Konferenca ndërkombëtare për paqen në Berlin, Gjermani

Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Të nderuar vëllezër të mijë, përfaqësues të lartë të feve, të pranishëm!
Të nderuar organizatorë të konferencës së paqes në Berlin!
Kur flasim për ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin jemi të ndjeshëm të gjithë, pasi në çdo fe dhe besim, qysh nga tradita e hershme e eshkruar në pergamenë dhe deri në ditët e sotme, Zoti ynë i vetëm, ka thirrur vetëm paqe e mirësi. Është një e vërtetë e pamohueshme se nga brezat e më shumë se një miliard myslimanëve aktualë, pëshpëritet me shpirt thënia “Selam alejkum”, duke nënkuptuar paqen në të dy botët, në këtë të përkohshmen dhe tjetrën, të përjetshmen. Këtë paqe mrekullisht, një miliard e më tepër myslimanët nuk ja urojnë vetëm familjes dhe të afërmve të tyre, por krejt botës në çdo vend ku ata jetojnë.
Esenca e filozofisë Islame është paqja, është nënshtrimi ndaj vullnetit hyjnor të Krijuesit, është rendja deri në fund të jetës fizike për të vënë në vend fjalët e Tij. Myslimanët janë emblema e mirësisë, ndaj  dhe në Kuranin Qerim thuhet tekstualisht: “...Kush vret dikë, që nuk ka vrarë njeri apo nuk ka sjellë ç’rregullim në këtë botë, është sikur të ketë vrarë gjithë njerëzimin. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetët e krejt njerëzve...”. Një sintetizim i tillë i marrëdhënies midis njerëzve dhe vetë shoqërisë njerëzore me Krijuesin është gati unik në të gjithë librat tanë të shenjtë.
Megjithatë, në të shumtën e rasteve, sidomos në këto dy-tri dekadat e fundit, terrorizmit  ndërkombëtar i bashkëngjitet termi “islamik” dhe i shoqëruar me zhurmë mediatike gjithfarëllojësh, krijon ndjesinë se ky rrezik i paqes botërore vjen vetëm prej myslimanëve. Është disi e çuditshme, por faqet e gazetave, sidomos në Europë si dhe emisionet më të shikuar televizivë, marrin përsipër të “demaskojnë” doktrinën myslimane, pa kuptuar se në thelb të saj është mëshira hyjnore universale.  Siç është gjithashtu e çuditshme që ngjarje të tilla si masakrat e serbëve në Bosnje ndaj myslimanëve të pafajshëm, apo ato të Moskës ndaj myslimanëve çeçenë, të fëmijëve në Palestinë, të genocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës e plot realitete të tjerë të dhimbshëm, lihen në periferi të memories njerëzore.
Në këtë kontekst, unë do t’ju kujtoja  sot të pranishmëve këtu se terrorizmi nuk ka as fe, as atdhe, as ngjyrë dhe as etni. I organizuar apo jo i tillë, i ardhur prej myslimanëve, të krishterëve apo budistëve,  terrorizmi përfshin një varg fenomenesh njerëzorë, diktatorialë, ekonomikë dhe kulturor, të cilët vlen së pari të njihen qysh në lindje të tyre dhe mandej të analizohen në dritën e zhvillimeve të sotme. Jo domosdoshmërisht termi i frikshëm “fondamentalizëm” lidhet me Islamin e sotëm, përkundrazi, kjo përpjekje duhet parë se vjen prej atyre që nuk njohin në të vërtetë thelbin e Islamit. Një analizë më e thelluar e strukturave të shoqërisë njerëzore, studimet e formacioneve moralo-kulturorë si edhe traditave fetare myslimane, mund të na ndihmojnë të perceptojmë realisht rreziqet e sotme të terrorizmit.
Të nderuar të pranishëm!
Kombit të cilit i përkas  etnikisht, Shqipëria, ka qenë dhe mbetet i ndjeshëm kundrejt çdo lloj ekstremizmi të dhunshëm apo akti terrorist. Ne kemi trashëguar prej të parëve tanë shpirtërorë një bashkekzistencë të mrekullueshme fetare dhe vijojmë sot të modelojmë të ardhmen, përmes asaj që Papa Frençesku e nënvizoj në vizitën e tij në Shqipëri si “vëllazëri fetare”. Ky status fetar aktual, nuk na ka bërë aspak indiferentë ndaj zhvillimeve dhe prirje të besimit, përkundrazi, plot vetëdije jemi rreshtuar përkrah forcave realisht progresive për ndërtimin  e urave të paqes fetare si dhe denoncimin e çdo vandalizmi që gjoja vjen nga qiejt. 
Më lejoni së fundmi, t’ju bëj me dije edhe rreth një hadithi kuranor, i cili përcjell saktësisht: “Gjithçka e mirë që të vjen ty, o njeri, vjen prej Zotit të Lartë. Çdo e keqe që të godet, është prej vetes tënde!.” (En-Nisa 79).
Prandaj le të bashkohemi së bashku kundër të keqes. Për brezat e sotëm dhe të nesërm. Për paqen universale.
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve
Hirësia e Tij
Haxhi Dede Edmond Brahimaj

Berlin, 15 qershor 2019