Ditën e sotme, 13 nëntor 2022, Ambasadori britanik Alastair King-Smith dhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë Peter Zingraf mbajtën një ceremoni të përbashkët për të shënuar Ditën e Përkujtimit Britaniko-Gjerman, te Varrezat Angleze në Parkun e Liqenit Artificial, Tiranë.
Në këtë ceremoni përkujtimore merrnin pjesë edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ambasadorë, lider fetarë, politikanë, intelektualë dhe të ftuar të tjerë.
Kjo varrezë përkujton ushtarët britanikë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Gjatë kësaj lufte 52 ushtarakë britanikë dhe të Komonuelthit u vranë në Shqipëri. Sakrifica e tyre për shumë kohë nuk përmendej në të dhënat historike të Shqipërisë pasi Britania konsiderohej nga regjimi i shkuar komunist, si vend imperialist armik.
Në tetor 1944, 40 komando të marinës britanike nisën një sulm për të vënë nën kontroll qytetin jugor të Sarandës. Kur zbarkuan në një nga gjiret e qytetit hasën një rezistencë të fortë nga ana e forcave gjermane. Megjithatë, ata arritën të thyenin rezistencën e këtyre forcave duke iu bashkuar forcave të partizanëve shqiptarë për të vazhduar më tej luftën.
Varrezat memoriale janë ndërtuar në vitin 1994, në afërsi të vendit ku autoritetet komuniste kishin varrosur trupat e ushtarëve të rënë britanikë në një varr të përbashkët të pashënuar, nën një prej rrugëve afër ndërtesës së Universitetit të Tiranës. Në qendër të memorialit është vendosur një bllok graniti i kuq me një mbishkrim të gdhendur në shqip dhe anglisht.