Ditën e premte, 29.01.2021, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede, Edmond Brahimaj, priti Ambasadorin e Ukrainës në Shqipëri,Volodymyr Shkurov. Takimi që nisi në orën 11:00 të kësaj dite, u zhvillua në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë.
Objekt i kësaj vizite, ishte njohja e Ambasadorit të Ukrainës në Shqipëri, me historinë tetëqindvjeçare të besimit të paqtë bektashian, rolin e klerikëve të këtij besimi, problemet me të cilat përballemi, arritjet dhe synimet në të ardhmen në përhapjen e këtij besimi në hapësirat mbarëshqiptare e më gjerë, në misionin për forcimin e besimit në Zot, për më shumë paqe, dashuri e mirësi. Vizita e diplomatit ukrainas, është në kuadër të vizitave që ai bën në kuadër të hapjes së kësaj ambasade në Shqipëri.
Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj e falënderoj diplomatin për këtë vizitë, duke e njohur nga afër me arritjen dhe problematikën e Selisë së Shenjtë Bektashiane. Në vazhdim, Ambasadori Volodymyr Shkuror, vizitoi muzeun bektashian, bibliotekën, galerinë e artit bektashian dhe mjediset e tjera të odeonit. Diplomati mik, u impresionua nga sa dëgjoi e pa në këtë vizitë të tij. Kryegjyshi deklaroi se dyert e Kryegjyshatës do të jenë përherë të hapura për miqtë tanë ukrainas. Ambasadori Volodymyr Shkurov, i dhuroi Kryegjyshit një suvenir dhe një libër për historinë e Ukrainës, ndërsa Kryegjyshi, albume dhe libra të bektashizmit.