Ditën e djeshme, më datë 11 tetor 2021, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Polonisë në Republikën e Shqipërisë, Monika Zuchniak-Pazdan, zhvilloi një vizitë kortezie në Selinë e Shenjtë Bektashiane, ku u prit dhe nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Kryegjyshi, Dede Edmond Brahimaj, falënderoi ambasadoren për mirëseardhjen dhe për mbështetjen e Polonisë ndaj procesit të integrimit evropian të vendit tonë dhe Ballkanit Perëndimor.
Ai gjithashtu e njohu shkurtimisht diplomaten znj.Monika Zuchniak-Pazdan me historikun, Selinë e Shenjtë, Kryefaltoren, muzeun e bektashizmit, departamentet, aktivitetin dhe rolin e Kryegjyshatës dhe Komunitetit Bektashi në Shqipëri, rajon dhe më gjerë.
Ambasadorja Zuchniak-Pazda, shprehu interes për historinë e Komunitetit Bektashi që nga themelimi dhe rrugëtimin e tij, deri në ditët tona dhe vlerësoi angazhimin e Kryegjyshit Botëror në misionin e tij fisnik për predikimin e paqes, dashurisë dhe harmonisë midis njerëzve, pa dallim race, besimi, kombësie, ngjyre e etnie.. Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua dhe për liritë fetare, harmoninë dhe të drejtat e besimit, si të drejta themelore të njeriut..
Në fund të vizitës, znj. Zuchniak-Pazda falënderoi Kryegjyshin Botëror për mikpritjen dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në çështje të cilat janë me interes të përbashkët dhe mbi të gjitha vlerësoi rolin e Kryegjyshatës, Komunitetit Bektashi, në ruajtjen dhe forcimin e bashkëjetesës fetare në Shqipëri.