KRYEGJYSHI BOTËROR, DEDE EDMOND BRAHIMAJ MERR PJESË NË HOMAZHET DHE CEREMONIALIN SHTETËROR NË NDER TË KOLOSIT TË LETËRSISË SHQIPTARE, ISMAIL KADARE

Mes duartrokitjeve, nderimeve dhe përkuljeve para arkëmortit të tij, Ismail Kadare është përcjellë sot, 3 korrik 2024, për në banesën e fundit, me nderime dhe ceremoni shtetërore. Kolosi i letërsisë shqipe bëri bashkë të gjithë shqiptarët jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku zhvilluan homazhe në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit dhe lanë mesazhet e tyre në librin e kujtimeve.
Në hyrje të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ishte vendosur edhe një stendë me veprat e të ndjerit Kadare të përkthyer në 45 gjuhë të botës.
Në mesin e shumë udhëheqësve të lartë dhe qytetarë të shumtë nga vende të ndryshme, në këto homazhe mori pjesë dhe la mesazhin e tij në librin e kujtimeve edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj pranë arkivolit të romancierit dhe dramaturgut shqiptar Ismail Kadare, i cili vdiq në moshën 88-vjeçare.
Të pranishëm në homazhe ishin gjithashtu edhe diplomatë të huaj në vendin tonë, ku përmes kurorave me lule dhe mesazheve të lëna në librin e kujtimeve kanë nderuar shkrimtarin Ismail Kadare që nuk i përkiste vetëm Shqipërisë por botës.

Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ