KRYEGJYSHI BOTËROR BEKTASHIAN, SHENJTËRIA E TIJ, HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ, MERR PJESË NË DITËN E SHËNUAR TË THEMELIMIT TË BIBLIOTEKËS “MEHMET JUSUFI”, NË PRESHEVË

Në bibliotekën e qytetit “Mehmet Jusufi”, në Preshevë, mes të pranishmëve nga trevat shqiptare, mysafirë vendas, shkrimtarë, artistë e dashamirës të librit u shënua sot, më datë 17 shtator 2022, ora 11:00, dita e themelimit të këtij  institucioni.
Këtë eveniment e bëri edhe me të veçantë prezenca e të ftuarve, e në mesin e tyre edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj ; Kryetari i Bashkësisë Islame z.Ibrahim Ahmedi ; Prof.Dr.Bardhosh Gaçe; Kryetari i Komunës së Preshevës z.Shqiprim Arifi;  ish-kolektivi i punës së bibliotekës si dhe profesorë të arsimit të cilët dhanë kontribut në arsimin shqip në Luginë.
Gjithashtu, në këtë ditë të veçantë u promovuan veprat “Në malin e shpirtit të Shqiptarisë” dhe “Bashkëjestesa fetare në Preshevë”, të autorit vendas z.Shkëlzen Limani si dhe u shfaq ekspozita e artistëve vendas ku pjesmarrës me punimet e tyre ishin: Shqiprim Fejzullahu, Valmire Fejzullahu, Fitore Fejzullahu, Leoneta Abdyli, Pashije Murseli dhe Mesud Kurtishi.
Kryegjyshi Botëror, u prit së pari nga drejtoresha e bibliotekës znj. Mimoza Saqipi, e cila pasi përshëndeti të pranishmit dhe bëri një prezantim historik të shkurtër të këtij institucioni, e falënderoj mikun dhe e uroi për kujdesin e vazhdueshëm të Selisë së Shenjtë Bektashiane në rrafsh të evidentimit dhe promovimit të vlerave diturore, atdhetare dhe fetare të shqiptarëve.
Më tej, ishte Kryetari i Komunës së Preshevës z. Shqiprim Arifi, i cili zhvilloi një bisedë të ngrohtë me Kryegjyshin Botëror Bektashian, rreth zhvillimeve të fundit sociale në krejt luginën e Preshevës, duke u ndalur më së shumti në institucionin e harmonisë fetare të kësaj treve. Nga ana e Tij, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, e informoi z. Arifi për rolin historik të tarikatit bektashian, në vëllazërinë fetare të krejt viseve shqiptare në Ballkan.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj:
” I nderuar vëllai im, Ibrahim Ahmedi, Kryetar i Bashkësisë Islame në Preshevë!
I nderuar Kryetar i Komunës së Preshevës z. Shqiprim Arifi!
E nderuara Drejtoreshë e Bibliotekës së qytetit znj. Mimoza Sakipi!
Të nderuar besimtarë, intelektualë dhe përfaqësues të Luginës së Preshevës!
Është nder dhe kënaqësi e veçantë për mua, të marr pjesë në eventin e sotëm, këtu në Preshevën historike dhe më lejoni që, në cilësinë e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, t’ju uroj: Rrofshi dhe e begatofshi këtë vend! Allahu i lartësuar, profetët dhe imamët, paqja qoftë mbi ta, ju ndriçofshin me dritën e tyre të besimit dhe të dijes!
Është e vërtetë se neve sot, na ka mbledhur të gjithëve në këtë sallë, dita e bibliotekës “Mehmet Jusufit” si edhe libri “Tomorri mali shpirtëror i shqiptarëve” i autorit Shkëlzen Limani, nën përkujdesjen e lidershipit të Komunës së Preshevës. Por unë personalisht, mendoj se është kënaqësi e Zotit, të na shohë kurdoherë së bashku, në udhëtimin tonë shpirtëror dhe atë tokësor, në gëzime dhe në derte, në ruajtje të përjetshme të vetëdijes sonë kombëtare. Unë jam shpresëplotë që nesër, edhe brenda kufijve të Evropës së qytetëruar, kombi ynë do të jetë i pandashëm, unik, në respekt të vlerave arbërore dhe në përputhje me ato universale të besimit dhe të paqes.
E shoh me vend, të falënderoj me këtë rast autorin Shkëlzen Limani, i cili i prirur vetëm nga dëshira e një shqiptari të mirë, mori përsipër të mbledhë shënime dhe të na dhurojë këtë libër për malin e Tomorrit. E vërteta është se për këtë mal mitik, kanë shkruar qysh prej mijëra vjetësh dhe vazhdon të shkruhet ende sot prej autorësh nga më të dëgjuarit në botë. Por kish munguar pena e një preshevasi, e cila sot, e zbukuroi dhe bëri më të plotë mozaikun e autorëve.
Duke falënderuar z. Shkëlzen Limani për këtë vepër modeste, kam rastin e lumë, nga kjo sallë, t’u bëj thirrje gjithë bashkëkombësve të mijë të nderuar, qytetarëve të Luginës së Preshevës: Ejani në Tomorr! Është mali ynë, i të gjithë shqiptarëve, është krenaria, shekullore që ndërthur mjeshtërisht hyjnoren me tokësoren, pelegrinazhin me frymën e besimit, traditën me sfidat e realitetit. Është mali që na kujton të gjithëve se sa të lashtë jemi në këto troje dhe nën këta qiej që na ka falur Zoti.
Ndërkaq gjykoj se Tomori, në pjesën më të dhimbshme të historisë së tij shekullore, është një kambanë e pareshtur, që bie veçanërisht në këto dekada të fundit, në të gjitha trojet shqiptare. E kam fjalën për largimin e përditshëm të shqiptarëve nga toka amë, nga vendi i gjysh stërgjyshërve, nga historitë e djeshme, të sotme dhe të nesërme të tyre. Ky largim masiv (ndonëse për një jetë më të mirë) është shndërruar tanimë në një dramë kombëtare të të gjitha viseve shqiptare, e cila përveç dhimbjes, duhet të na bashkojë të gjithëve rreth mendimit: “Çfarë do bëhet me viset shqiptare, kujt do t’ia trashëgojmë identitetin tonë fetar dhe atë kombëtar?”.
Vëllezër të mijë të Luginës së Preshevës!
Le të jemi bashkë, juve, ne, të shtetit amë, vëllezërit tanë në Maqedoninë Veriore e kudo në botë, në lutjet tona, në shpresat tona e në punët tona të begatshme. Le t’i lutemi Zotit, t’u japë politikanëve shqiptarë mendjen e hairit, për t’iu larguar një orë e më parë interesave partiake dhe për t’iu afruar sa më energjikisht interesave të shqiptarëve kudo ku jetojnë! Le të duam e ndihmojmë vëllanë që kemi në krahë, pavarësisht racës apo besimit. Tarikati bektashian, si një ndër degët e fuqishme të pemës shekullore të Islamit, në substancë të tij, përcjell kurdoherë besimin tek Zoti, dashurinë për atdheun dhe njeriun.
Ju faleminderit të gjithëve për këtë ditë që më dhuruar!
Zoti ju bekoftë të gjithëve! Amin! ”
Përshëndetën paskësaj, Kryetari i bashkësisë islame të Preshevës z. Ibrahim Ahmedi; Prof. Dr. Bardhosh Gaçe; Doc. Fitim Nuhiu, Kryetari i Komunës z. Shqiprim Arifi si edhe autori i librit z. Shkëlzen Nimani.
Pas eventit në fjalë, i cili u pasua me biseda të ngrohta të Kryegjyshit Botëror me besimtarë të Preshevës, Prishtinës, Bujanovcit, Gjilanit, Medvegjës etj, miqtë e Selisë së Shenjtë vazhduan me vizita në xhaminë dhe tyrben në çarshinë e qytetit të Preshevës. Kryegjyshi Botëror ndoqi me vëmendje shpjegimet e fjalëve për historikun e këtyre dy objekteve historike dhe ndërkaq iu përgjigj edhe interesimit të tyre rreth zhvillimeve më të fundit në Selinë e Shenjtë, duke nënvizuar urtësinë dhe tolerancën në përcjelljen e vlerave të paqes universale.

Përgatiti:
Xhorxhin ÇULLHAJ