Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mbrëmjen e djeshme (3 korrik 2023), ishte i ftuar dhe mori pjesë, në ceremoninë e dekorimit të ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, nga Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, me dekoratën e lartë “Yllin e mirënjohjes për arritjet publike”.
Ceremonia u zhvillua në sheshin para Kryeministrisë, në një mjedis festiv, me pjesëmarrjen e personaliteteve më të lartë të vendit, krerë të komuniteteve fetarë në Shqipëri, diplomatë dhe qytetarë të shumtë. “…Ishte një ceremoni domethënëse, vlerësim i merituar, për një nga personalitetet e shquar botërorë, që ka bërë shumë për shqiptarët. Bill Klinton, ka meritën e çlirimit të Kosovës nga sundimi gjakatar milosheviçian, duke i dhënë fund genocidit ndaj njerëzve të pafajshëm e duke sjellë në Kosovën martire, lirinë e shumëpritur. Zoti e bekoftë Bill Klintonin dhe të gjithë ata që punojnë për paqen njerëzore, bashkëjetesë, vëllazërinë, harmoninë e dashurinë, pa dallim etnie, race, ngjyre e besimi…”-pohoi mes të tjerave për këtë ceremoni, Dede Edmond Brahimaj.