Ditën e djeshme, më datë 16 gusht 2022, Gjyshata Bektashiane e Korçës, nën kujdesin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ka organizuar ceremoninë tradicionale, me rastin e festës së Ashures. Kanë marrë pjesë në këtë aktivitet, Kryetari i Bashkisë Korçë, z. Sotiraq Filo, autoritetet të larta, drejtues të komuniteteve fetarë në Korçë, besimtarë si dhe të tjerë të pranishëm.
Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj në fjalën e rastit ndër të tjera u shpreh: “Festa e Ashures, është një ceremonial i thjeshtë në dukje, por i pa zëvendësueshëm për traditën tonë bektashiane… Kemi agjëruar së bashku nëntë ditë të matemit, kemi biseduar e përcjellë së bashku ngjarjet tragjike të Qerbelasë. Kemi kujtuar dhe sjellë ndër mend aktin sublim të 72 dëshmorëve dhe kalorësin e pavdekshëm Imam Hysenin, paqja qoftë mbi ‘Të. Kemi parë dhe kemi folur se deri në çfarë mase mund të shkojë djallëzia dhe ligësia njerëzore e trupëzuar tek Jezidi dhe Mavija. Mallkimi i Zotit të Lartë i përcjelltë ata dhe ndjekësit e tyre! Dhe apeli jonë mbetet, më shumë mirësi, paqe dashuri e unitet mes njerëzve, pa dallim race, ngjyre, ideje apo feje”.
Gjithashtu, për të gjithë të pranishmit u shpërnda ashure, e cila është ëmbëlsira e posaçme, që merr emrin e kësaj dite.
Festa të tilla bashkojnë jo vetëm besimtarët, por mbarë njerëzit, ndaj është e rëndësishme që ato të kalohen në harmoni dhe me personat e dashur.
Përgatiti:
Xhorxhi ÇULLHAJ