Ditën e hënë, më datë 20 qershor 2022, Kryegjyshata Botërore Bektashiane - Selia e Shenjtë, në bashkëpunim me Gjyshatën Skrapar, nën përkujdesjen e veçantë të Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, zhvilluan pelegrinazhin e përvitshëm në teqen e Backës në Skrapar.
Në përshëndetjen e rastit, Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj, ndër të tjera tha:" Të nderuar vëllezër besimtarë, vendas e dashamirës të ardhur këtu në këtë event dhe nga njësitë e tjera administrative të Kolonjës, deri nga Skrapari, Gjirokastra, Tepelena, Berati e më gjerë, sot në këtë ditë të pelegrinazhit tradicional, që përkon dhe me 203-vjetorin e lindjes së baba Fetahut!
Si Kryegjysh Botëror Bektashian, u bekoj e uroj të gjithëve që të keni më shumë shëndet, gëzim, harmoni e mirësi në familjet tuaja, më shumë përkushtim në udhën e ndritur të Haxhi Bektash Veliut, më shumë adhurim dhe besim tek i Madhi Zot!
Rikthehemi sot në këtë vend të shenjtë e të bukur masivisht, pas një ndërprerje dyvjeçare opër shkak të pandemisë Covid-19, situatë që na ndau përkohësiht fizikisht, por që shërbeu ndërkohë për më shumë reflektim, për më shumë dashuri njerëzore mes nesh dhe për nevojën e një angazhimi vëllazëror pa asnjë dallim, që këto dit të vështira që po kalojmë këto kohë, të mbarojnë sa më shpejt e normaliteti njerëzor të mbizotëroj në shpirtrat e tanë.
Domosdo që sot në këtë ditë të shënuar, ne kujtojmë baba Fetahun, i cili dha maksimumin për teqenë historike të Backës. Mendja e ndritur dhe dora e këtij kleriku bektashian, ka bërë dhe ka lënë histori në këtë teqe ku jemi mbledhur sot. Ai, e ngriti këtë teqe të mrekullueshme me një arkitekturë të veçantë, ku është mishëruar më së miri simbolika e misionit tonë të paqtë bektashian, ku gdhendja prej tij në portën e teqesë të shqiponjës dykrenore, simbolit të flamurit shqiptar, pasqyron më së miri devizën tonë bektashiane, “Pa atdhe, nuk ka fe!’. Falë këtij kleriku bektashian, por dhe në vijimësi, ashtu si të gjithë objektet bektashianë, veçanërisht në kohët më të vështira që ka kaluar kombi, kjo teqe me emër, ishte jo vetëm vatër e prehjes shpirtërore të besimtarëve, por dhe qendra të edukimit atdhetar, qëndresë kombëtare ndaj pushtimeve të huaja dhe strehë ku mësohej e shkruhej gjuha e bukur shqipe. Në këtë mision, mbetet i pazëvendësueshëm bashkëpunimi e roli i pazëvendësueshëm dhe i patriotëve të Backës, Helmësit, Potom, Staraveckë, Nikollarë etj...
Me kontributin arsimdashës e atdhetar, baba Fetahu u bë i njohur në popullsinë e këtyre zonave dhe të Korçës, Kolonjës, Skraparit dhe Përmet, ku gjendej fizikisht por dhe me fjalën e ngrohtë e bindëse, me predikimin e dashurisë për Zotin dhe kombin. Ai mbajti lidhje të ngushta me teqetë e dëgjuara të Melçanit, të Frashërit, të Prishtës, Qesarakës. Ishte gjithashtu, miku i ngushtë i baba Alushit,
Ky realitet i kohës, lidhjet baba Fetahu-besimtarë e banorë të trevës, krijuan një respekt e bindje absolute njerëzore e shpirtërore, deri në përmasat e një miti, saqë për çdo gjë, njerëzit betoheshin: “për baba Fetah” dhe “Allahu, baba Fetahu”.
Roli atdhetar i baba Fetahut, ishte tejet i spikatur. Ai ishte veprimtar në kuadrin e Lidhjes shqiptare të Prizrenit duke marrë pjesë aktive në degët e saj për Shqipërinë e Jugut dhe në mbledhjen e organizuar nga baba Alushi dhe Abdyl Frashëri në teqenë e Frashërit në fund të majit të vitin 1878, para Lidhjes së Prizrenit. Po ashtu, hapi shkollë për këtë trevë, nga ku morën dijet e para ata luftëtarë lirie që mbushën radhët e luftëtarëve në të gjitha përpjekjet shqiptare të viteve 1878-1912.
Motra dhe vëllezër!
Unë dua tju falënderoj dhe një herë të gjithëve ju, për ardhjen në këtë pelegrinazh, por dhe besimtarë e dashamirës të tjerë që nuk i kanë pasur mundësitë që të jenë fizikisht këtu, sidomos emigrantët e kësaj treve që janë larguar në kërkim të një jete më të mirë, por që mendjen e zemrën e kanë këtu, tek vendlindja e tyre, tek ky vend i shenjtë.
Falënderoj gjithashtu dhe gjyshatën bektashiane të Skraparit, sekretarin Zalo Qato, për përkushtimin dhe punën që bëjnë, ndër të tjera, dhe për të rimëkëmbur e çuar më përpara lavdinë e kësaj teqeje që është e lidhur pandarë me baba Fetahun.
Zoti ju bekoftë!
Amin! "
Përgatiti:
Xhorxhi ÇULLHAJ