Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, pret përfaqësuesit e Qendrës Ditore Komunitare të Rehabilitimit, “Frederik Prenga“, Tiranë

Sot më 19 janar 2021, një grup i përfaqësuesve të Qendrës Ditore Komunitare të  Rehabilitimit “Frederik Prenga“, Tiranë, kryen një vizitë të organizuar në Odeonin Bektashian të Selisë së Shenjtë Bektashiane. Grupi që kryesohej nga znj. Klea Mino, u prit gjithashtu, nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Fillimisht, ata vizituan ambientet e Selisë së Shenjtë, Odeonin, Muzeu i Bektashizmit, Bibliotekën, dhe mjedise të tjera, ku Sekretari i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, z. Nuri Çuni, që i shoqëronte, iu përgjigj me detaje interesit të tyre.
Në vazhdim, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj i priti me ngrohtësinë dhe respekt miqtë. Në bisedë, u shkëmbyen mendime për probleme të  ndryshme, në një atmosferë ku miqtë  i ndjenë si në shtëpinë e tyre. Kryegjyshi, u dha mesazhe që të duam njeri-tjetrin, të forcojnë dashurinë dhe vëllazërinë, pavarësish bindjeve që ka seicili. Përfituesit e Qendrës Ditore Komunitare të Rehabilitimit, i shprehën Kryegjyshit, mirënjohje të thellë për këtë pritje plot dashuri dhe respekt.
Znj. Klea Mino e ftoi Kryegjyshin për një vizitë në Qendrën Ditore Komunitare të Rehabilitimit-Tiranë.
...Qendra Ditore Komunitare e  Rehabilitimit, ofron përkrahje dhe mbështetje për përfituesit, përmes propozimit të një  programi rehabilitues të personalizuar, i përshtatshëm për të favorizuar rrugëtimet e rikuperimit, që mundësojnë arritjen e një farë shkalle të autonomisë, e në vazhdim të mundësojë përfituesit drejt përmirësimit gradual të mëtejshëm.
Kjo qendër ka aktive: Zyrën e dëgjimit dhe sekretariatit social; programe të mbështetjes socio-emocionale e psikologjike; programe të individualizuara rehabilituese; terapi okupacionale; laboratorë grupesh për rritjen personale; aktivitete rikrijuese për formim individual e në grup; mensë për frekuentuesit e qendrës që ndjekin programet rehabilituese.
Personeli përbëhet nga punonjës social; psikolog; edukator; terapist okupacional; mjekë; infermierë etj...

(Fotot: Nuri Çumani)

Përgatiti:
K. BORIÇI