KRYEGJYSHI BOTËROR, DEDE EDMOND BRAHIMAJ MERR PJESË NË FESTIVALIN NDËRKOMBËTAR TË POEZISË ‘DITËT E NAIMIT’, TETOVË

Ditën e enjte, më 19 tetor 2023, në Qendrën e Kulturës “Naim Fashëri”, në Tetovë, u zhvillua aktiviteti i çeljes së edicionit të XXVII-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “DITËT E NAIMIT”.
Në këtë aktivitet të rëndësishëm dy ditor (19-20 tetor 2023) mori pjesë edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, personalitete, akademikë, klerikë, dashamirës të kulturës e letrave shqip Naimjane, myhybë e ashik, poetë e pjesëmarës nga gjithë anët e botës.
Aktiviteti u hap me vendosjen e buqetave me lule te shtatorja e Naim Frashërit, për të kaluar më pas tek Pallati i Kulturës me ekzekutimin mrekullueshëm në piano, të artistes Jasmina Salija, për të vazhduar më pas me fjalimin e hapjes të drejtorit të FNP “Ditët e Naimit”, z. Shaip Emërllahu dhe me përshëndetjet e rastit të të ftuarve.
Në mbyllje, shpallja e fituesve dhe dorëzimi i shpërblimeve.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror, Dede Edmond Brahimaj.
” Në emër të Zotit Fuqimadh e Mëshirëshumë!
Të nderuar personalitete, akademikë , klerikë, dashamirës të kulturës e letrave shqip Naimjane, myhybë, e ashik,
Jam i nderuar që sot çel siparin e ditëve Naimjane në Teqenë kulturëdashëse Harabati Baba Tetovë.
Bektashizmi përherë ka qënë një urë lidhëse midis besimit, patriotizmit, kulturës, e të shkruarit shqip e paster ashtu sikundër Naimi Frashëri dinte të qëndiste poezitë e veprat e tij të larta si një dëshmi tashmë qindra vjeçare për Shqipërinë e bektashizmin.
Në epokën që po jetojmë me ndryshimet kolosale e të tepër të shpejta , teknologji të avancuar , inteligjencë artificiale , luftra, vrasje e gjakderdhje për pushtet, këto veprimtari si e sotmja janë ushqim për shpirtin e vlerat njerëzore. Bektashizmi si një tarikat islam mistik kërkon të thelloj edhe më shumë dashurinë për njerinë e virtytet e tij. Duke lartësuar njerinë , e duke promovuar vlerat e shpirtit që ai ka si një univers i tërë , vetëm kështu njerëzimi mund të eci përpara , larg injorancës, xhelozisë, vëllavrasjes për pushtet e pasuri, përçarjeve e mendjemadhësisë.
Ndër shekuj, bektashizmi u zgjerua me figura të larta historike e letrare sepse gjenin në bektashizëm frymën atdhetare të pavarësisë, patriotizmit e dashurisë.
Ndihmesë të jashtëzakonshme, bektashinjtë kanë dhënë tek vëllezërit Frashëri, Abdyli, Naimi dhe Samiu në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Bashkëpunimi me baballarë e besimtarë bektashinj kudo që ndodheshin, ndikoi fuqishëm në përhapjen e ideve autonomiste, në përhapjen e gjuhës e të librit shqip. E një krijimtarie e cila do të spikaste e do të ngelej një gjurmë identiteti për bektashizmin edhe sot. Naim Frashëri la trashëgim për historine e bektashizmit poemën epike “Qerbelaja”, “Fletore e bektashinjët” etj. Elementi bektashian shtrihet edhe në vepra të tjera të Naimit sepse botëkuptimi i tij mëton gjithmonë në përparimtaren, duke e dënuar çdo gjë që nuk i siguron njeriut, e në këtë rast shqiptarin , perspektivë e lumturi në këtë botë.
“Fletorja e bektashinjët” ishte libër si të gjithë librat e shenjtëruar: mistikë e besim, poezi dhe mësime. Këtë u dha Naim Frashëri shqiptarëve më 1896, botuar në Bukuresht. Ja si thotë në librin e tij: “Bektashinjtë duan si shpirtin e tyre edhe myslimanët e tjerë dhe të krishterët, shkojnë mirë e bukur me të gjithë njerëzinë.” Naimi si një poet panteist e shikonte malin e Tomorrit si një fortesë hyjnore e shpirtërore të shqiptarëve. Prandaj në vargjet ‘Abas Ali zu Tomorrë, erdh afër nesh,Shqipëria s’mbet e gjorë, se Zoti e desh’ ai i bën himn thirrjes për lirinë e maleve dhe tokave shqiptare prej pushtuesit. Naim Frashëri ,ndërkaq ,jo nga rastësia ishte myhib, grada e parë e bektashisë, në korpusin e atyre poetëve ,që në letrat shqipe sollën frymën e mirësisë. Fjala e Naimit e cila dhe sot zë vend në situatën që po jetojmë :
Mërgohu nga ligësit
Mirësinë mba si burrë
Mirësia është dritë,
Që nuk shuhet kurrë.
Mirësia s’është e shkretë.
Eshtë dritë e Perëndisë,
Dritë e Zotit të vërtetë,
Është dritë e Gjithësisë.
Mirësia të harrohej.
Të mirët nuk i donin
Ligësia të lëvdohej,
Të ligjtë s’i mallëkonin…
Përse e duam Alinë?
Edhe të tjerët të mirët?
Se duam mirësinë.
Që s’na fut në errësirë.
Pse e duam Fatimenë?
Imamët të dymbëdhjet?
Hasan edhe Hysejnë ?
Se ishin të vërtetë.
Se kishim mirësinë.
S’patën kurrë ligësinë
Ishin me Perëndinë,
Na lanë dhe neve dritë.
Kurrë s’humbet mirësia.
S’shuhet dritë e Perëndisë
Humbet vallë Perëndia?
Zot i madh i Gjithësisë.
Mos e ndy shpirti në jetë,
Zemrën mos e lyej !
Shko në udhëz të vërtetë.
Mos e kthe e mos e thyej .
Mos u hiq pas ligësitë,
Se të fut në errësirë.
Merr udhën e Perëndisë,
Të bashkohesh me të mirët.
Mos bëj keq kurrë,po mirë,Kjo është udhë’ e Perëndisë.
Mirësia e ngritur në udhëzimet e perëndisë , ja çfarë na mësoi Naimi ky bektashi i rrallë që sot e përkujtojmë me shumë nderime e lavdi.
“Mirësia nuk kushton asgjë, por blen gjithçka”. Fjalë e artë e Imam Aliut.
E në përfundim do të doja t’ju shprehja gjithë dashamirësinë që organizime të tilla të jenë edhe më të shpeshta të nxjerrin në pah vlerat njerëzore bektashiane që do të mbahen gjallë deri në përjetësi!
Zoti na bekoftë të gjithëve !
Amin! “

Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ