
Ditën e mërkurë, 25.06.2025, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, pati një vizitë të suksesshme pune, në Komunën e Prishtinës-Kosovë, me ftesën e Kryetarit Përparim Rama. Gjatë kësaj vizite, u nënshkruan disa marrëveshje të rëndësishme, ndër të cilat dhe mbështetja nga Prishtina e 20 të rinjve me bursa për diplomaci fetare. Në njoftimin zyrtar të Komunës së Prishtinës, mes të tjerave, titullari shkruan: “…Prishtina do të mbështesë 20 të rinj me bursa për diplomaci ndërkombëtare! Sot mirëprita Hirësinë e Tij Edmond Brahimaj, Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, me të cilin nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi për diplomaci ndërfetare, turizëm, arsim dhe fuqizimin e të rinjve. Kjo marrëveshje e re e bën Prishtinën bashkë-organizatore të Forumit Ndërkombëtar për Diplomaci Ndërfetare dhe e pozicionon më fuqishëm në nismat rajonale e evropiane…”.
Ndërsa Dede Edmond Brahimaj, lidhur me këtë vizitë, ndër të tjera theksoi: “…Ishte një vizitë e rëndësishme, ku bashkëbiseduam e morëm disa vendime, rezultatet e të cilëve, do të duken shpejt e në vijimësi dhe që do të ndikojnë ndjeshëm në rolin e besimit bektashian për forcimin e paqes njerëzore, ndjenjës kombëtare dhe aspekteve të tjera të jetës, për një të ardhme më të mirë ..!”.
Gjatë kësaj vizite, Kryegjyshi Botëror Bektashian, takoi e bisedoi dhe me personalitete të tjerë të rëndësishëm. Njëkohësisht, miqve, Ai u dhuroi dhe librin e tij të fundit, të sapo dalë nga shtypi, “Nefese-Jeta ime”.















