KRYEGJYSHI BOTËROR BEKTASHIAN, DEDE EDMOND BRAHIMAJ, MERR PJESË NË PRITJEN E ORGANIZUAR ME RASTIN E PËRVJETORIT TË FESTËS KOMBËTARE TË KATATRIT

Ditën e hënë, më 12 dhjetor 2022, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mori pjesë në pritjen e organizuar nga ambasadori i shtetit të Katarit në vendin tonë, Ali bin Hamad Al-Marri, me rastin e përvjetorit të festës kombëtare (18 dhjetor), ditë në të cilën, themeluesi i shtetit modern të Katarit, Shejh Xhasim Bin Muhamed Bin Thani, mori drejtimin e vendit.
Ky aktivitet u zhvillua në ambientet e Hotel “Mak Albania”, me pjesëmarrjen e të shumë personaliteteve të lartë, ambasadorëve, udhëheqësve shtetërorë e fetarë, miq e të ftuar të tjerë.
Kryegjyshi Botëror, ndër të tjera vlerësoi përvojën e Ambasadorit në vendin tonë dhe shprehu besimin se përpjekjet e tij do t’i shërbejnë forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Selisë së Shenjtë Bektashiane dhe Shtetit të Katarit.
Gjithashtu Kryegjyshi i shprehu mirënjohjen Ambasadorit edhe për mbështetjen, ndihmën e vyer teknike e financiare të programeve zhvillimore të dhëna ndër vite nga Katari për Shqipërinë dhe popullin shqiptar.
Në mënyrë të veçantë, mbështetjen e dhënë gjatë përballimit të krizës së Kosovës në vitin 1999, por edhe për përballimin e fatkeqësive të tjera natyrore dhe vështirësive sociale në zona të ndryshme të vendit.