Kryegjyshi Botëror Dede Edmond Brahimaj, merr pjesë në ceremoninë e dekorimit të deputetit Spartak Braho

Ditën e  djeshme në mesditë (12 shkurt 2021), Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mori pjesë në ceremoninë e zhvilluar në sallën e Këshillit Bashkiak të Skraparit, ku iu dha titulli  “Qytetar Nderi i Skraparit”, z. Spartak Braho, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, intelektual që vjen nga një familje e njohur bektashiane dhe mik i respektuar i Selisë së Shenjtë Bektashiane. Në këtë ceremoni merrnin pjesë Kryetari i Bashkisë Skrapar, Adriatik Mema, Prefektja e Qarkut Berat Valbona Zylyftari, Kryetari i Këshillit të Qarkut Berat, ministri Blendi Klosi, deputetë, drejtues të organizatave e shoqata të trevës, intelektualë vendas e të ardhur nga Tirana e rrethe të tjera të vendit, gazetarë etj. Kryebashkiaku Mema i dorëzoi Brahos titullin “Qytetar Nderi i Skraparit”, me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së tij të shquar si deputet i Kuvendit të Shqipërisë në disa legjislatura, si publicist dhe veprimtar i devotshëm shoqëror në mbrojtje të vlerave historike të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe të rënëve në këtë luftë, promovimit të vazhdueshëm të atdhetarizmit përmes lartësimit të figurave të shquara të Skraparit e më gjerë, si dhe traditave që i kanë dhënë nder dhe dinjitet në çdo kohë krahinës së Skraparit”.
Pas kryevendorit, për jetën, aktivitetin e Brahos dhe vlerat e librit, folën dhe Ministri Blendi Klosi, studiuesi e historiani Mariglen Kasmi, studiuesi Irakli Koçollari, gazetari Xhevdet Shehu, etj…
Në këtë ceremoni, përshëndeti dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Ndër të tjera, ai theksoi: “… Sot na ka mbledhur nderimi që i bëhet mikut tonë, deputetit Spartak Braho, i cili sapo mori titullin “Qytetar Nderi i Skraparit”.  I urojmë shëndet dhe suksese! Ai me pjekurin e tij, në  udhëtimin e jetës, në ngjarjet historike në Shqipëri spikasin cilësi dhe tipare me vlera për kohën që jetojmë,  si njeri, intelektual, politikan, publicist, gazetar, avokat,  dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë për 20 vjet.  Spartaku ka bërë libra, studime e botime për probleme të legjislacionit shqiptar, të reformës zgjedhore dhe reformës në organet e drejtësisë. Por Spartaku është edhe një komunikues i rregullt me banorët e Skraparit jo vetëm si deputet,  por edhe intelektual, i pranishëm në gjithë aktivitet e veprimtaritë atdhetare kulturore të organizuara në Çorovodë dhe Njësitë Administrative të  Skraparit. Ai gjithmonë ka qenë në veprimtaritë tona, në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane dhe kemi ndjerë ndihmesën e tij. Interesant është libri i dalë kohët e fundit me titull: ”Masakroni Servet Pëllumbin”, që është sa aktual, aq dhe  i rëndësishëm, i cili sjellë tërë kompleksitetin e ngjarjeve historike  pas përmbysjes të sistemit komunist  në Shqipëri pas vitit 1990 e, deri më sot. Ky libër është për sot edhe për nesër, një mesazh që të duam dhe të mbrojmë atdheun. Ju falënderoj të gjithëve, edhe një herë! Urime Spartak dhe shëndet! Zoti ju bekoftë të gjithëve! Amin!”

Përgatiti:
Nuri ÇUNI