Me rastin e përvjetorit të 17-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, nëpërmjet një mesazhi, uron e bekon popullin e Kosovës e shqiptarët kudo që janë, dëshmorët e luftës për liri e familjet e tyre, luftëtarët që me armë në dorë sollën këtë ditë të shënuar për kombin tonë, duke dëshiruar për të gjithë, besim të palëkundur tek i Madhi Zot, paqe, harmoni, dashuri njerëzore dhe kombin.
Në këtë mesazh të Dede Edmond Brahimajt, ndër të tjera Thuhet: “Me rastin e 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës, uroj e bekoj nga zemra të gjithë ata që punuan e luftuan për këtë ditë të shënuar për kombin shqiptar, dëshmorët e kësaj lufte të lavdishme që derdhën gjakun për lirinë, familjarët që humbën në këtë luftë njerëzit e tyre të shtrenjtë, luftëtarët që sollën këtë ditë, aleatët që iu gjendën pranë dhe ndihmuan kombin shqiptar për ardhjen e kësaj lirie, si dhe gjithë miqtë e dashamirësit në mbarë globin që mendojnë e punojnë për paqen botërore, për dashuri e mirësi, që me forcimin e dashurisë tek i Madhi Zot, bëjnë gjithçka për ditë më të mira për njerëzimin.
…Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Brezat duhet ta kujtojnë e nderojnë këtë ditë të shënuar, si një ngjarje të rëndësishme për kombin shqiptar. Zoti u bekoftë! Amin!”
* * *
SHPALLJA E PAVARËSISË SË KOSOVËS
…Më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39, Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Në një mbledhje ku morën pjesë 109, nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Ndër të tjera, në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, thuhet: ”Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”.
Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme. Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 22 korrik 2010, Gjykata konstatoi se Deklarata e Kosovës për Pavarësi, nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë, deri në qershor të vitit 1999, qytetarët vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit. Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së trupave ndërkombëtare në Kosovë, në nëntor 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar. Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, ky vend administrohej nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK dhe institucionet demokratike të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria. Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit, disa herë përmendej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë. Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Marçi Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit te pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008.
Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi përmes vendimit këshillëdhënës se Pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.
Shpallja e pavarësisë ishte bërë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, si dhe nga Presidenti i
Kosovës në takimin e mbajtur në Prishtinë, kryeqytetit të Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008. Versioni origjinal i papirusit të deklaratës është nënshkruar nga delegatët po atë ditë. Teksti i deklaratës në gjuhën shqipe është i vetmi tekst autentik.