Ditën e enjte, më datë 2 qershor 2022, në Tiranë, u mbajt me nderime të larta shtetërore, ceremonia e homazheve në nderim të ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili ndërroi jetë në moshën 56-vjeçare.
Këshilli i Ministrave i Shqipërisë, e shpalli 2 qershorin, ditë zie kombëtare në nderim të ish-Presidentit Nishani, ndërkohë ceremonia e homazheve u mbajt në ambientet e Presidencës së Shqipërisë.
Pjesë e homazheve ishin edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj; Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta; Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani; Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla; ministra, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe zyrtarë dhe personalitete të ndryshme nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera.
Pas ceremonisë, trupi i pajetë i ish-Presidentit Nishani është përcjellë me nderime të larta shtetërore, për në banesën e fundit.
Kujtojmë se, Nishani ndërroi jetë në Gjermani më 28 maj, ku ishte i shtruar prej disa javësh në një spital, për shkak të problemeve nga një infeksion pulmonar dhe problemeve të tjera shëndetësore.
Bujar Nishani, u lind më 29 shtator 1966, në qytetin e Durrësit. Studimet e larta i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë dhe për Jurisprudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës.
Karriera politike e ish-Presidentit Nishani, ka kaluar në disa etapa në Partinë Demokratike të Shqipërisë, si dhe në institucionet e vendit.
Përveç postit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në vitet 2012-2017, Nishani, ka mbajtur edhe postin e ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Drejtësisë, të Shqipërisë.
Përgatiti:
Xhorxhi ÇULLHAJ