Ditën e diel, më 21 janar 2024, është përkujtuar në Lushnjë, 104-vjetori i Kongresit Kombëtar të Lushnjës. Në këtë aktivitet, merrte pjesë dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj; Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, autoritete të larta të shtetit, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të komuniteteve fetare, kulturës dhe artit, medias dhe qytetarë të shumtë.
“Kongresi Kombëtar i Lushnjës, i mbajtur 104 vite më parë, u mblodh në një situatë kritike, duke materializuar një përpjekje të madhe të patriotëve e klerikëve atdhetar shqiptar, për mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë së vendit. Mbledhja e zhvillimi i këtij kongresi, pati dhe mbështetjen e klerikëve bektashianë, pasi ai dhe qëllimi i tij, materializonin devizën tonë bektashiane, ‘Pa atdhe, nuk ka fe’. Ky kongres i rëndësishëm, vendimet e tij dhe mesazhet që u dhanë, mbetën e do të jenë aktuale ndër breza, ndërsa përkujtimi i ngjarjeve të tilla madhore, janë vlerësim për personalitetet e kohës, atdhetarët dhe identitetin tonë kombëtar! ” – tha ndër të tjera Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.
Kujtojmë se në Kongresin e Lushnjës, merrnin pjesë dhe klerikë bektashian, si delegatë dhe në grupin e organizatorëve.
…Kongresi i Lushnjës, që njihet si një ngjarje e madhe e historisë së kombit tonë u mbajt prej 21-deri më 31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Gjatë ditëve të punimeve Kongresi zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina.
Kongresi i zhvilloi punimet në shtëpinë e patriotit lushnjar, Kaso Fuga. Në atë Kongres morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria. Qëllimi i Kongresit ishte studimi i situatës së brendshme dhe të jashtme të vendit dhe masat që duhet të merreshin për shpëtimin nga rreziku i copëtimit të Shqipërisë. Delegateve u uroi mirëseardhjen ne Kongres, Ferit Vokopola që ishte delegati i Prefekturës së Beratit, Lushnjës dhe Skraparit. Pas Vokopolës, fjalën e mori patrioti i famshëm i asaj kohe, Aqif Pashë Elbasani. Aqif Pasha ju përgjigj shkurt të gjitha pyetjeve të bëra nga delegatët duke mbyllur kështu ceremoninë e hapjes së Kongresit.
Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ