KRYEGJYSHI BOTËROR BEKTASHIAN, DEDE EDMOND BRAHIMAJ, FESTON 65-VJETORIN E DITËLINDJES. BASHKIA E LIBRAZHDIT I JEP TITULLIN: ‘QYTATAR NDERI I LIBRAZHDIT’.

-Kryegjyshit Botëror Bektashian, titulli i dorëzohet, nga Kryetari i Bashkisë Librazhd, z. Mariglen Disha-

Ditën e diel, 19 maj 2024, në mjediset e Odeonit të Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë, u zhvillua një ceremoni, për 65-vjetorin e ditëlindjes së Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Ndërsa dorëzimi në këtë ceremoni, i titullit “Qytetar Nderi i Bashkisë Librazhd”, nga Kryebashkiaku Mariglen Disha dhe Kryetari i Këshillit Bashkiak Librazhd, Mitat Biçaku, ishte një surprizë jo vetëm për Kryegjyshin, por për gjithë të pranishmit e shumtë që kishin ardhur për urim këtë të diel.
Përveç myhibëve e besimtarëve të shumtë, drejtues vendorë e të institucioneve të rëndësishme, ishin të pranishëm dhe Ermira Urupi, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Elbasan; Majlinda Perriu, Prefekti i Qarkut Elbasan; Engjëll Musai, Kryetar i Shoqatës ‘Tomorri’; Veli Myftari, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ; Kreu i Tarkiatit Kadri, Shehj Bujar Harasani. etj…
Në fillim, moderatori i aktivitetit, Bujar Asqeriu ftoi të pranishmit, për të shoqëruar Himnin Kombëtar dhe Himnin Bektashian. Pastaj u ndoq një dokumentar, i përgatitur me këtë rast, përgatitur nga Ferdinand Samarxhi, ‘Nderi i Kombit!’.
PËRSHËNDETJA E DEDE EDMOND BRAHIMAJT
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, mëshirëbërësit! Të nderuar të pranishëm, myhibë, besimtarë, dashamirës, të ftuar e klerikë vëllezër të mijë, Jam i nderuar e privilegjuar që me pjesëmarrjen tuaj e keni bërë këtë ditë të 65-vjetorit të ditëlindjes më të veçantë e domethënëse me praninë tuaj. Në thelb, nuk është me rëndësi çfarë ne kemi në jetë materialisht, por cilët janë ata që vërtetë kanë rëndësi për ne, e lënë gjurmë në jetën tonë. Ai që jam sot i dedikohet dy figurave emblematike, shumë të dashur për njerëzimin, thesare të vendit tonë, e jo vetëm, Dede Ahmet Myfatari, Dede Reshat Bardhi. Në kujtimet e mia titulluar ‘Nefes’ i jetës sime, që së shpejti do të bëhet i njohur për dashamirësit e bektashizmit, është shkruar me detaje çdo copëz e bukur nga fëmijëria ime kur takoja Babamadhin, e çdo grimcë nga jeta studentore kur takoja Dervish Reshatin në atë kohë, aq shumë të dashur për familjen tonë e gjithë myhibët dashamirës të bektashizmit. Janë këto figura të larta që shënjuan në zemrën e jetën time dëshirën për të ndjekur rrugën e ndritur të bektashizmit duke i ardhur në ndihmë çdo besimtari e gjithë njerëzimit. Mendoj se rruga që po ndjek herë me vështirësi e pengesa edhe për shkak të evoluimit global, ndikimeve të tërthorta, që shpesh ndodh të godasin vetveten dhe ata që i iniciojnë, por asnjëherë nuk kam menduar të shkel pavarësinë e vërtetësinë që karakterizon bektashizmin tonë. Kanë qenë e janë të shumtë dashamirësit e Kryegjyshatës, të mijë, të njëri tjetrit, myhibë, besimtarë bektashinj e jo vetëm që i janë përgjigjur nevojave të saj pa kërkuar gjë mbrapsh por zemra e tyre e bardhë ka vrapuar për t’ju ardhur në ndihmë shenjtorëve duke i përkujtuar, e aktiviteteve duke i nderuar, i falënderoj pa masë. Jam i nderuar për vëllezërit e mijë klerikë e bashkëpunëtorët në punët që çojmë përpara çdo ditë. Ndërtime të reja të teqeve dhe tyrbeve në të gjithë Shqipërinë, restaurime, muze të reja të bektashizmit ,mbarëvajtje e punëve klerikale që i hapin dyert e bektashizmit çdo besimtari e janë në nder të bektashizmit. Punët e çdo dite në Kryegjyshatë në 13 vitet e mia në krye të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane e bektashizmit vazhdojnë me ritme si në ditën e parë timen në këtë post. Jemi të përkushtuar e besimplotë që çdo besimtar të gjejë portën e hapur e ngrohtësi shpirtërore, të ndjehet krenar për besimin që e identifikon me punën e pareshtur në muzeun bektashian, të pasuruar e me element unikal, simbole klerikale e religjioze. Kartelizimi, inventarizimi e dixhitalizimi me qëllim regjistrimin në Institutin Kombëtar te Kulturës të çdo objekti e simbolike vendosur me aq shumë përkushtim e përgjegjësi në muzeun tonë . Po ashtu me bibliotekën e pasuruar e inventarizuar sipas standardeve europiane, çdo ditë e më shumë e me dy salla të shtuara që i vijnë në ndihmë Gjyshatave e çdo studiuesi tashmë edhe ndërkombëtar, duke qene edhe pjesë e resilience të BE si institucion. Arkiva e bektashizmit, duke filluar nga protokollimi i rregullt i praktikave shkresore, arkivimi i tyre sipas strukturës së miratuar, inventarizimi kompjuterik dhe daktilografik e mandej dixhitalizimi i tyre. Mbarëvajtja e rregullt e aktiviteteve sipas kalendarit bektashian në të gjithë Shqipërinë për të mbajtur ndezur bektashizmin në zemrat e besimtarëve edhe në zonat më të largëta. Puna me përkushtim i revistës “Urtësia” duke pasqyruar aktivitete, konferenca kombëtare e ndërkombëtare, aktualitete, pjesë nga Kurani i Shenjtë etj, aktivitete, mevlude, përkujtimore në nder të klerikëve tanë të Shenjtë në gjuhën shqipe dhe lexim arabisht të Kuranit. Restaurim dhe daktilografim i librave të vjetër por të vyer që i shërbejnë besimit tonë. Regjistrimi i besimtarëve bektashi anë e kënd Shqipërisë, individualisht, familjarisht, me nr identifikimi e duke i firmosur personalisht çdo besimtar. Ceremonitë e Shenjta, Sulltan Novruzi, Ditët e matemit, Ashure si ceremonitë që shënjojnë besimin tonë i jemi përkushtuar çdo vit e organizimi ka marrë jehonë mediatike, kombëtare e ndërkombëtare. Puna e pareshtur që bëhet çdo ditë në Kryegjyshatë e për Gjyshatat për ti dhënë përgjigje çështjeve të pronësisë, atyre gjyqësore, të projekteve të reja ndërtimore, procedura e afate ligjore, tarifa, taksa, thelbi është që ky institucion të ketë identitetin dhe seriozitetin e merituar. Historia e arkivit të fotove e filmimeve tregon vërtetësinë e këtij besimi, në Kryegjyshatë punohet çdo ditë, për arkivimin, skanimin, montazhimin, e ruajtjes së tyre në pajisje të standardeve tepër cilësore edhe për brezat e ardhshëm. Nefeset e bukura që tregojnë shumë për bektashizmin tonë janë të përmbledhura tashmë, e puna vazhdon për çdo melodi e tingull që është kënduar e shkruar nga baballarët tanë. Puna e parreshtur me përkthime, redaktime të autorëve shqiptarë e të huaj që kanë shkruar për bektashizmin, në greqisht, turqisht, anglisht, spanjisht, arabisht etj. Pasqyrimi çdo ditë të aktiviteteve, ceremonive fetare, të reja për bektashizmin në faqen tonë zyrtare të internetit që vizitohet nga mijëra persona anë e kënd botës. Përpjekjet e vazhdueshme së Kryegjyshata Botërore Bektashiane të marrë statusin e veçantë të qendrës botërore e të njihet me juridiksion të veçantë, të bëra ndaj shtetit Shqiptar e ndërkombëtarëve. Bashkëpunime me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë, në disa çështje thelbësore për mbrojtjen e familjes, të drejtat e njeriut, të besimit, të drejtën e jetës, në projektligje të propozuara për miratim nga Kuvendi . Marrëdhëniet e shkëlqyera me ndërkombëtarët e dokumentuar kjo me korrespondencën dhe përshtypjet e tyre të lëna me shkrim në librin e përshtypjeve e të arkivuara në arkivin e Kryegjyshatës. Takime të vazhdueshme, të përditshme me zyrtarë të lartë të shtetit Shqiptarë për probleme të pronave, ligjit që herë-herë, cënon të drejtat e komuniteteve fetare. Puna e bashkëpunimi intensiv me Gjyshatën e Kosovës përpjekjet e vazhdueshme deri në finalizimin e regjistrimit të bektashizmit me ligj të veçantë në Kosovë. Mbarëvajtje e punëve me Gjyshatën në Maqedoni e përpjekjet e vazhdueshme për regjistrimin e bektashizmit pavarësisht pengesave. Drita e bektashizmit gjithmonë ka ndriçuar pastër pavarësisht pengesave, shenjtëria e punëve të mira mbijeton e kalon çdo sfidë e pengesë. E shpresoj, lutem, e i kërkoj Zotit të Lartë të na lehtësojë çdo sfidë, e të na ndihmojë në çdo pengesë që së bashku, bashkëpunëtorë, punonjës, dashamirës të bektashizmit, vëllezërit e mijë klerikë, myhibët tanë, të qëndrojnë krah Kryegjyshatës, të gjithë bashkë do mbajmë ndezur këtë dritë të së vërtetës, lartësimit të njeriut, respektit të së drejtave njerëzore dhe jetës. Vizioni im për institucionin aq shumë të dashur për të gjithë bektashinjtë dhe jo vetëm, kombëtarisht e ndërkombëtarisht, është Statusi dhe juridiksioni i njohur i pavarur i Qendrës Botërore Bektashiane, kombëtarisht e ndërkombëtarisht. E ardhmja varet nga punët dhe mundi i të tashmes, e lobimi, propaganda ime personalisht është e pareshtur si në Bruksel në institucionet e BE deri në Departamentin e Shtetit Amerikan, përkrahja e të cilëve ka qenë kurdoherë. E në përfundim doja të falënderoja të gjithëve ju, sot që në ditëlindjen time më nderuat, respektuat e shprehët dashamirësi për figurën time, qofshi përherë të nderuar nga Zoti. Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!
DHËNIA E TITULLIT, “QYTETAR NDERI I LIBRAZHDIT”
…I vjen radha, surprizës së kësaj dite. Në skenë u ngjit Kryetari i Bashkisë Librazhd Mariglen Disha dhe Kryetari i Këshillit Bashkiak, Mitar Biçaku, të cilët i dorëzuan Kryegjyshit Botëror, Dede Edmond Brahimajt, titullin, “Qytetar Nderi i Librazhdit”.
Në momentin e dorëzimit të titulli, Kryetari i Bashkisë Librazh, z. Mariglen Disha, ndër të tjera, tha: “…I nderuar Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj. Të nderuar të pranishëm në këtë ceremoni modeste e shoqërore, të ditëlindjes së Dede Edmond Brahimajt! Kam kënaqësinë si përfaqësues i Bashkisë Librazhd t’iu uroj gëzuar ditëlindjen, edhe 100 të tjera në përmbushjen e misionit tuaj. Kam nderin Tu dorëzoj në emër të qytetarëve të Librazhdit, Titullin e lartë, “Qytetar Nderi i Librazhdit”. Si një trevë ku ju keni punuar e jetuar disa vite, Librazhdi ka vlerësuar vazhdimisht karakterin e punën tuaj si intelektuale, tani në vijimësi si klerik; kemi vlerësuar e do të vlerësojmë kontributin tuaj konkret, mbështetjen e projekteve për artin dhe kulturën e Librazhdit, dhe ju jemi mirënjohës. Ta gëzoni titullin “Qytetar Nderi i Librazhdit”, i cili u bashkëngjitet dhjetëra titujve e mirënjohjeve të tjera zyrtare, kombëtare e ndërkombëtare, që u janë akorduar.
Pas marrjes së titullit, i emocionuar dhe falënderues, Kryegjyshi Botëror, ndër të tjera, u shpreh i befasuar dhe nëpërmjet emocioneve, falënderoi Këshillin Bashkiak dhe banorët e Librazhdit për dhënien e këtij titulli. Njëkohësisht, ai tregoi dhe disa mbresa të shkurtra interesante, gjatë kohës që ka qëndruar e punuar në Librazhd.
AKTIVITETET
Ashtu si në takimet e shumta të zhvillyuar gjatë gjithë ditës me Kryegjyshin, urimet dhe fjalët e zemrës, nuk munguan dhe në ceremoninë mbresëlënëse shoqërore, nga personalitetet e ardhur. Përshëndetën Kreu i Tarikatit Kadri, Prof. Bujar; Ermira Urupi, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Elbasan etj. Ndërsa aktori Bujar Asqeriu, recitoi disa poezi bektashiane, që ja shtuan më tej emocionet dhe vlerat e këtij takimi miqësor.
Miqtë e shumtë që erdhën për të uruar në këtë ditë, krahas bisedave të ngrohta me Dede Edmond Brahimajn, vizituan mjediset e Selisë së Shenjtë, ato të Odeonit të Bektashinjve, muzeun, bibliotekën, arkivin, filmotekën, galerinë e artit ‘Omer Kaleshi’ etj. Një interes paraqiti për miqtë, ekspozita fotografike me stenda të shumta, të përgatitur me këtë rast, ku evidentohet jeta dhe puna e kryegjyshit Botëror Dede Edmondi dhe e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, evente të rëndësishme të këtij besimi të paqtë në tri dekadat e fundit).

Përgatitën:
N. ÇUNI
K. BORIÇI

Fotot: Nuri ÇUMANI