Ditën e sotme, 21 tetor 2021, u zhvillua konferenca rajonale "Rimendimi i Tolerancës Fetare midis Partnerëve të Ballkanit Perëndimor".
Kjo konferencë u mbajt në kuadër të nismës “Drejt një dialogu më të madh ndërkulturor, ndërbesimtar dhe ndërfetar në Ballkanin Perëndimor”, mundësuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe mbështetur financiarisht nga organizata jofitimprurëse donatore DRA dhe Civic Solidarity Platform dhe Zyra Federale e Jashtme e Republikës Federale të Gjermanisë.
Në këtë konferencë morën pjesë, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, njëherësh edhe Kryetar i Këshillit Ndërfetar në Shqipëri, përfaqësues të Komuniteteve Fetare në Shqipëri dhe nga 6 vende të Ballkanit Perëndimor, partnerë të Shoqërisë Civile në rajon, përfaqësues Akademikë, si dhe përfaqësues të Medias si një aktor kyç kontribues në promovimin e paqes, sigurisë dhe rritjen e tolerancës reciproke fetare.
Pjesëmarrësit diskutuan mes tyre pikëpamjet dhe opinionet e tyre mbi situatën dhe nivelin e respektimit të lirisë fetare dhe dialogut ndërkulturor, bashkëpunimin ndërbesimtar dhe ndërfetar midis vendeve të rajonit.
Synimi i kësaj konference është të kontribuojë në promovimin e paqes përmes dialogut ndërbesimtar dhe ndërfetar në Ballkanin Perëndimor duke shkëmbyer jo vetëm opinione dhe përvoja midis pjesëmarrësve përfaqësues të feve të ndryshme, por edhe duke dhënë mesazhe dhe rekomandime mbi temat e diskutuara.
Fjala përshëndetëse e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Të nderuar vëllezër të mij, lider të feve dhe besimeve në Shqipëri!
Të nderuar Shkëlqesi Ambasador, udhëheqës të Komunitetit Shqiptar të Helsinkit, miq dhe të ftuar nga vise të Ballkanit!
Më lejoni që në cilësinë e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, t’ju falenderoj për ftesën dhe lus Zotin e Lartësuar që nisma “Drejt një dialogu të madh ndërkulturor, ndërbesimtar dhe ndërfetar në Ballkanin Perëndimor” të shndërrohet në një realitet të vetëdijshëm shpirtëror dhe njerëzor, në një aksion gjithëpërfshirës, në shërbim të paqes dhe prosperitetit tonë.
Sigurisht kur flasim për rëndësinë e dialogut dhe besimit të ndërsjelltë midis besimtarëve të feve të ndryshme, ne kemi parasysh personalitete individuale dhe kolektive, identitete të larmishëm historik dhe social, kulturor dhe trashëgimi të ndryshme. Gjithsesi, historia njerëzore, ndonëse kaq e ndryshme dhe e larmishme, ka njohur qysh në çastet e para të saj, ndjenjat supreme të besimit në Zot, të cilat udhëtojnë mrekullisht me njeriun sot e kësaj dite.
Sa i përket shembullit të Shqipërisë, unë do të thosha se termi “dialog ndërfetar” nuk është më i gjeturi. E vërteta është se midis besimtarësh shqiptarë, dialogu nuk ka munguar në asnjë rast, por shpesh nismat e përbashkëta, realitetet shpirtërorë të bashkëndarë, si edhe fryma me të cilën janë kapërcyer këto realitete, na bënë të mendojmë për një pranim të drejtë të njëri-tjetrit, në çdo kontekst historik. E shoh me vend të kujtoj në këtë auditor, përcaktimin e mrekullueshëm që na bëri para disa vitesh në Tiranë, Papa Françesku, kur foli për “vëllazëri fetare” midis nesh.
Nëse e konsiderojmë në aspektin e trashëgimisë historike, kjo “vëllazëri fetare” vërtet ka qënë dhe mbetet vullnet i universalitetit të Gjithëmëshirshmit, por nuk mund ta konsiderojmë si diçka e rënë prej qielli. Në themel të kësaj vëllazërie, të kësaj fryme që na ka bërë së bashku, të krishterë dhe myslimanë edhe në kohrat më të vështira, padyshim është devocioni i bësimtarëve ndaj Krijuesit, është shenjtëria e atdheut dhe e kombit, pamvarësisht perceptimeve dhe praktikave doktrinore nga më të ndryshmet.
Në vitin e tetë Hixhri, kur Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi Të, hyri fitimtar në qytetin e Mekës, siç kemi mësuar nga historia e fesë, të gjithë kundërshtarët e tij u trembën prej ndonjë hakmarrjeje. Por Ai, la këtë porosi të vyer kuranore: “O ju njerëz! Vërtet ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë fise dhe popuj që të njiheni me njëri-tjetrin, por s’ka dyshim se tek All-llahu, më i ndershmi prej jush, është ai që është ruajtur nga të këqijat. All-llahu është i dijshëm dhe njeh në imtësi gjithçka.” (Kur’ani, 49-13)
Këtu mendoj se vlen të shihet edhe trashëgimia jonë e mrekullueshme në kontekst të vëllazërisë fetare. Sepse besimtarët tanë, përpara se të shihnin doktrinat apo praktikat ndryshe, janë udhëhequr në çdo etapë të jetës shpirtërore të tyre prej devocionit ndaj Krijuesit. Substanca humane e Islamit, sikundër edhe mëshira kristiane kanë bashkëndarë fatin njerëzor të shqiptarëve, duke na bërë sigurisht më të vendosur përballë tragjizmit historik të Ballkanit.
Është lehtësisht e kuptueshme që zhvillimet njerëzore, nuk mund të anashkalojnë konstitucionin shpirtëror tonin. Teknologjia e sotme marramendëse, përpjekjet për të ndikuar në lartësitë e universeve, strategjitë dhe teknikat robotike, duam apo nuk duam ne, hapin shtigje drejt një shoqërie sekulariste dhe ftojnë brezat e rinj t’i ndjekin nga pas. Është po kaq e domosdoshme që neve, prijësit fetarë (pa kundërshtuar aspak çdo novacion shkencor) të gjejmë mundësi dhe udhë bashkëpunimi, jo vetëm për të afruar besimtarët rreth objekteve tanë të kultit, por edhe rreth njëri-tjetrit, rreth dashurisë së Zotit, e cila do të ishte e aftë të ndërveprojë midis brezave të besimtarëve nga fe dhe besime të ndryshëm.
Askush nga ne sot, nuk mund të kalojë pa një dhimbje të thellë, idenë e ndarjes së besimtarëve në “Ata dhe Ne”. Madje ky fenomen po kaplon çdo ditë e më ndjeshëm shoqëritë perëndimore, pa shpërfillur aspak këtu, ndarjet trishtuese të Islamit, sidomos në vendet e Lindjes së Mesme. Kjo shpërfillje e identitetit, kulturës apo brishtësisë trashëgimore të njeriut (në emër të statusit qytetar apo llogaritjeve numerike të besimtarëve) është në të vërtetë një goditje që i jepet vetë institucionit të besimit dhe pikërisht këtu vlen të jemi kurdoherë së bashku me idetë, vizionet dhe zgjidhjet tona konkrete. Ne kemi qënë dhe mbetemi bij dhe bija të një Zoti të Vetëm.
Nisur nga ky këndvështrim, unë mëndoj se simboli i mrekullueshëm i vëllazërisë apo dialogut ndërfetar në Shqipëri, nuk mund të jetë imun, as ndaj “prurjeve” që sjellin zhvillimet sekulariste dhe as tendencave për politizimin e fesë, apo keqpërdorimin e saj. Ndaj ne vlen të jemi të vëmendshëm sidomos në kuptimin e njohjes dhe respektimit të fesë apo besimit të vëllait që kemi në krahë. Këtë mardhënie e kemi pasur në qendër të vëmendjes edhe në kuadër të veprimtarive të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, duke u përpjekur në çdo rast që besimin në Zot t’a shndërrojmë në një frymë, në një shpresë që tejkalon çdo realitet njerëzor, sado i trishtë të jetë ai.
Edhe një herë, falenderime të përzemërta për organizatorët!
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!