Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, nëpërmjet një mesazhi, uron e bekon këtë armatë dije e kulture, duke pohuar se veçanërisht, në këto kohë të vështira që po kalon vendi ynë, kur në botë ka vatra lufte të përgjakura apo kërcënime për dhunë e viktima, roli dhe zëri i tyre është apel për paqe e dashuri. “…Mësues e mësuese kudo që punoni e jetoni. Në këtë ditë të shënuar, festën tuaj, uroj e bekoj gjithë armatën tuaj të dijes e kulturës, për më shumë dashuri e harmoni dhe për më shumë përkushtim, në misionin tuaj fisnik. 7 Marsi na ngjall të gjithëve ndjesinë e mrekullueshme të respektit më të thellë për veprën e mësuesve tanë. Sakrifica e tyre në vite, për përcjelljen e dijeve, në edukimin e brezave, është shndërruar në frymëmarrje të lirive dhe aspiratave të ëndërruara. Personalisht, simbolika e kësaj dite, më lidh akoma më shumë me historinë 800-vjeçare të bektashizmit. Pa më të voglën mëdyshje, në vargun e gjatë dhe të lavdishëm të mësuesve, unë do të renditja edhe qindra klerikë bektashianë, të cilët i shndërruan teqetë e tyre në vatra të dijes dhe mësimit të gjuhës shqipe. Së bashku me shpresën tek Zoti i Madh, ata ushqyen breza të tërë, me dashurinë për Atdheun dhe shenjtërinë e lirisë. Roli i mësuesve, veçanërisht në këto kohë të vështira që po kalon vendi ynë dhe bota e trazuar, bëhet më i rëndësishëm, për paqëtimin e shpirtrave, për harmoni e dashuri, për apel për paqe e larg ndjenjës së luftës. Nder dhe respekt të veçantë, mësuesve të djeshëm dhe të sotmëve. Zoti i bekoftë të gjithë ata që shpërndajnë së bashku me dritën e diturisë edhe paqen e shpirtrave!”- pohon ndër të tjera në mesazhin e Tij, Dede Edmond Brahimaj.
KLERIKËT BEKTASHIANË, KONTRIBUT TË SHQUAR PËR ARSIMIN DHE GJUHËN SHQIPE
Në historinë tetëshekullore të besimit të paqtë bektashian, roli i klerikëve bektashinj, në Shqipëri dhe hapësirat mbarëshqiptare, përveçse në fushën e besimit, në përmbushjen e devizës sonë, “Pa atdhe, nuk ka fe!”, ka qenë i pa zëvendësueshëm dhe në mësimin dhe përhapjen e gjuhës së bukur shqipe. Në këtë 7 mars të këtij viti, po prekim paksa nga ky kontribut….
…Referuar dokumenteve historike, spikat dukshëm kontributi i veçantë i klerit bektashi në përcjelljen e tyre në gjuhën shqipe. Shumë Teqe Bektashiane u kthyen ne vatra të mësimit të alfabetit e gjuhës shqipe. Një prej tyre është rilindasi i shquar dhe poeti i madh Naim Frashëri. Hartues tekstesh, përkthyesi i parë i pjesëve të Kur’anit në gjuhën shqipe dhe veprimtar u shquar i arsimit kombëtar shqiptar. Ai ka ndihmuar në nxjerrjen e lejes për Mësonjëtoren e Korçës dhe të Gramatikës se Kristoforidhit. Vlen të përmendim veprat dedikuar rrugës së ndritur të bektashizmit si Fletore e Bektashinjve, Qerbelaja. Duke parë tek besimi i tij një të mesme të artë edhe për çështjen kombëtare shqiptare,u bë edhe autori më përfaqësues i mistikës islame në gjuhën shqipe përkatësisht me veprat Fletore e Bektashinjet dhe Qerbelaja, si veprat e para të bektashizmit shqiptar.
Naimi u lind në fshatin Frashër, Vilajeti i Janinës (sot në rrethin e Përmetit), fëmija i katërt i Halit bej Frashërit (1797-1859) dhe Emine hanëm Myteveliu (1814–1861). Nga i ati ishin pasardhës timarlinjsh me prejardhje nga Berati që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës, qenë pinjoj të Iljaz bej Mirahorit, themeluesit të Korçës. Në vendlindje bëri mësimet fillore dhe nisi të mësonte turqishten osmane, arabishten dhe persishten në Teqenë e Frashërit,si myhib bektashi.
…Baba Qazim Bakalli është ndër klerikët bektashian që jo vetëm ka kontribuar në sjelljen e shumë veprave, përkthime te veprave të huaja, por ka dhënë mësim në disa shkolla në Shqipëri. Nga Gjakova, ku mori mësimet e para në mejtep, më pas në shkollën Normale në Shkup, ai në vitet 1913-1914 punoi mësues në shkollën Normale të Beratit. Pas kësaj deri më 1915 punoi mësues në Xhafzotaj të Durrësit. Kurse me pushtim-administrimin austro-hungarez, punoi mësues në Gjakovë.
Shërbeu si mësues në Lumë, si nëpunës në Bytyç, e herë si sekretar. Më vonë u dorëzua në tarikatin Bektashi në Fushë-Krujë, ku u vesh dervish nga Haxhi Mehmed Babai. Ka shërbyer si dervish në teqenë e Elbasanit,më pas u kthye në Gjakovë, ku drejtoi teqenë e atyshme bektashie nga 1927.
Nga Kryegjyshata e Tiranës, me vendim të Sali Nijazi Dedeit, udhëheqës i bektashinjve, në vitin 1940 emërohet në Tetovë si baba në teqenë e Baba Harabatit. Mbas arrestimit që i bëhet në Tiranë dhe hetimeve të gjata që i bëhen në Shkup, me 1947, Baba Qazim Bakalli kthehet në vendlindje, në Gjakovë, ku shërben në Teqenë Bektashiane të Gjakovës deri sa ndërroi jetë më 15 shkurt 1981.
Biblioteka e tij e pasur u dogj bashkë me teqenë e tyrben në Gjakovë, por një përkthim i tij i “Divanit të Shemsi Tabrizit” të Rumiut u ruajt nga Vehap Shita në Prishtinë. U botua më 2007 nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane.
…Baba Meleq Shëmbërdhenji një Klerik i përkushtuar, luftëtar i Rilindjes Kombëtare dhe përhapës i gjuhës e arsimit shqip.
…Kleriku Meleq Tahir Muçi, është pjesëmarrës në mbledhjen e teqesë së Frashërit në maji të vitit 1878, është bashkëpunëtor me Naim Frashërin, Jani Vruho, Nuçi Naçin. Ai mori pjesë aktive në vitet e Lidhjes së Prizrenit, në organizimin e kësaj lidhjeje në Skrapar, së bashku me patriotin Hysen Sevrani. Gjithashtu, ishte pjesëmarrës në mbledhjen me gjithë baballarët e jugut të Shqipërisë në Kostrec, në mbrojtje të aspiratave atdhetare. Në këtë periudhë si dervish në teqenë e Frashërit dhe Backës, atë e gjeje kudo në lëvizje për edukimin e të rinjve, mësimin dhe shkrimin e gjuhës shqipe. Kjo veprimtari ra në sy të autoriteteve të kohës, të cilët e arrestuan disa herë. Ai ishte agjitator i librit shqiptar si askush tjetër në Shqipëri. Dokumentet arkivore japin të dhëna si veprimtar i Rilindjes Kombëtare në çështjen e arsimit dhe kulturës shqiptare. Në Egjipt në vitin 1879-n jepte mësim shqiptarëve të atjeshëm, të cilët mblidheshin rreth tij, në teqe e vende të tjera. Kjo ra edhe në sy të princave egjiptian. Në vitin 1892 bëri një udhëtim në Anadoll, me ndihmën e Sadik Efedi Qesarakës ku mblidhte shqiptarët dhe u jepte mësim shqip. Në vitin 1896 shkoi në teqenë e shenjtë të Merdiven Qojt, në Stamboll, ku fshehurazi i bashkonte shqiptarët dhe u jepte mësim në gjuhën amtare. Në kulmin e pjekurisë shkroi poezitë e bukura të gjuhës shqipe. Në këto poezi ai shkrihet e bëhet një me mistikën, tretet si qiriri në devizën se “Pa atdhe nuk ka fe”. Kur u largua nga Stambolli në vitin 1898, u vendos në trevat shqiptare në Manastir, Ohër dhe Strugë, ku qëndroi 2 vjet, nëpër miq e besimtarë, duke u dhënë atyre mësim. Ai, ishte gjithashtu një mësues shëtitës, për përhapjen e gjuhës shqipe në Skrapar, Berat, Përmet, Korçë, Kolonjë, Elbasan, Martanesh, Krujë, Ulqin, Manastir, Kosovë. Kolonia shqiptare në Kajro e ka ngarkuar me shumë detyra për Shqipërinë. Robert Elsie shkruan në historinë e letërsisë shqipe: “ Shëmbërdhenjin e mbajnë si njërin nga poetët më të mirë bektashinj të periudhës. Ai ishte edhe mik e adhurues i Naim Frashërit, të cilin e quajti “Zemra e Shqipërisë, gurra e urtësisë, pishtari i vegjëlisë, shenjtor i njerëzisë”.
Meleqi me kohë kishte përgatitur dy vëllime me vjersha. Një e kishte lënë në teqenë e Shëmbërdhenjit, të cilën siç dihet në vitin 1914 e dogjën andartët grekë dhe tjetrën në teqenë e Turanit, te baba Zylfua. Vetëm në vitin 1933 u arrit të botohet nën kujdesin e dervish Rizait në teqenë e Leskovikut. Shumë shkrime i kish çuar për botim në Bukuresht të Rumanisë dhe nuk dihet fati i tyre. Shtëpia e baba Meleqit u bënë teqetë, brenda dhe jashtë vendit kudo që ai punoi.
…Baba Ali Tomorri ishte një klerik, intelektual, gazetar i njohur. Baba Ali Tomorri ishte nga fshati Shalës i Tepelenës. Ai është njohur edhe me emrat baba Ali Kulmaku, baba Ali Prishta, Varf Ali Prishta, atë Ali Tomori, varf Ali Tepelena apo Ali Gjirokastra). Pasi mbaroi shkollën fillore në fshat, vijoi mësimet në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Ka dhënë ndihmesë të madhe në periodiket e komunitetit bektashian si “Reforma” dhe “Djersa”. Baba Aliu kish marrë dorë nga baba Shabani i teqesë së Prishtës dhe më pas, po aty, u vesh dervish. Ai është i njohur si kronikan, poet dhe përkthyes. Ka përshkruar në mënyrë shembullore, ngjarjet dhe masakrat që bënë grekët në zonën e Skraparit, Tomorricës dhe Beratit gjatë pushtimit të Shqipërisë Jugore në vitin 1914. Kronikat që mbajnë në fund për autor Varf Aliun e Taronini janë të pashembullta. Atëherë ishte vetëm 20 vjeç. Pas djegies së teqesë së Prishtës, varf Aliu, bashkë me baba Shabanin, baba Ahmet Koshtanin dhe disa dervishë të tjerë u arratisën nga Shqipëria dhe u vendosën në teqenë e Kajros, te baba Lutfiu. Aty qëndruan derisa u largua rreziku i pushtuesve grekë. Baba Shabani vdiq dhe u varros në Kajro, ndërsa të tjerët u kthyen në Shqipëri. Qendra për varf Ali Tomorrin ishte Prishta, teqeja ku ai kish bërë betimin si bektashi,. Kjo është arsyeja që shumë shkrime të shkruara nga ai, nënshkruhen varf Ali Prishta apo Taronini. Si njeri i kompletuar (ai zotëronte gjuhën turke, arabe dhe frënge), ka luajtur një rol të veçantë në organizimin e Kongresit të Parë Bektashian që u mbajt në Prishtë. Baba Ali Tomori (Prishta), si krijues, gazetar e shkrimtar, ishte i njohur edhe në rrethet letrare të vendit. Madje pas Çlirimit, në vitin 1946, me rastin e krijimit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, u zgjodh anëtar i Kryesisë së Lidhjes. Pas Kongresit të Prishtës, varf Ali Tomorri u dekretua baba, titull i cili iu dha nga baba Ahmeçurhani. Që nga kjo kohë u ngarkua të kryesonte teqenë e Tomorit. Në kohën kur u mblodh Kongresi i Prishtës, ai nxori një fletore të mbiquajtur “Reforma”. Vepra të tjera të baba Ali Tomorit janë “Histori Bektashiane”, “Literatura e Bektashinjve”, “Bektashinjtë e Shqipërisë” – një libër në prozë dhe vjersha, “Nefese dhe Gazele bektashiane”, “Flamurit të Shqipërisë”, poezi etj. Shumë nga krijimet e baba Ali Tomorrit u botuan në gazetat e kohës. Baba Ali Tomori ka qenë gjithashtu promotori i Kongresit të Dytë Bektashian, i cili u mblodh në teqenë e baba Sulejmanit, në Gjirokastër….