Ditën e sotme, më datë 21 janar 2022, në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, Selia e Shenjtë, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, priti për vizitë Ambasadorin e Hollandës Reinout Vos, me rastin e emërimit të tij në misionin diplomatik në krye të ambasadës së Hollandës në Shqipëri.
Kryegjyshi Bektashian, i uroi mirëseardhjen ambasadorit dhe e uroi që të ketë një mision të suksesshëm në vendin tonë.
Në këtë takim kortezie, ambasadori Vos, u njoh me historikun e Bektashizmit, çështje të ndryshme të mistikës dhe rëndësinë që Zoti ka në fuqinë e krijimit të njeriut, heqjen e egoizmit dhe të këqijave të njerëzimit, për mardhëniet ndërfetare, tolerancën dhe harmoninë ndërfetare.
Kryegjyshi Botëror, vlerësoi marrëdhëniet e deritanishme miqësore dhe theksoi rëndësinë e kujdesin e vazhdueshëm, që duhet të tregojmë për ruajtjen e tyre, të cilat sipas tij në kontekstin e harmonisë fetare në Shqipëri, shkojnë përtej përkatësive fetare, me qëllim ruajtjen e paqes dhe kohezionit social.
Takimi vijoi me vizitë në muzeun bektashian, bibliotekën, arkivin, galerinë, IT, fonotekë, fototekë etj. dhe dhurimi i disa librave nga Kryegjyshi.
Pasi shkëmbyen bisedat vëllazërore dhe mirënjohjet reciproke, nga ana e tij Ambasadori Reinout Vos, duke e falenderuar Kryegjyshin për pritjen e ngrohtë u shpreh se ishte kënaqësi e veçantë vizita në mjedise të tilla që frymëzojnë vetëm paqe. Ai u shpreh midis të tjerave se marrëdhëniet midis Hollandës dhe Qendrës Botërore Bektashiane do të jenë kurdoherë vëllazërore, në të mirë të paqes dhe të lirive fetare.
Në përfundim, foto dhe lenia e përshtypjes së Ambasadorit pas vizitës në Selinë e Shenjtë.
(Fotot: Nuri Çumani)