Ditën e sotme, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, merr pjesë në çeljen e Panairit Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, aktivitet i zhvilluar në mjediset e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
Organizatorët argumentuan se ky aktivitet, është një rast i shkëlqyer për të krijuar një marrëdhënie të re midis botuesve e lexuesve, dhe kjo shkon në përputhje me strategjinë tonë të hapjes së përgjithshme ndaj sistemit të kërkimit shkencor dhe ndaj të gjithë faktorëve që janë të interesuar për t’u bërë pjesë e tij.
Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor u çel sot, ora 10.00, në mjediset e hapura të Akademisë së Shkencave nga Kryetari akad. Skënder Gjinushi.
Gjatë ceremonisë së hapjes ku ishin të pranishme mbi 35 ente botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e më gjerë përshëndeti Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akad. Mehmet Kraja. U lexua fjala përshëndetëse në emër të Ministrisë së Kulturës nga znj. Alda Bardhyli dhe fjala përshëndetëse në emër të Konferencës së Rektorëve nga prof. dr. Andrea Maliqari (rektor i U.P.T.). Ishin të pranishëm gjithashtu, akademikë, studiues nga të gjitha fushat dhe studentë e nxënës të shkollave.
“Panairi mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor” zhvillohet për herë të parë këtë vit, si nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Panairi do të zhvillohet në mënyrë të alternuar, një vit në Tiranë e një vit në Prishtinë, me periodicitet të rregullt. Panairi zhvillohet në periudhën 22-24 prill, kohë në të cilën festohet Dita Botërore e Poezisë dhe Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtës së Autorit. Qëllimi i panairit është që të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare.
Nga vetë natyra e tij, libri akademik dhe shkencor e ka më të vështirë rrugën për të mbërritur tek lexuesi, krahasuar me letërsinë dhe artet. Kjo është një nga arsyet pse u mendua që të ketë një panair të dedikuar, me qëllim që libri shkencor dhe akademik t’i afrohet lexuesit të vet dhe të lehtësohet komunikimi mes tyre. Njëherësh panairi i librit akademik dhe shkencor do të ketë dhe karakter promovues dhe anifestues, sepse do të mundësojë paraqitjen në sasi dhe cilësi të botimeve shkencore dhe të autorëve të tyre në gjithë hapësirën shqiptare, duke synuar që në një të ardhme të jenë të pranishme edhe botimet nga qendrat albanologjike në botë.
Ne duam që përmes panairit të ndikojmë për të krijuar një rrjet të botuesve të librit shkencor, në universitete e institute në gjithë hapësirën mbarëkombëtare; rrjet që do të lehtësojë marrjen e informacionit dhe më tej shkëmbimet, sidomos të periodikëve shkencorë, që tani për tani mbeten brenda institucioneve që i botojnë. Studiuesit kanë nevojë të njohin njëri-tjetrin dhe rruga më e mirë është njohja përmes botimeve. Libri shkencor ka hyrë në një rrugë kodifikimi e vlerësimi me standarde të njësuara europiane e botërore. Është e pamundur të pretendohet për vlerësim në këtë proces pa një promovim të brendshëm të botimeve tona. Në kohën e sotme synohet që botimet të jenë të arritshme me liri të plotë komunikimi jo vetëm brenda për brenda gjuhës, por edhe në shkallë ndërkombëtare. Panairi do të jetë një faktor nxitës më shumë për të promovuar arritjet në këtë fushë.
Panairi i parë kushtuar, librit akademik dhe shkencor
Panairi i parë kushtuar librit akademik dhe shkencor zhvillohet sivjet, në kuadër të Vitit të Akademizmit Shqiptar, shpallur në nderim të 50- vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si nismë e përbashkët e saj dhe e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Vendi i zhvillimit të këtij panairi do të alternohet: një vit në Tiranë e një vit në Prishtinë, me periodicitet të rregullt. Panairi i parë do të hapet më 22 prill, që përkon me Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit, dhe do të zgjasë deri më 24 prill 2022. Qëllimi i panairit është që të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare në gjithë hapësirën shqiptare, duke synuar një prani përfaqësuese sa më të gjerë.
Krahasuar me letërsinë dhe artet, nga vetë natyra e tij, libri akademik dhe shkencor e ka më të vështirë rrugën për të mbërritur tek lexuesi. Kjo është një nga arsyet pse duhet të ketë një panair të dedikuar për të, me qëllim që libri shkencor dhe akademik t’i afrohet lexuesit të vet dhe të lehtësohet komunikimi mes tyre. Panairi i librit akademik dhe shkencor do të ketë gjithashtu dhe karakter promovues e manifestues, sepse do të mundësojë pranëvendosjen në sasi dhe cilësi të botimeve shkencore dhe të autorëve të tyre nga gjithë hapësira shqiptare, duke synuar që në një të ardhme të jenë të pranishme edhe botimet nga qendrat albanologjike në
botë. Krahas botimeve prej institucioneve akademike dhe universitare, do të kenë vendin e tyre të merituar edhe botimet cilësore nga ente jopublike. Organizuesit duan që përmes panairit të ndikojmë për të krijuar një rrjet kombëtar të botuesve të librit shkencor, para së gjithash të universiteteve dhe institucioneve të tjera të specializuara; rrjet që do të lehtësojë marrjen e informacionit dhe më tej shkëmbimet, sidomos të periodikëve shkencorë, që tani për tani mbeten brenda institucioneve që i botojnë. Studiuesit kanë nevojë të shkëmbejnë informacion shkencor për të njohur me shpejtësi veprat e njëri-tjetrit. Dhe rruga më e frytshme është njohja përmes veprimtarive të tilla si panairet, që shenjojnë manifestime publike për librin.
Libri shkencor që botohet në hapësirën shqiptare ka hyrë në një rrugë kodifikimi e vlerësimi me standarde të njësuara europiane e botërore. Është e pamundur të pretendohet për vlerësim në këtë proces pa një promovim të brendshëm të pakufizuar të tyre. Në kohën e sotme synohet që botimet të jenë të arritshme me liri të plotë komunikimi jo vetëm brenda për brenda gjuhës, por edhe në shkallë ndërkombëtare. Ky panair i parë do të jetë një faktor tjetër nxitës për të përuruar arritjet e përvitshme në këtë fushë.