Konferenca u zhvillua me rastin e 110 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me pjesëmarrje të personaliteteve të shkencës, historianë e studiues, nën përkujdesjen e mbështetjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj
Nga Brunilda Gorovelli
Të mërkurën në mesditë, në mjedise e Odeonit në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, zhvilloi punimet konferenca jubilare mbarëkombëtare “Bektashizmi dhe Pavarësia”, nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhiu Dede Edmond Brahimaj. Kjo konferencë zhvillohej në kuadër të 110-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Në këtë aktivitet, morën pjesë personalitete fetarë, personalitete shtetërorë, profesorë, studiues e historianë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, diaspora, drejtues institucionesh kulturore etj… Aktiviteti u moderuar nga z. Nuri Çuni, Sekretar i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Fillimisht, u dëgjuan përshëndetjet, më pas u vazhdua me kumtesat e përgatitura për këtë aktivitet.
PËRSHËNDETJA E DEDE EDMOND BRAHIMAJT
Pas Himnit Kombëtar, konferencën jubilare e çeli Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, nëpërmjet një përshëndetje. Ndër të tjera, ai theksoi: “Të nderuar profesorë, akademikë e studiues, pjesëmarrës në konferencën përkujtimore ‘Bektashizmi dhe Pavarësia!’ Të nderuar të pranishëm në këtë event! Zoti u bekoftë ju e familjet tuaja! Fundi i muajit nëntor, rezervon dy data të rëndësishme për Shqipërinë e Kombin Shqiptar; shpalljen e pavarësisë dhe çlirimin e vendit. Në këto ngjarje madhore të Kombit tonë, ardhur si pasojë e përpjekjeve liridashëse të shqiptarëve, misionit të patriotëve e atdhetarëve, është dhe roli i besimit tonë të paqtë bektashian, institucioneve tona e klerikëve, që në çdo etapë të historisë, kanë qenë në kahjen e duhur në përmbushje të kauzës sonë, ‘Pa atdhe, nuk ka fe!’. Pikërisht, dhe konferenca përkujtimore e sotme, organizuar nga Selia e Shenjtë, është emërtuar “Bektashizmi dhe pavarësia!’ Faleminderit të gjithëve dhe punë të mbarë vijimit të konferencës.”
PËRSHËNDETJET E TJERA DHE KUMTESAT
Pas Kryegjyshit Botëror Bektashian, përshëndetën: Përfaqësuese i Komitetit Shtetëror për Kulktet, z. Lirim Nerziri; Përfaqësuesi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Myftiu i Tiranës, Laurent Luli; përfaqësuesi i Komunitetit Ortodoks të Shqipërisë, Asti Bakallbashi; përfaqësuesi i Komunitetit Katolik, At Benard Ceorauna; nga Komuniteti “Vëllazëria Ungjillore”, Pastor Erges Biti; Kryetari i Tarikatit Kadri, Shejh Bujar Horasani.
…Kumtesa e parë, “Vlerësimi shtetëror i klerikëve bektashinj”, u paraqit nga Prof. Asocc. Dr. Ermal Baze. Në vazhdim, Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, mbajt kumtesën “Mes universalizmit dhe identitetit kombëtar. Kontributi i bektashizmit në Pavarësinë e Shqipërisë”. Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mbajti kumtesën, “Teqetë në Rilindjen Kombëtare, u kthyen në vatra të mësimit të gjuhës shqipe, për zgjimin kombëtar”.
Vlerësime për aktivitetin bënë dhe Prof. Maliq Gaci, nga Mitrovica-Kosovë, Prof. Kaliopi Naska, pedagoge në univeërsite, Tiranë etj
Në funksion të këtij aktiviteti të mirëorganizuar e mbresëlënës, ishte dhe ekspozita për rolin e bektashizmit në shpalljen e Pavarësisë e ruajtjen e pasurimin e vlerave atdhetare, përgatitur nga Selia e Shenjtë Bektashiane dhe Arkivi Qendror i Shtetit Shqiptar.
Pjesë nga konferenca u dhanë direkt nga disa televizione, ndërsa aktiviteti gjeti pasqyrim të gjerë në median e shkruar e vizive.
Përgatiti faqen: Kujtim BORIÇI