Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, merr pjesë në përkujtimin e themelimin e teqesë së baba Xhemalit dhe përvjetorin e ndarjes nga jeta të baba Sherif Canometaj

Ditën e sotme, 16 shkurt 2021, Kryegjyshi Botëror Bektashian, ishte në Gjyshatën e Elbasanit, ku mori pjesë në përkujtimin e dy ngjarjeve të rëndësishme, themelimin e teqesë së Baba Xhemalit (themeluar nga baba Ali Horasani në shekullin e 17-të) dhe 27 vjetorin e kalimit nga kjo jetë të baba Sherif Canometajt. Kryegjyshi Botëror u prit dhe u shoqërua në ritet tradicionale përkatëse nga baba Faik Selmani. Krahas besimtarëve të shumtë, në këtë event që u përkujtua në masa të plota ruajtëse për shkak të Covid-19, ishin dhe klerikët baba Sadik Kodheli, baba Avdul Shehu, dervish Ardit Selmani e klerikë të tjerë.

Teqeja e baba Xhemalit
Baba Xhemali (ndërroi jetë në vitin 1862), ishte nga të parët që përhapi doktrinën bektashiane në Elbasan, por dihen pak të dhëna për të ( e vranë se donin të rrëmbenin pasurinë e teqesë).  Në regjistrat e vjetër të Vakfit figuron për truallin e saj se “Teqja e baba Ali Horasanit ndodhet në anën e lumit Shkumbin, pranë tyrbe së Goces. Për shumë kohë teqeja e baba Ali Horasanit nuk funksionoi. Ajo e mori emrin teqeja e baba Xhemalit, (një turk, erdhi në Shqipëri, në vitin 1925), mbas mbylljeve të teqeve në Turqi. I njohur si baba me përvojë në teqetë e Turqisë, Haxhi Bektash, Stamboll, Bagdad, dijetar me kulturë të lartë. Ai, në Elbasan ringriti nga themelet teqenë e vjetër të baba Ali Horasanit mbi rrënojat e saj dhe tyrben e baba Ali Horasanit, në vitin 1929. Punoi me përkushtim për bektashizmin, mbajti lidhje me teqetë e tjera në Elbasan, Gramsh, Krujë, Martanesh, Kryegjyshatën Botërore në Tiranë. Ndërroi jetë më 28. 09. 1949 dhe u varros në tyrben e Baba Ali Horasanit. Vazhduan drejtimin e teqesë klerikët: baba Ali Riza Qazimi ( 1949-shtator 1953); baba Sherif Canometaj (1953- tetor 1958); dervish Myrtezai,  deri në vitin 1965. Godina është dy katëshe, drejtkëndëshe me mur guri. Ka dhomat e mejdanit, dhoma e pritjes dhe bisedave, ashefin etj. Ka oborr dhe një bahçe me pemë frutore. Pranë saj është ndërtuar tyrbja me portë hyrëse dhe kupolë të traditës bektashiane. Në vitin 1967, teqeja u mbyll dhe u kthye në institucion shtetëror. U rihap nga baba Sherif Canometi më 14 qershor 1993. Baba Sadik Ibro drejtoi teqenë ( vitet 1994-2006) dhe  aktualisht nga baba Faik Selmani e dervish Admir Selmani…

Baba Sherif Canometaj
Baba Sherif Canonetaj ka lindur më 4 gusht të vitit 1908 në lagjen Carromet,  të fshatit malor të Zhapokikës-Tepelenë, në një familje me tradita bektashiane. Familja e tij e mëkoi me dashurinë ndaj Zotit dhe Atdheut. Në moshën 11 vjeç, lexonte lirshëm në shqip dhe arabisht. Në moshën 27 vjeçare, në vitin 1935, merr dorën ‘dervish’, në teqenë e Koshtanit, nga baba Shefqet Koshtani; në vitin 1943, nisi kursin për dervish në Kryegjyshatë, por për arsye të luftës, kursi u ndërpre. E rifilloi dhe kreu kursin dyvjeçar për dervish në Kryegjyshatën Botërore bektashiane, në vitet 1945-1946. Baba Sherifi mësoi edhe me mësues privat, me Hafiz Ali Korçën, i cili qëndronte për çdo vit, dy-tre, muaj në teqenë e Madhe Elbasan. Po ashtu, mësoi në filozofi, letërsi, dhe gjuhë të huaja në arabisht, persisht, turqisht dhe italisht. Më 4 nëntor të vitit 1948, u emërua nga dede Ahmeti  baba në teqenë e Greshicës. Më pas ka lëvizur në teqenë e Çorrushit, Mallakastër, në teqenë e Zallit; në Kryegjyshatë; në teqenë e baba Xhemalit në Elbasan; në teqenë e Martaneshit dhe në vitet 1960-1964, në teqenë e Prishtës-Skrapar. Më pas shkoi në teqenë e Madhe në Elbasan, ku qëndroi deri në vitin 1967. pas kësaj u mor me tregti, shiste cigare për 23 vjet dhe banonte në Elbasan. Ai njihet me disa mbiemra, si: Carrometi, Canometi, Hajdini, Shabani, Cani dhe Elbasani. Në Elbasan, në apartamentin ku banonte, kishte vendosur mbi derën e shtëpisë mbishkrimin “Teqe”, mbiemrin Canometi dhe i pëlqente të thoshte, se ‘jam nga Zhapokika e Tepelenës’, ‘kam lindur në Canometaj’. Gjatë shërbimit si klerik, me punën e tij, kulturën e gjerë që zotëronte dhe respektin që gëzonte nga të gjithë klerikët dhe besimtarët bektashianë, por edhe në popull, arriti të merrte të gjitha gradat e klerikut bektashian. Në vitin 1965 u bë Halife. Ai la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën popullore dhe bektashizmit. Janë këto vlerë që e lartësojnë figurën e këtij shenjtori. Baba Sherifi mbetet një figurë e shquar e bektashizmit.

Përgatitën:
Nuri  ÇUNI
Kujtim BORIÇI

Rreshti i parë – ulur, Baballare të teqes së bektashinjve Elbasan, i pari majtas – Baba Mustafai (Teqja e madhe Elbasan), Baba Xhemali dhe Baba Rizai