Ditën e enjte, 28 prill 2022, në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, Maqedonia e Veriut, u zhvilluar Mbledhja komemorative, e organizuar për nder të jetës dhe veprimtarisë së madhe arstistike të piktorit me famë mbarëbotërore Omer Kaleshi!
Rektori i UNT-së, Prof. dr. Izet Zeqiri në fjalën e mirëseardhjes për të pranishmit tha se piktori ynë me famë botërore, ka lënë një pasuri të madhe përmes veprës së tij, ndërsa universitetit një galeri të tërë prej 24 veprash tepër të çmuara që do të jenë trashëgimi për breza të tërë studentësh.
I pranishëm për nder të piktorit Omer Kaleshi ishte edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili vlerësoi lartë kontributin e tij në artin pamor, dhe tha se kishte fatin të kishin Omer Kaleshin mes tyre në Tiranë përpara tri viteve, kur ai u bëri një dhuratë shumë të çmuar, duke u dhuruar një cikël pikturash të tij, me ç’ rast Galeria “Omer Kaleshi” e cila ka zënë vendin e merituar në mjediset e Odeonit dhe sot nga dhjetra dhe qindra vizitorë në ditë, duke plotësuar më së miri jo vetëm mozaikun e traditës sonë kulturore, por edhe identitetin e tarikatit bektashian.
Fjalim emotiv kishte mbesa e tij Suzana Memedi e cila ndau me të pranishmit copëza nga jeta në familje e piktorit Omer Kaleshi, dhe brengën e përhershme të tij se ku ti dhurojë piktuarat e tij, që të mirëmbahen dhe të jenë në shërbim të gjeneratave të reja.
Ambasadori shqiptar në Paris Luan Rama, një ndjekës i veprimtarisë së tij për 30 vite dhe mik i piktorit Kaleshi tha se me shuarjen e piktorit tonë të madh ka humbur arti shqiptar dhe ai botëror në tërësi.
Mbi krijimtarinë artistike u paraqit piktori dhe profesori universitar Reshat Ameti i cili e cilësoi vdekjen e Omer Kaleshit për kulturën elitare shqiptare, sepse sipas tij Kaleshi ishte pjesë e artistëve elitar botërorë, dhe krahasoi atë me Leonardo Da Vinçin dhe artistë tjerë që janë ikona të artit botërorë.
Piktori Omer Kaleshi lindi në fshatin Serbicë të Kërçovës në vitin 1932, ndërsa ndëroi jetë më 17 prill 2022. Sipas dëshirës së tij u varros në Stamboll pranë varrit të babait. Pjesë e trashëgimisë kulturore të tij janë galeritë me emrin e tij në UNT, Universitetin Iliria në Prishtinë, Galeria Kombëtare e Maqedonisë, Galeritë në Bursa të Turqisë dhe në Tiranë.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: “Bismilahi Rrahmani Rrahim! Në emër të Zotit Fuqimadh e Mëshirëshumë! Të nderuar Zonja dhe Zotërinj , dashamirës, miq të ftuar e familjarë të Omer Kaleshit! Jam shumë i nderuar, e i privilegjuar të mar pjesë sot në këtë përkujtimore të artistit e piktorit me famë mbarëbotërore Omer Kaleshit!
Duke ju shprehur ngushëllime të përzemërta familjarëve , për këtë humbje të madhe jo vetëm për ta , për ne ,por për mbarë kombet shqipëfolëse e më tej!
Nuk është aspak e lehtë për mua, dita sot, kur ne flasim në mungesë të Tij....
Do të doja ta kujtoja me shumë dashuri vëllazërore sot , këtë artist me përmasa të pakufijshme territoriale por edhe shpirtërore që Shqipërinë dhe Shqiptarët i ka marrë kurdoherë me vete.
Kryegjyshata Botërore Bektashiane është tejmase e nderuar që përuroi ,me donacionet e portreteve të Dervishëve dhe motiveve të folklorit historik Shqiptarë ,të autorit Artistit të Madh Omer Kaleshit , "Galerinë Omer Kaleshi". Një galeri thesar i çmuar i vlerave historike, artistike e fetare, që sot e përgjithmonë kemi fatin ta kemi në Muzeun e Qëndrës multifunksionale " Odeoni". Vizitorët e shumtë që vijnë për të parë Qendrën Fetaro-Kulturore në Kryegjyshatë, befasohen kur hyjnë në Galerinë “Omer Kaleshi”, e cila u përurua më 21 nëntor të vitit 2019. Është e vetmja galeri në Shqipëri, dhuratë e çmuar që piktori Kaleshi i bëri Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Atje janë ekspozuar jo pak, por 20 tablo, ku janë hedhur në telajo figurat e dervishëve, një nga temat e preferuara të piktorit të madh. Në këtë galeri përshfaqet njëra pas tjetrës, bota mistike e dervishëve, që duket sikur qëndrojnë në ca hapësira sa qiellore, aq edhe tokësore. Ismail Kadare do të shkruante: " Nga vijnë ato koka, ç'kërkojnë... Të largëta si të pjella nga një kujtesë tejhistorike , shtillen pas njëra tjetrës , me atë ndriçim që e kanë thithur përbrenda. Duket sikur duan të japin një kumt e nuk e japin dot..." Omer Kaleshi , artist me famë botërore që lindi në Maqedoninë e Veriut por që Shqiptaria do ta shoqëronte kudo...
Duke folur për këto portrete, Omer Kaleshi ka thënë se ato kanë gjendje të ndryshme dhe se janë shprehje e fytyrës, ajo çka shpreh botën e brendëshme të njeriut. Ajo që më ngacmon te një portret është së pari vështrimi. Sytë qeshin, qajnë, tregojnë dhimbje ose gëzim e në fund të fundit tregojnë sytë e paqta të një dervishi. Syri është herë përkëdhelës, herë qortues.
Personalisht ruaj mbresa të jashtëzakonshme të takimeve me ‘të si në Paris, në ditët bektashiane për nder të Naim Frashërit, ashtu dhe në Tiranë, si miku i Selisë tonë të Shenjtë. Thjeshtësia dhe urtësia që rrethuan atë personalitet, më kujton shpesh dervishët dhe baballarët tanë, të cilët në teqetë më të largëta, në vetminë e tyre kanë shpërndarë dashuri hyjnore edhe përmes heshtjes së tyre. Portretet e dala prej shpirtit të Omer Kaleshit, që në të shumtën e rasteve janë vegime dervishësh bektashianë, i shtuan një dimension të ri, jo thjeshtë këtij muzeu, por vetë historisë sonë, të sotme dhe të nesërme.
Një figurë e rrallë e kombit tonë, një vlerë e të gjithë njerëzimit, që jetoi , krijoi, promovoi, një art të dimensioneve të paarritshme , që do të ngelet simbol i promovimit të kulturës bektashiane por edhe i të gjithë Shqiptarisë me penelin e tij të artë.
Bektashinjtë do të kujtojnë përherë i nderuar artist i madh e tepër modest, me veprën e madhe që ju dhurove, por bashkë me të na dhurove edhe një pjesë të shpirtit tënd!
Shpirti yt pushoftë në paqen e amëshuar artist fisnik i të gjitha kohërave Omer Kaleshi, e faleminderit për punën e mrekullueshme që le pas!
Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!