Ditën e premte, 7 tetor 2022, teqenë bektashiane të Kuzum Babait e vizitoi një grup studiuesish gjermanë, ku u pritën edhe nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Kryegjyshi i njohu studiuesit me udhëtimin shpirtëror të bektashinjve prej vitit 1930, kur Qendra Botërore u vendos në Tiranë dhe deri më sot si dhe u bëri me dije gjithashtu, për sakrificat e panumërta të klerikëve bektashinj, kontributin e tyre, për evidentimin, pasurimin e ruajtjen e vlerave bektashiane. Veçanërisht, ai u ndal në detaje tek historiku i teqesë së lashtë të Kuzum Babait.
Ai u pohoi ndër të tjera se, teqeja e Kuzum-Babait ka luajtur një rol të spikatur jo vetëm në Vlorë e rrethina por edhe në Mallakastër, duke shpërndarë përmes klerikëve të saj, frymën bashkëpunuese dhe duke u përpjekur të organizojë e drejtojë ritet bektashiane, bazuar në kodet zakonorë dhe ligjësitë e ardhura prej urtësisë së Ballëm Sulltanit. Doktrina bektashiane u ruajt në këtë gjyshatë me kujdesin më të madh dhe klerikët që shërbyen këtu, e pasuruan traditën me parimet më të larta njerëzorë. Teqetë e Vlorës sikundër ato të gjithë Shqipërisë, së bashku me besimin e palëkundur në Zot, ushqyen në brezat e besimtarëve, ndjenjat më të pastra të lirisë individuale dhe pavarësisë sonë kombëtare.
Në fund, grupi i studiuesve gjermanë u impresionuan nga sa panë dhe u informuan, duke shprehur njëkohësisht dhe vlerësimin për misionin dhe përpjekjet e besimit bektashian dhe i uruan Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, jetë sa më të gjatë në këtë rrugëtim dhe detyrë të Shenjtë.
Ndër dekada, teqetë bektashiane kanë qenë vatra mikpritjeje për besimtarë, studiues të ndryshëm, personalitete, intelektualë, dashamirës të shumtë etj.
Si në të kaluarën, ashtu edhe sot, parimi bektashian zgjon për të grumbulluar dije, për ta arkivuar atë në biblioteka e arkiv, për ta ruajtur për gjeneratat e ardhshme dhe për ta shpërndarë sa herë të ketë nevojë.