nga drejtuesi Rako Paja; një dokumentar i shkurtër, kushtuar baba Meleq Shëmbërdhenjit,  vlerësime nga studjues e historianë, si dhe interpretime poezishë nga krijues e aktorë pjesmarrës në takim. Në këtë aktivitet të zhvilluar në Pallatin “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit,  përveç besimtarëve e dashamirësve të shumtë, merrninin pjesë dhe deputeti Nasip Naço, ish-deputeti Spartak Braho etj... Në harkun e afro një muaji, pas atij të zhvilluar në qytetin e Gramshit, ky ishte aktiviteti i dytë që organizohej për jetën, kontributin si klerik e atdhetar, të baba Meleq Shëmbërdhenjit.
Pas himnit kopmbëtar dhe përshëndetjes së rastit nga Hajri Nuhu, kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri” dhe Xhevdet Hoxhollit, kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Gramshi”, përshëndeti të pranishmit, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Ndër të tjera, Dede Edmond Brahimaj, kumtoi: “... Të nderuar Klerikë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore e shoqërore! Të nderuar besimtarë bektashinj dhe dashamirës, që keni ardhur sot në mjediset e Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, në këtë veprimtari përkujtimore me objekt “Baba Meleq Shëmbërdhenji, bektashi dhe atdhetar i madh”, kushtuar këtij kleriku të njohur, në kuadër të 180-vjetorit të lindjes dhe 95-vjetorit të kalimit nga jeta të tij. Me këtë rat, si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, me kënaqësi të veçantë ju uroj dhe bekoj që të gjithëve ju të pranishëm, lumturi në familjet tuaja, shëndet e mbarësi, më shumë dashuri, paqe e mirësi, për besim të palëkundur tek i Madhi Zot, në këto kohë të vështira që po kalojmë sot! Para pak ditësh, një ceremoni të tillë, ne organizuam dhe në qytetin e Gramshit, trevë ku ka punuar, jetuar dhe ka lënë gjurmë, vëllai jonë, baba Meleq Shëmërdhenji. Veprimtari të tilla, jo vetëm i shërbejnë evidentimit të rolit të klerikëve bektashinj, si fetarë e atdhetarë, në udhën 8 shekullore të këtij besimi të paqtë, vlerësimit të këtij kontributi, por dhe përqafimit e rritjes numerike të besimit tonë të shenjtë.  Këto takime dhe rite që po organizojmë kohët e fundit, përkojnë me një kohë të vështirë me situata jo të qëndrueshme, ekonomike e shoqërore, në vendin tonë e më gjerë në botë, përfshi dhe luftëra të përgjakshme si ajo në Ukrainë, fakt që e bën më të domosdoshëm apelin për më shumë paqe e dashuri, për më shumë besim tek Zoti i Gjithëfuqishëm, për më shumë harmoni e dashuri vëllazërore, për më shumë përpjekje të përbashkëta, drejt një jete të paqtë e normale.
Baba Meleq Shëmërdhenji, që ne përkujtojmë sot, ka lënë gjurmë të ndritshme jo vetëm si klerik në predikimin e zgjerimin e besimit bektashian, por dhe si atdhetar për çështjen kombëtare, si poet, si kontribues i flaktë për mësimin e përhapjen e gjuhës së bukur shqipe e shkollimin e brezave si mësimdhënës. Roli dhe kontributi i këtij kleriku të njohur lidhet jo vetëm me trevën e Gramshit (ku në teqenë e Shëmbërdhenjit, ai qëndroi 17 vite), por dhe me rolin e tij në drejtimin e teqeve të rëndësishme dhe në vende të ndryshme të botës, ku jetojnë bektashinjtë.
...Kleriku Meleq Tahir Muçi lindi në vitin 1842, në fshatin Starveckë të Skraparit, në një familje me tradita patriotike dhe bektashiane. Në fshat ndodhej një mekam, të cilin gjithë fshati e frekuentonte dhe bënin ritualet e besimit. Në kufi me fshatin Backë, ndodhej teqeja e famshme e baba Fetahut me histori e veprimtari të madhe për gjuhën shqipe. Në këtë teqe Meleqi mësoi mbi bektashizmin. Kleriku Meleq Tahir Muçi, është pjesëmarrës në mbledhjen e teqesë së Frashërit në maji të vitit 1878, është bashkëpunëtor me Naim Frashërin, Jani Vruho, Nuçi Naçin. Ai mori pjesë aktive në vitet e Lidhjes së Prizrenit, në organizimin e kësaj lidhje në Skrapar, së bashku me patriotin Hysen Sevrani. Gjithashtu, ishte pjesëmarrës në mbledhjen me gjithë baballarët e jugut të Shqipërisë në Kostrec, në mbrojtje të aspiratave atdhetare. Në këtë periudhë si dervish në teqenë e Frashërit dhe Backës, atë e gjeje kudo në lëvizje për edukimin e të rinjve, mësimin dhe shkrimin e gjuhës shqipe. Kjo veprimtari ra në sy të autoriteteve të kohës, të cilët e arrestuan disa herë. Ai ishte agjitator i librit shqiptar si askush tjetër në Shqipëri. Dokumentat arkivore japin të dhëna si veprimtar i Rilindjes Kombëtare në çështjen e arsimit dhe kulturës shqiptare. Në Egjipt në vitin 1879-n jepte mësim shqiptarëve të atjeshëm, të cilët mblidheshin rreth tij, në teqe e vende të tjera. Kjo ra edhe në sy të princave egjiptian. Në vitin 1892 bëri një udhëtim në Anadoll, me ndihmën e Sadik Efedi Qesarakës ku mblidhte shqiptarët dhe u jepte mësim shqip. Në vitin 1896 shkoi në teqenë e shenjtë të Merdiven Qojt, në Stamboll, ku fshehurazi i bashkonte shqiptarët dhe u jepte mësim në gjuhën amtare. Në kulmin e pjekurisë shkroi poezitë e bukura të gjuhës shqipe. Në këto poezi ai shkrihet e bëhet një me mistikën, tretet si qiriri në devizën se “Pa atdhe nuk ka fe”. Kur u largua nga Stambolli në vitin 1898, u vendos në trevat shqiptare në Manastir, Ohër dhe Strugë, ku qëndroi 2 vjet, nëpër miq e besimtarë, duke u dhënë atyre mësim.
Në vitin 1900, baba Meleqi, shkoi përsëri në teqenë e Frashërit, ku shkruante dhe jepte mësim. Më 1904 iku nga Shqipëria e vajti në Rumani, ku përfshirë me veprimtari atdhetare e kombëtare. Qeveria turke e ndiqte dhe u detyrua të strehohet në teqenë e s“Shememi Baba”, të Fushë. Më shkoi në teqetë e Krujës, Martaneshit, Elbasanit, Gramshit ku shpërndau abetaret shqipe. Në vitin 1910 shkoi në Bukuresht të merrte sërish libra por shpërtheu lufta dhe në vitin 1912, baba Meleqi ndodhet në Vlorë.
...Në vitin 1884 kur në Stamboll doli gazeta ”Drita” baba Meleqi, u bë bashkëpunëtor i Naim e Sami Frashëri, Jani Vreto e të tjerë, kohë në të cilën ai ka shkruar e botuar shumë poezi.
Predikimet e tij fetare janë të ndjeshme në çdo teqe. Ai punoi në teqenë e Frashërit, të Backës, dhe për 17 vjet drejtoi teqenë e Shëmbërdhenjit të Gramshit me një aktivitet të plotë fetar dhe patriotik. Ishte gjithashtu një mësues shëtitës, për përhapjen e gjuhës shqipe në Skrapar, Berat, Përmet, Korçë, Kolonjë, Elbasan, Martanesh, Krujë, Ulqin, Manastir, Kosovë. Kolonia shqiptare në Kajro e ka ngarkuar me shumë detyra për Shqipërinë. Robert Elsie shkruan në historinë e letërsisë shqipe: “ Shëmbërdhenjin e mbajnë si njërin nga poetët më të mirë bektashinj të periudhës. Ai ishte edhe mik e adhurues i Naim Frashërit, të cilin e quajti “Zemra e Shqipërisë, gurra e urtësisë, pishtari i vegjëlisë, shenjtor i njerëzisë”.
Baba Meleqi me kohë kishte përgatitur dy vëllime me vjersha. Një e kishte lënë në teqenë e Shëmbërdhenjit, të cilën siç dihet në vitin 1914 e dogjën andartët grekë dhe tjetrën në teqenë e Turanit, te baba Zylfua. Vetëm në vitin 1933 u arrit të botohet nën kujdesin e dervish Rizait në teqenë e Leskovikut. Shumë shkrime i kish çuar për botim në Bukuresht të Rumanisë dhe nuk dihet fati i tyre. Shtëpia e baba Meleqit u bënë teqetë, brenda dhe jashtë vendit, vëllezërit kosovarë, maqedonas, malazez, çamë e kudo që ai punoi. Si shumë rilindas, punoi i paepur për arsimin dhe kulturën shqiptare sepse ishte mjeti më i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për forcimin e ndërgjegjes kombëtare, për bashkim e vëllazërim, bashkëjetesë e harmoni fetare, kundër përçarjes dhe propagandës antishqiptare. Për vdekjen e baba Meleqit gazeta “Korça” më 5 mars 1927 shkruan: “ Baba Meleku që ish babai i teqesë së Shëmbërdhenjit në Skrapar dhe që ka qenë një nga bashkëpunëtorët e Naim Frashërit ish dervish në teqenë e Frashërit, ndërroi jetë 25 shkurt 1927 në teqenë e Shëmbërdhenjit në vërsë 85 vjetësh. Perëndia e ndjeftë dhe ngushëllimet afërsisë dhe miqëve”!  Besimtarët në periudhën e luftës kundër fesë, i ruajtën eshtrat e baba Meleqit dhe ato u vendosën në varrezat e qytetit të Çorovodës, Skrapar. Së fundmi, në qershor të vitit 2010 eshtrat e tij, u çuan në teqenë e Shëmbërdhenjit ku shërbeu 17 vjet. Vepra dhe jeta, përpjekjet e baba Meleqit për zhvillimin e arsimit, gjuhës dhe shkrimit shqip ishte një shembull frymëzues për gjithë patriotët e brenda dhe jashtë atdheut. Për veprën e tij është dekoruar me medaljen “Për veprimtari patriotike”. Gjithashtu ka marrë titullin “Mësues i merituar”.  Të dashur vëllezër e motra! Duke përkujtuar sot këtë klerik e atdhetar e mësimdashës, ne evidentojmë rolin historik të klerikëve bektashianë, që me besimin në Zot, kanë bërë në shekuj, bëjnë e do të bëjnë gjithçka, sipas devizës së njohur të bektashizmit: “Pa atdhe, nuk ka fe!!”. Video-projektori i përgatitur e që ndjekim sot, dokumentari “Jeta dhe vepra e baba Meleq Shëmbërdhenjit” dhe ekspozita enkas për aktivitetin fetar e atdhetar të këtij kleriku, janë një vlerësim që ne besimtarët u bëjmë klerikëve bektashi, gjë e cila ka qenë dhe do të mbetet në traditën tinë si Seli e Shenjtë Bektashiane.
Në mbyllje, unë dua të falënderoj drejtuesit e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri” për vlerësimin e bashkëpunimin me ne, ju të pranishëm këtu dhe, të gjithë faktorët e tjerë kontribues.
U uroj njëkohësisht për Muajin e Bekuar të Ramazanit! Paçi mirësi e begati në familjet tuaja! Zoti u bekoftë të gjithëve...”
Në vazhdim, pas ndjekjes së filmit dokumentar kushtuar baba Meleq Shëmbërdhenjit,   kumtuan publicisti Zylyftar Hoxha dhe poeti Islam Hasani. Pas repertorit të pasur të grupit polifonik,  u ndoq me shumë interes ekspozita fotografike kushtuar jetës e veprës së këtij kleriku të njohur. Ndërsa në fund, takimi i ngrohtë bektashian, vazhdoi me koktein e shtruar në hollin e Pallatit “Aleksandër Moisiu”.

Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI

Fotot: Ardian KOXHERRI