Nëpërmjet një mesazhi, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, uron besimtarët katolikë për Pashkët. Nëpërmjet këtij mesazhi, Ai, u uron shëndet të plotë, jetë të gjatë, mbarësi në familje , mirësi, harmoni, paqe, dashuri,shpresë dhe besim tek Zoti.
“Të dashur vëllezër e motra! Nëpërmjet këtij mesazhi, ju lutem të pranoni urimet e mia të zemrës dhe gjithë besimtarëve baktashianë në Shqipëri dhe kudo që punojnë e jetojnë, në gjithë botën, për Pashkët. Gëzuar Pashkët, këtë ditë të shënuar, kudo që ndodheni! U uroj dhe bekoj të keni shëndet e jetë të gjatë në familjet tuaja, mirësi, harmoni, dashuri, mirëkuptim, humanizëm dhe besim të palëkundur tek i Madhi Zot! Veçanërisht, në këto kohë të vështira që po kalon bota, ku njerëz të pafajshëm po humbasin jetën në konflikte të armatosura, kur e keqja po kërkon shteg për t’u fuqizuar, kur lakmia dhe e keqja, më shumë se kurrë po përpiqet t’i bëjnë sfidë mirësisë, këto dit të shënuara, duhet të na bëjnë ne më të fortë, më besimplotë tek një e ardhme më e mirë. Gëzuar Pashkët!”- pohon ndër të tjera, në mesazhin e Tij, Kryegjyshi Botëror Bektashian.