Ditën e sotme, më datë 25 qershor 2021, në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, Selia e Shenjtë, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, priti për vizitë Nuncin Apostolik në Shqipëri, z. Luigi Bonazzi.
Në këtë takim kortezie, u fol dhe diskutua për historikun e Bektashizmit, për çështje të ndryshme të mistikës dhe rëndësinë që Zoti ka në fuqinë e krijimit të njeriut, heqjen e egoizmit dhe të këqijave të njerëzimit, për mardhëniet ndërfetare, tolerancën dhe harmoninë ndërfetare.
Kryegjyshi Botëror, vlerësoi marrëdhëniet e deritanishme miqësore dhe theksoi rëndësinë e kujdesin e vazhdueshëm, që duhet të tregojmë për ruajtjen e tyre, të cilat sipas tij në kontekstin e harmonisë fetare në Shqipëri, shkojnë përtej përkatësive fetare, me qëllim ruajtjen e paqes dhe kohezionit social.
Takimi vijoi me vizitë në muzeun bektashian, bibliotekën, arkivin, galerinë, IT, fonotekë, fototekë etj.
Pasi shkëmbyen bisedat vëllazërore dhe mirënjohjet reciproke, të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe Vatikanit, Nunci Apostolik, i dhuroi Kryegjyshit një Rozario, simbolikë e lutjes katolike nga Vatikani, Selia e Shenjtë dhe një album “ Nënë Tereza” , nëna e bamirësisë nga Don Lush Gjergji. Ndërkohë Kryegjyshi i dhuroi albumin “Dede Reshat Bardhi” dhe librin “Haxhi Dede Edmond Brahimaj, 10 vite Kryegjysh Botëror.”
Nga ana e tij Nunci Apostolik, z. Luigi Bonazzi, duke e falenderuar Kryegjyshin për pritjen e ngrohtë, u shpreh se është kënaqësi e veçantë, vizita në mjedise të tilla, që frymëzojnë vetëm paqe.
Në fund, z. Bonazzi, u shpreh midis të tjerave, se marrëdhëniet midis Vatikanit dhe Qendrës Botërore Bektashiane, do të jenë kurdoherë vëllazërore, në të mirë të paqes dhe të lirive fetare.