Besimtarët bektashinj të Vlorës, kanë kremtuar ditën e djeshme, festën e Ashures, e cila konsiderohet si dita më e rëndësishme për ta. Në këtë ceremoni, mori pjesë e përshëndeti edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Në orën 11:00, në sheshin përpara teqesë së njohur të Kuzum Baba, ku u bë aktiviteti, kishin ardhur myhibë e besimtarë të shumtë nga Vlora e rrethinat e saj; klerikë bektashianë nga gjyshatat e vendit, At Konstandin Prifti i Komunitetit Ortodoks në Vlorë; përfaqësues të besimeve të tjerë fetar në këtë qark si dhe miq e dashamirës.
Në përshëndetjen e rastit, Kryegjyshi Botëror Dede Edmond Brahimaj, uroi e bekoi pjesëmarrësit, duke evokuar shembullin e martirëve të Qerbelasë e duke dhënë mesazhe paqe, dashurie e uniteti. “...Si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, ju përshëndes e bekoj ju vëllezër klerikë bektashian e besimeve të tjerë fetarë, myhibë, drejtues vendorë dhe miq që keni ardhur në kremtimin e ritit tradicional të Ashures, këtu në teqenë me histori të Kuzum Babait në Vlorë. Sa më tepër kalojnë vitet, ngjarja tragjike e Qerbelasë e gjaku i martirëve të saj, përherë e më shumë bëhen për ne shembull në udhën tonë të Hakut. Për më tepër, në këto situata të vështira që po kalojmë, ekonomike, shoqërore e me vatra kërcënuese lufte në Europë e më gjerë, kërkohet që ne bektashinjtë, ashtu si në traditën tonë tetë shekullore, të jemi në kahjen e duhur, të reflektojmë dashuri, unitet, solidaritet vëllazëror, pa qe, mirësi e adhurim dhe shpresë tek Zoti Fuqiplotë, në mënyrë që jeta ti kthehet sa më shpejt normalitetit. Është rasti këtu që të falënderoj të gjithë vëllezërit e mijë klerikë bektashianë që panë punuar në teqenë e Kuzum Babait ndër vite e dekada, të përshëndes sekretarin e Gjyshatës Alfred Lila, për përpjekjet e vazhdueshme në krijimin e kushteve sa më të mira në këtë teqe dhe objektet bektashiane të kësaj gjyshate.
Ju uroj e bekoj ju e familjet tuaja, paçi mirësi e shëndet gjithmonë! Zoti u bekoftë! Amin!”-pohoi mes të tjerave në përshëndetjen e Tij, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Pas ceremonisë, festa bektashiane vazhdoi në drekën e përgatitur me këtë rast.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin dhe përfaqësues të medies, të cilët pasqyruan gjerësisht në televizione, radio e gazeta, festën e Ditës së Ashures në gjyshatën e Vlorës.
Përgatiti:
Xhorxhi Çullhaj