Ditën e martë, 3 shkurt 2021, Kryegjyshi Botëror Bektashian, mori pjesë në webinarin online “Drejt një dialogu më të madh ndërkulturor, ndërbesimtar dhe ndërfetar në Ballkanin Perëndimor”, organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Në këtë aktivitet morën pjesë e përshëndetën Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Ambasadori i Gjerman në Tiranë, drejtues të komuniteteve të tjerë fetarë etj… Ndër të tjera, në fjalën e tij, Kryegjyshi Botëror, tha:”…Është një kënaqësi e veçantë për mua, që si Kryegjyshi Botëror Bektashian, të përshëndesja këtë event. Zoti i Lartë e paste në vëmendje, ndjeshmërinë dhe preokupacionin tuaj, në lidhje me përparimin e dialogut ndërkulturor, ndërkombëtar dhe ndërfetar! Shqiptimi i termit “Ballkan” qysh nga fillimi i shekullit të 14-të dhe deri më sot, shoqërohet me një ndjenjë trishtimi, jo vetëm nga vendasit, por edhe Evropa e qytetëruar. Shtresëzimi i identitetit, kulturor dhe fetar, mërisë etnike, gjykimet e padijes, shpesh here edhe interesat e ndryshme të vetë evropianëve, e kanë bërë kaq të ndjeshëm pejsazhin e mrekullueshëm ballkanik, sa që shpesh, na idetifikojnë me “fuçi baroti”. Në këtë kontekst, krahas praktikave të tilla të diskutimeve të thella, të debateve të shëndoshë, të afrimit të bashkëpunimit ndërkulturor, të përfitimit të vizioneve bashkëkohorë që mund të na bashkojnë, unë mendoj se vlen më mirë se deri tani, t’u drejtohemi me besim të palodhur tek Zoti, objekteve të kultit, cilado qofshin ato. Është shumë i vërtetë fakti që popujt e Ballkanit Perëndimor, janë të ndryshëm në histori, në jetën shpirtërore, në tradita e kode zakonorë. Por në besimin ne jemi dhe do të mbetemi kurdoherë vëllezër. Zoti i Lartë në Kuranin e Shenjtë thotë: ‘S’ka më të voglin dyshim se besimtarët janë vëllezër. Bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj!’ (Sure “Huzhurat” ajeti 10). Le ta shpërndajmë këtë frymë të vëllazërisë fetare në këto kohëra që kalojmë, përmes këtyre sfidave me jetën njerëzore, duke qenë të ndërgjegjshëm të kontribuojmë për paqen në Ballkan dhe më gjerë.”
Përgatiti
Sheldiana AGARAJ