KONFERENCË SHKENCORE PËR VENDOSJEN E QENDRËS BOTËRORE NË SHQIPËRI

Ditën e mërkurë, 24 nëntor 2021, në Selinë e Shenjtë Bektashiane, u zhvillua konferenca shkencore, me temë, ”Konferencë shkencore për vendosjen e Qendrës Botërore Bektashiane në Shqipëri”. Në këtë event të rëndësishëm, merrnin pjesë krerë të besimeve fetarë të Shqipërisë, historianë e teologë të njohur nga vendi e hapësirat mbarëshqiptare, personalitete shtetërore dhe besimtarë të shumtë. Fillimisht, të pranishmit i përshëndeti, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian
“...Ne sot organizojmë Konferencën shkencore për vendosjen e Qendrës Botërore Bektashiane në Shqipëri në kuadrin e 30 vjetorit të rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe, 80 vjetorit të vrasjes së Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Sali Niazi Dede. Me këtë rast, si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, u uroj të gjithë shqiptarëve, kudo ku janë gëzuar ditën e flamurit, ditën e lirisë, ditën e fatbardhësisë së kombit tonë. Unë besoj se ndaj të njëjtën mendim me ju, të gjithë këtu, se dita e lirisë lidhet me jetën dhe veprën e qindra burrave trima dhe të mençur, të cilët me pushkë dhe me penë, çelën shtigje të reja për fatin e kombit tonë. Midis këtyre emrave të ndritur të dëshmorëve dhe ideatorëve të kombit, bën pjesë padyshim edhe emri i kulluar i besimit bektashian, Sali Niazi Dedei. Unë jam i sigurtë se Konferenca shekencore sot, në hulmutimet e kujdesshme të profesorëve dhe studiuesve, do të pasurojë më tej traditën dhe historinë e bektashizmit në Shqipëri dhe më gjerë. Ky bektashi i madh, Kryegjysh Botëror në vitet 1914-1925, ndiqte me vemendje ngjarjet kulmore të vendit të tij, Shqipërisë. Ndonëse ishte në krye të Qendrës Botërore Bektashiane-Turqi, ndonëse mund të bënte përpjekje dhe të merrte nisma për dërgimin e kësaj qendre në vende të ndryshme të botës, ai parapëlqeu që ky gur i shenjtë xhevahiri, të ruhej i tillë, i pastër, i ndritshëm, në Shqipërinë tonë. Është krenari për gjithë shqiptarët dhe vendin tonë që ky burrë e vendosi Qendrën Botërore Bektashiane në Shqipëri. Starja e Kolonjës, vendlindja e këtij kleriku, mendimtari dhe organizatori të shkëlqyer, ka qënë dhe do të mbetet jetë e mot krenari kombëtare. Por, krenarë sigurisht do të jenë edhe dervishët dhe baballarët shqiptarë, të cilët e pritën me dashuri dhe vëllazëri bektashiane dhe së bashku, shtruan detyra të reja në udhën e Pirit tonë të Ndritur, Haxhi Bektash Veliut. Sali Niazi Dede erdhi në Shqipëri 28 janar 1930, me një vizion të qartë dhe plot shpresa se qendra botërore e bektashinjve, duke u vendosur në jug-perëndim të Evropës së krishterë, jo vetëm do të jetonte në paqe dhe bashkëjetesë me besimet e tjerë fetarë, por edhe do të kontribuonte në harmoninë midis feve. Kongresi i tretë i Bektashinjve në teqenë e Turanit Korçë, e kish vendosur që më 26 shtator të vitit 1929, se Qendra Botërore do ishte Shqipëria (sigurisht me marrëveshjet e bisedimet me mbretërinë shqiptare të asaj kohe). Kjo sepse, në thelb të doktrinës bektashiane, ka qënë dhe do të mbetet përjetësisht ideja e madhe sipas Kuranit famëlartë, dashuri dhe vëllazëri, ta duam njeri-tjetrin pamvarësisht ngjyrës, racës, etnisë apo shkallës shoqërore. Në të vërtetë, veprimtaria dhe përpjekjet e tij, treguan se pamvarësisht origjinës, pamvarësisht vendosjes në Tiranë, të Qendrës Botërore Bektashiane, se ky udhëheqës i shquar bektashian, u kujdes me të njëjtin merak, për çdo teqe kudo ku ato ishin, nga Preveza deri në Budapest, nga teqetë e Bosnjës deri në ato të Bullgarisë dhe Selanikut. Në mënyrë të veçantë, kontributi i Sali Niazi Dedes, ishte në ringritjen e teqeve në jug të Shqipërisë. Duke qenë kurdoherë i vemendshëm ndaj ngjarjeve kulmore të kombit tonë, ai pati njohur rrënimin, djegjen dhe shkatërrimin nga themelet, të teqeve bektashiane, në vitet 1913-1914 nga andartët grekë dhe qemalistët,sidomos në Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Skrapar, Kolonjë dhe Gramsh. Me urtësinë, dashurinë që e karakterizonte, plaku ynë i lartë, i urtë, ringriti në fillim të viteve 30, dhjetëra teqe. Këtë ringritje, ai e pa kurdoherë të lidhur ngushtë me dërgimin aty, të dervishëve dhe baballarëve të devotshëm, duke i përgatitur ata me fjalën e ëmbël që futej drejt dhe në shpirt. Ashtu sikundër është shprehur edhe myrshidi im, Haxhi Dede Reshat Bardhi: “Duke përkujtuar vrasjen e Kryegjyshit Botëror Sali Niazi Dedeit, në të vërtetë, ne përkujtojmë përpjekjet dhe sakrificat e qindra klerikëve bektashinj. Deviza jonë: “Pa atdhes’kafe” i ka trembur kurdoherë armiqtë e Shqipërisë. Sali Niazi Dede ka qenë dhe mbetet ideatori dhe ndërtuesi i godinës madhështore të bektashizmit nëvendin tonë. Ai ka qenë dhe mbetet modeli i klerikut me dije të mëdha, me urtësi dhe tolerancë. Ai ka qenë dhe mbetet reformatori i parë i këtij besimi në vendin tonë. Duke e ngritur bektashizmin në nivele të larta përfaqësimi, duke i dhë në këtij frymëmarrje të re”.
Ja si i transmeton Bedri Noyan informacionin rreth dëshmisë për Dede Salih Nijazi, gjatë vizitës së tij në teqenë bektashiane të Gjakovës, nga goja e baba Qazim Bakallit: “Kur kishte ardhur në Shqipëri ishte ftuar nga përfaqësuesi i mbretit italian dhe ata kishin pyetur edhe drejtuesit e tjerë shpirtërore që kanë shkruajtur lavde për italianët dhe mbretërinë, poju nuk do të shkruani? Dede SalihNijazi ishte përgjigjur kështu: “Unë jam udhëheqësi shpirtëror i bektashinjve, nuk jam drejtues i një partie politike, nuk merrem me punë politike.” Kur këmbëngulën që ai të shkruante një shkrim të tillë, ai iu drejtua : “Ne kemi një këshillë drejtuesish, të flas një herë me ta .” Lëreni, mos flisni-kishin thënë italianët dhe të nesërmen e kishin vrarë. Konaku i gjyshit ishte në kopësht, jashtë murit rrethues. Pasi qëndroi pak me dervishët, shkoi të flinte. Në atë çast e kanë sulmuar. Ora e gjendur në teqe dhe e mbartur nga gjyshërit ka qenë në teqe. E kanë marrë dhe kanë krjijuar gjasme një skenë krimi vjedhje. Në të vërtetë, kishin dashur ta nxirrnin në rrugë dhe ta rrihnin, por një dervish kishte dëgjuar zërin e gjyshit dhe kishte shkuar në ndihmë, por edhe atë e kishin goditur.” 80 vjetmë parë, duke qëlluar mbi Sali Niazi Deden, dora vrastare qëlloi mbi atdhetarin e lartë, po aq sa mbi klerikun e lartë. Në thelb, shqiptarizmi i Sali Niazi Dedesë, ishte i lidhur organikisht me besimin e mrekullueshëm që ai përfaqësonte dhe udhëhiqte. Këtë kontribut madhor tonin, e kanë dëshmuar situatat, e dëshmojnë brezat sot dhe do të flasin brezat që do të vijnë. Unë jam i sigurtë se duke përkujtuar sot, Sali Niazi Deden ne respektojmë jo vetëm jetet e qindra baballarëve tanë, por përcjellim mesazhe të fuqishëm të paqes dhe bashkëjetesë sfetare, në të gjithë botën kujetonë e punojnë bektashinjtë. Zoti jubekoftë të gjithëve! Amin!“.
Pas kryegjyshit Bektashian, përshendetën: Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, Taulant Bica; Kryetari i Komunitetit Ortodoks, përfaqësuesi i Komunitetit Katolik dhe Komuniteti ‘Vëllazëria Ungjillore“, Ylli Doçi.
Në vazhdim, studjuesit mbajtën kumtesat e tyre: Prof. Dr. Ferit Dukame “Një vështrim historik mbi bektashizmin shqiptar në periudhën osmane“; Prof. Dr. Valentina Duka: “Komuniteti bektashian në Shqipëri midis dy luftrave botërore”;
Prof. Dr. Migena Leskoviku: “Legjislacioni i periudhës së Zogut për komunitetet fetare dhe evoluimi deri më sot.“; Prof. Bardhosh Gaçe, me “Ardhja e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Sali Niazi Dede, në Shqipëri“; Prof. Asoc. Enriketa Pandelejmoni (Papa), me “Shteti komunist dhe politika represive ndaj klerit bektashi në Shqipëri“; Prof. Kalliopi Naska me "Roli i sistemit demokratik në këto 30 vjet që solli rihapjen e bektashizmit në Shqipëri dhe në botë".
Në vazhdim, pjesëmarrësit e shumtë, ndoqën së bashku një ekspozitë të pasur fotografike.
Gjithashtu, aktiviteti u ndoq dhe u pasqtrua gjerësisht dhe në televizionet e medien e shkruar, të pranishëm në këtë event.
(Fotot: Nuri Çumani)

Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI