Sot paradite, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj priti në mjediset e Selisë së Shenjtë, përfaqësuesin e Ambasadës së SHBA në Tiranë, z. Keith West.
Pasi i uroi përzëmërsisht punë të mbarë në Shqipëri, Kryegjyshi Botëror Bektashian falenderoi kontributin e ambasadës së SHBA në Tiranë, duke i kujtuar midis të tjerave edhe një marëdhënie gati një shekullore të këtij misioni me Selinë e Shenjtë Bektashiane. Kjo marëdhënie ka ardhur duke u rritur dhe forcuar dita-ditës, jo thjesht përmes një respekti të sinqertë dhe të ndërsjelltë, por edhe atë social dhe moral, në kuadrin e zhvillimeve të sotme. Roli i bashkëpunimit me Departamentin e Shtetit në SHBA, me OKB, si edhe organizata e mekanizma të tjerë fetarë, ishte gjithashtu një informacion i rëndësishëm që Kryegjyshi Botëror e ndau me mikun e tij.
Njëherazi Kryegjyshi e bëri me dije z. Keith West edhe për disa probleme të ndjeshme që kalon Selia e Shenjtë dhe që kanë të bëjnë me marëdhënie më konkrete me shtetin përgjithësisht, çfarë do të zgjidhte një varg detyrimesh të tij sidomos lidhur me pronat e këtij komuniteti.
Nga ana e tij, z. Keith West e falenderoi Kryegjyshin Botëror Bektashian për pritjen dhe bisedën e ngrohtë, si edhe duke risjellë në kujtesë marëdhëniet vëllazërore të ambasadës me Selinë e Shenjtë Bektashiane. Ai u njoh me shumë aspekte të këtij komuniteti dhe kumtoi se për shumë probleme do të ketë një bashkëpunim të frytshëm, në të gjitha aspektet. Në fund të fjalës së tij, z. Keith West u shpreh: “Jam i lumtur që juve personalisht kini kontribuar dhe kontribuoni dita-ditës për miqësinë midis SHBA dhe Selisë së Shenjtë, në të mirë të paqes”.