Me një ceremoni të veçantë, në një nga lulishtet e qytetit të Vlorës, i kthyer me vështrimin nga deti, u inaugurua sot, më datë 7 maj 2022, përmendorja e Hasan Prishtinës, event ky i organizuar nën përkujdesjen e Kryetarit të Bashkisë Vlorë, z. Dritan Leli.
Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit ishin Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj; nipi i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina; Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj; Kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Përparim Rama; Kryetari Bashkisë së Drenasit dhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri Skëndër Durmishi.
Nipi i heroit kombëtar, ndër të tjera u shpreh se, me vendosjen e shtatores së Hasan Prishtinës është përmbushur amaneti i tij.
Pjesëmarrësit në aktivitetin e rastit cituan se heroi kombëtar, nuk i përkiste vetëm Kosovës, por gjithë Shqipërisë. Hasan Prishtina lindi në Vushtrri, në vitin 1873, ndërkohë që u vra në një atentat, më 13 gusht të vitit 1933, në Selanik. Prishtina ishte një patriot i shquar që luftoi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për bashkimin e saj me Shqipërinë.
Përmendorja e heroit Hasan Prishtina, vendoset pranë Pallatit të Kulturës “Labëria” në Vlorë. Përballë tij ndodhet shtatorja e Ismail Qemalit, një simbolikë kjo e bashkimit kombëtar.