Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, nëpërmjet një mesazhi, uron e bekon këtë armatë dije e kulture, duke pohuar se veçanërisht, në këto kohë të vështira që po kalon vendi ynë, kur në botë ka vatra lufte të përgjakura apo kërcënime për dhuë e viktima, roli dhe zëri i tyre është apel për paqe e dashuri. Ndër të tjera, Dede Edmond Brahimaj, thekson: “…Në këtë ditë të shënuar, festën e tyre, 7 marsin, uroj e bekoj gjithë armatën e mësuesve, për më shumë dashuri e harmoni dhe për më shumë përkushtim, në misionin e tyre. 7 Marsi na ngjall të gjithëve ndjesinë e mrekullueshme të respektit më të thellë për veprën e mësuesve tanë. Sakrifica e tyre në vite, për përcjelljen e dijeve, në edukimin e brezave, është shndërruar në frymëmarrje të lirive dhe aspiratave të ëndërruara. Personalisht, simbolika e kësaj dite, më lidh akoma më shumë me historinë 800-vjeçare të bektashizmit. Pa më të voglën mëdyshje, në vargun e gjatë dhe të lavdishëm të mësuesve, unë do të renditja edhe qindra klerikë bektashianë, të cilët i shndërruan teqet e tyre në vatra të dijes dhe mësimit të gjuhës shqipe. Së bashku me shpresën tek Zoti i Madh, ata ushqyen breza të tërë, me dashurinë për Atdheun dhe shenjtërinë e lirisë. Roli i mësuesve, veçanërisht në këto kohë të vështira që po kalon vendi ynë dhe bota e trazuar, bëhet më i rëndësishëm, për paqtimin e shpirtrave, për harmoni e dashuri, për apel për paqe e larg ndjenjës së luftës. Nder dhe respekt të veçantë, mësuesve të djeshëm dhe të sotmëve. Zoti i bekoftë të gjithë ata që shpërndajnë së bashku me dritën e diturisë edhe paqen e shpirtrave!”