Nëpërmjet një mesazhi, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, uron besimtarët myslimanë, për nisjen të shtunën, të Muajit të Madhërishëm të Ramazanit. Në këtë mesazh, ndër të tjera, Dede Edmond Brahimaj, uron për më shumë shëndet, lumturi, harmoni, dashuri, vëllazëri dhe, besim e shpresë tek i Madhi Zot, në mënyrë që të rikthehet sa jeta normale, e rënduar këto kohë si nga problemet sociale e ekonomike që po kalojmë, por dhe pasojat e luftës vrastare që po zhvillohet në Ukrainë.
Kryegjyshi Botëror Bektashian, ndër të tjera, në mesazh thekson: “...Të nderuar besimtarë mysliman! Si Kryegjysh Botëror Bektashian, kam kënaqësinë edhe nderin që t’u uroj të gjithëve: Gëzuar Muajin e begatë e të Madhërishëm të Ramazanit! Paçi agjërim të lehtë dhe të pranuar, paçi shëndet, lumturi, harmoni dhe begati në familjet tuaja dhe, Zoti i Madh ju ndihmoftë për ta përmbushur atë më së miri! Ky Muaj i Madhërishëm, jo vetëm lartëson shpirtin dhe e pastron atë nga veset, por kthjellon mendjen e rikthen gëzimin. Ramazani është sfida që njeriu i bën vetes në raport me përmbushjen e përgjegjësive të tij para Zotit, por edhe para familjes, shoqërisë e kombit. Muaj i Madhërishëm i Ramazanit, këtë vit përkon një situatë të vështirë, ngarkuar me problem sociale e ekonomike të ditës, me pandeminë e Covid-19 që është ende nëpër këmbë e kërcënuese, por dhe me një situatë të brishtë, si pasojë e luftës në Ukrainë dhe pasojat direkt e indirekt, që po bien mbi njerëzimin. Ndaj ky Muaj i Shenjtë, le të na bëjë të gjithë të ndërgjegjshëm, besimtarë, shtetarë e njerëz kudo që janë, të bëhemi më të ndjeshëm, të jemi më të përulur e më adhurues ndaj Krijuesit, që të afrohemi sa më shpejt e gjithë së bashku, drejt dritës shpresëdhënëse, për të rikthyer normalitetin në shpirtrat njerëzor e bashkëjetesën vëllazërore e miqësore kudo. Të kemi të qartë e të jemi besimplotë se duke pastruar shpirtrat tanë, ne mund të shkojmë më shpejt drejt udhës së dritës e të shpresës që synojmë. Vëllezër besimtarë! Me rastin e fillimit të Muajit të Madhërishëm të Ramazanit, u uroj të gjithëve më shumë besim e shpresë, më shumë paqe e harmoni, më shumë drejtësi e vëllazëri, më shumë dlirësi e humanizëm.
Vëllezër të mijë besimtarë! Nëpërmjet këtij mesazhi, u uroj të gjithëve, më shumë shpresë e besim, dashuri, paqe e kohezion social, vëllazëri, drejtësi e solidaritet..!! Gëzuar Muajin e Shenjtë të Ramazanit! Zoti na ndihmoftë të gjithëve! Amin!”