Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, pret Ambasadoren e Francës, në Tiranë, znj. Elisabeth Barsacq

Ditën e enjte, 7 janar 2021, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, priti në Selinë e Shenjtë Bektashiane dhe zhvilloi një bisedë, me Ambasadoren e Francës në vendin tonë, znj. Elisabeth Barsacq.
Vizita e diplomates franceze, znj. Barsacq  në Selinë e Shenjtë Bektashiane, u zhvillua me rastin e fillimit të mandatit të saj diplomatik në Shqipëri.
Kryegjyshi Bektashian, i uroi mirëseardhjen ambasadores dhe e uroi që të ketë një mision të suksesshëm në vendin tonë.
Ai gjithashtu e njohu shkurtimisht znj. Barsacq me historikun, Selinë e Shenjtë, Kryefaltoren, muzeun e bektashizmit, departamentet,  aktivitetin dhe rolin e Kryegjyshatës dhe Komunitetit Bektashi në Shqipëri, rajon dhe më gjerë. Në këtë bisedë, Dede Edmond Brahimaj, e njohu gjithashtu diplomaten e vendit mik dhe me prezencën e komunitetit bektashian në Francë, aktivitetet e përbashkëta që zhvillohen vazhdimisht në të dy vendet, ku ndër më të rëndësishmit është aktiviteti tradicional i përvitshëm, “Ditët e Kulturës Bektashiane”, që zhvillohet në Paris.
Ambasadorja  Barsacq, shprehu interes për historinë e Komunitetit Bektashi që nga themelimi dhe rrugëtimin e tij, deri në ditët tona dhe vlerësoi angazhimin e Kryegjyshit Botëror në misionin e tij fisnik për predikimin e paqes, dashurisë dhe harmonisë midis njerëzve, pa dallim race, besimi, kombësie, ngjyre e etnie.. Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua dhe për liritë fetare, harmoninë dhe të drejtat e besimit, si të drejta themelore të njeriut..
Në fund të vizitës, znj. Barsacq falënderoi Kryegjyshin Botëror për mikpritjen dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në çështje të cilat janë me interes të përbashkët dhe mbi të gjitha vlerësoi rolin e Kryegjyshatës, Komunitetit Bektashi dhe Kryegjyshit Botëror në ruajtjen dhe forcimin e bashkëjetesës fetare në Shqipëri.

Përgatiti:
Xhorxhi Cullhai