KRYEGJYSHI BOTËROR BEKTASHIAN, MERR PJESË NË “MBLEDHJA E 27-të NDËRKOMBËTARE E BERLINIT” (11-13 maj 2023)

Me ftesë të deputetëve të Bundestagut, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj po zhvillon një vizitë tre ditore në Berlin, Gjermani, me takime, shkëmbime idesh dhe lutje (Mëngjesi i lutjes) me rastin e  ‘Mbledhjes së 27-të Ndërkombëtare në Berlin’, 11 deri më 13 maj 2023.
Në këtë aktivitet tre ditor, marin pjesë anëtarë aktualë dhe ish-anëtar të Bundestagut Gjerman dhe parlamenteve të shtetit, si dhe miq brenda dhe jashtë vendit nga fusha e politikës, ekonomisë, shkencës, artit, shoqërisë etj.
Mbledhja e Berlinit do të ketë edhe një herë si temë qendrore të saj: “Përgjegjësia para Zotit dhe njeriut” – sidomos në kohë të pasigurta.
Qëllimi i këtij aktiviteti dhe konference është thellimi i marrëdhënieve ndërkombëtare përmes takimeve personale gjatë shqyrtimit të pyetjeve, shkëmbimit të ideve dhe praktikave, lidhur me përgjegjësinë tonë përpara Zotit dhe njeriut.
Gjatë kësaj vizite 3 ditore, Kryegjyshi Botëror po zhvillon takime edhe me parlamentarë, ambasadorë, deputetë të BE-së të mbledhur me këtë rast.

Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Mardhëniet ndërfetare dhe roli i Bektashizmit në Tolerancën fetare.’
Në emër të Zotit Mëshiruesit, Mëshirëbërësit,
Të nderuar organizatorë të lutjes së mëngjesit , parlamentarë, krerë shtetesh e ambasadorë,
Të nderuar klerikë të ftuar përfaqësues të besimeve të krishtera e myslimane,
Më vjen vërtet mirë që mëngjesi i lutjes së përbashkët na bëri bashkë këto ditë të paqta e shpresoj në fund të arrihet një produktivitet të lartë.
Jam i lumtur dhe entuziast, që jam pjesë e kësaj lutje të përbashkët si Kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, që përfaqësoj të gjithë besimtarët bektashinjtë në mbarë botën. Kjo lutje e paqtë që ne jemi mbledhur dhe që e lartësojmë në të gjithë botën, qoftë një këmbanë armëpushimi midis Rusisë e Ukrainës, në Afganistan, Siri e në mbarë globin ku ka luftra , vrasje, gjakderdhje, terrorizëm, ekstremizëm, rradikalizëm e humbje jetësh të pafajshme. Do të doja ta nisja fjalën time me një përshkrim të situatës ndërfetare në Shqipëri dhe rolin që bektashizmi ka dhënë për kombin e për harmoninë ndërfetare.
Shqipëria ruan një kulturë të bashkëjetesës ndërfetare ndër shekuj si një fener i ndezur Ballkanik e më gjerë.
Ballkani është konsideruar prej kohësh një vatër tensionesh etnike dhe fetare. Por në Shqipëri, komunitetet fetare kanë gjetur mënyra për të respektuar besimet e njëri-tjetrit duke nxitur dialogun ndërfetar dhe duke siguruar marrëdhënie të mira midis institucioneve përkatëse. Në Ballkan, një rajon ku feja përdoret shpesh si armë përçarëse, Shqipëria dëshmon se bashkëjetesa ndërfetare është e mundur prej vitesh, edhe atëhëherë ku komunizmi u përpoq ta përçante , rrënonte, e përbuzte.
Shumë faktorë kanë ndihmuar në ndërtimin e këtij mjedisi të sigurt, i cili është ushqyer me shekuj. Në radhë të parë, pozicioni gjeografik i Shqipërisë luajti një rol të rëndësishëm, ku vendi ishte gjithmonë në kryqëzimin e Lindjes dhe Perëndimit, duke thithur të gjitha fetë kryesore monoteiste. Rrethanat historike, si luftërat dhe pushtimet e huaja, përbënin një sfidë për popullsinë vendase. Në atë kohë, të qenit shqiptar ishte më thelbësor se përkatësia fetare dhe kjo ndihmoi në ruajtjen e unitetit të kombit. Në divizën tepër të shenjtë për klerikët bektashinj e më gjerë “Pa atdhe nuk ka fe” , dashuria për Atëdheun e Shqipërinë vinte në plan të parë. Siç shprehej poeti i njohur shqiptar Pashko Vasa në vitin 1878, besimi i Shqipërisë është shqiptarizmi. E për bektashinjtë“Nuk më nxë Mua as qielli im dhe as dheu; më nxë vetëm zemra e besimtarit të bindur.”
Pra, nga kjo kuptohet se tek njeriu i vertetë, brenda në zemrën e tij, ekziston drita e vetë zotit. Dhe kjo shkëlqen, kur i heqim vehtes çdo të keqe dhe epsh, ashtu siç i heqim diamantit të gjitha baltërat dhe llumet që e rrethojnë.
Me këtë mënyrë njeriu shënjtërohet, arrin shkallat më të larta morale, i zbulohen të gjitha thesaret e fshehta dhe mbetet i shkrirë në fronin e Zotit, së cilës në gjuhën fetare mistikët islamë i thonë: “Beka Billah” ( Mbetje tek Zoti).(Baba Rexheb Michigan USA 1970)
Bektashizma është e njohur në të gjithë botën.
Ka përshkuar të gjitha vendet myslimane të botës dhe ka lënë gjurmë të paharrueshme kudo.
Ka patur suksese e disafata gjatë gjithë shekujve të jetës së saj. Prandaj gjithë bota është interesuar dhe është bërë kurioze për të, aq sa janë shkruar mjaft libra në favor dhe kundër saj. Kështu u bë një gjë legjendare dhe mbeti e pavdekur.
Dhe në Shqipëri u ngjall një kureshtje e madhe për Bektashizmiën, sidomos në këto kohët e fundit të Pavarësisë Shqiptare. Të gjithë donin të dinin diçka mbi Bektashizmën. Për kontributin e Klerikëve Bektashinj, për këtë tarikat mistik, për objektet e kultit fetar bektashian Teqe dhe tyrbe, për elementët patriotikë etj. Misticizma, apo tesavufi, siç njihet nga bota islame, është gjallëria shpirtërore e njeriut, që karakterizon klerin bektashi dhe tarikatin bektashi (Baba Rexheb ,Detroit Michigan 1970).
Është fruti që del kur njeriu zhduk egoizmin dhe ekzistencën e tij materiale, me anën e rregullave fetare, dhe bëhet zotërues i fronit të zemrës.
Është ajo njohuri që e udhëheq njeriun në rrugën e përsosmërisë, e pajis me të gjitha parimet morale, e kullon nga trubullirat materiale dhe i plotëson qëllimin, duke e bashkuar me të dashurin e tij, Zotin e Madh.
Me fjalë të tjera, misticizma në islamizëm nuk është gjë tjetër veçse pasqyra e gjallërisë shpirtërore. Pse fitimi që bën njeriu duke ndjekur misticizmën është se, duke luftuar me epshet dhe duke i frenuar ato, spastron veten, çjerr të gjitha perdetë e ndjenjave trupore dhe kullon zemrën nga çdo trubullirë. Atëherë zhduken ndjenjat shtazore dhe fillon pjesa shpirtërore të marrë frymë, të pasqyrohet e të vihet në dukje.
Liria fetare është një e drejtë shumë e rëndësishme për t’u politizuar, fragmentizuar, apo përdorur. Fetë kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në sferën publike dhe janë një zë i domosdoshëm në ngjarjet humanitare dhe konfliktet e llojeve të ndryshme. Prandaj, fetë janë domosdoshmërisht vlerë madhore për shoqërinë dhe shtetin. Por kjo nuk do të thotë se ato duhet të ndjekin një teologji politike por të përcjellin vlerat më të larta demokratike dhe njerëzore te politika. Duke argumentuar se parimi moral i dinjitetit dhe e drejta për liri nuk është vetëm një e drejtë ligjore që krijon privilegje, por një e drejtë morale që vjen me përgjegjësitë. Duke folur nga ana teologjike, e drejta e dhënë ligjërisht për lirinë fetare duhet të interpretohet në funksion të traditës fetare të dikujt, dhe bektashizmi si udhë mistike e Islamit ,mes religjioneve të tjera u jep përparësi atyre që janë më të diskriminuar dhe dëmtuar moralisht në shoqëritë e tyre. Etika bektashiane përfshin përgjegjësinë për të respektuar dhe mbrojtur nevojat dhe të drejtat e të tjerëve. Morali i saj nuk është i rrënjosur në një rend objektiv por në dhuratën e lirisë njerëzore, e cila ju bën thirrje të gjithë gjeneratave të respektojnë lirinë morale të tyre dhe lirinë e të tjerëve si një e drejtë legjitime morale dhe njerëzore.
Liria fetare është një e drejtë e çmuar, duke siguruar dinjitetin e personave dhe të drejtat e grupeve fetare për të ushtruar besimet e tyre privatisht, në bashkësitë e tyre fetare dhe publikisht duke ju përmbajtur moralit njerëzor. Kur grupet fetare i detyrojnë besimet ose praktikat e tyre mbi ,besimtarët e besimeve të ndryshme , edhe pse këto kanë të bëjnë me të drejtat e mbrojtura ndryshe nga ligji i shtetit, ata lehtë e keqinterpretojnë këtë parim më themelor dhe keqkuptojnë rolin e tyre në sferën publike. Konfliktet morale kërkojnë arsyetim praktik moral, bazuar në respektin e të tjerëve dhe tolerancën e pikëpamjeve të tjera. Një nga kuptimet më të mëdha të të kuptuarit fetar të konceptit të dinjitetit është se liria e dhënë nga Zoti reflektohet në ndërgjegjen e gjithsecilit dhe , jo në autoritetin dhe imponimin e Komuniteteve Fetare. Kur individët diskriminohen në dinjitetin ose lirinë e tyre, shteti duhet të ndërhyjë – dhe të sigurojë të drejtat e tyre, qoftë fetare apo jofetare.
Gruaja dhe burri janë të barabartë para Zotit dhe ligjit, feja duhet të ngre zërin për barazinë gjinore, arsimimin dhe emancipimin e gruas , në rolin e saj si nënë, bashkëshorte, në poste drejtuese dhe si embrioni i një shoqërie në zhvillim. Martesa, të drejtat e fëmijëve, të drejtat e minoriteteve, lufta kundër dhunës me bazë gjinore, trafikimit dhe diskriminimit të çfarëdolloj forme është misioni dhe obligimi i secilit prej Komuniteteve fetare të ngre zërin e të shpalos vlerat që librat e Shenjtë predikojnë dhe shoqëria njerëzore duhet të implementojë në mënyrë paqësore e me dashamirësi.
Liri dhe demokraci e të menduarit dhe predikurit në fe do të thotë avokatim , dhe mbrojtje e atyre të drejtave që vetë zoti i ka falur , me qëllim që njerëzimi ti gëzojë, por kur ato keqinterpretohen është detyra e Liderëve fetare të ngrenë zërin për vlerat që ngahera kanë patur rëndësi , ato humanitare.
Ta konsiderosh lirinë e tjetrit si lirinë tënde e të mos e cënosh atë, është tolerancë, gjest sublim që çdokush duhet të udhëheq këdo.
Mosdiskriminimi, respekti për dinjitetin njerëzor, të drejtat e njeriut, pranimi i tjetrit dhe toleranca, për të cilat çdo shoqëri ka nevojë. Fetë nuk duhet të identifikohen me fuqitë politike, ekonomike dhe shoqërore në mënyrë që të jenë të lira për të hapur rrugën drejtësisë dhe paqes. Komunitetet fetare në Shqipëri , Ballkan e më gjerë duhet të kenë kujdes që zelli fetar të mos ngatërrohet me fanatizmin që shpesh çon shoqëritë në ekstremizëm fetar. Kjo, jo vetëm që do të rrezikojë paqen shoqërore, por mund të dëmtojë edhe themelet e doktrinave fetare.
Dhe në përfundim, duke uruar sukses në këtë veprimtari dhe program ndërfetar , ndërkombëtar , urojmë e shpresojmë që bashkëpunimi Ndërfetar, të jetë një këmbanë e jehonë paqe e mirësie për të gjithë besimtarët qofshim mysliman apo të krishterë!
Një zë dhe mësim vlerash për politikën , dialogu , toleranca dhe harmonia Ndërfetare vlerë e çmuar dhe domethënëse në shoqërinë dhe kohën në të cilën jetojmë !
Zoti na bekoftë të gjithëve !
Amin!