Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj, merr pjesë në pelegrinazhin tradicional në teqenë e Bubësit – Përmet

Ditën e sotme, më datë 15 qershor 2022, besimtarët bektashi të zonës së Bubësit në Bashkinë e Këlcyrës, përkujtuan së bashku me Kryegjyshin Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Baba Aliun, një prej përfaqësuesve më të ndritur të këtij besimi në këto anë, në 15 vjetorin e  riçeljes së kësaj teqeje.
Në përshëndetjen e rastit, Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj, ndër të tjera tha: “Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Të nderuar besimtarë bektashianë, motra dhe vëllezër të Bubësit dhe krejt krahinës së bekuar të Përmetit!
Të nderuar familjarë të Zaimajve, që i keni dhënë dhe jepni dita-ditës, shkëlqimin e merituar, kësaj teqeje të hershme të Haxhi Bektashit, përballë malit të Tomorrit!
Zoti i Lartësuar, dymbëdhjetë imamët e dëlirë, Haxhi Bektash Veliu dhe kujtimi i vyer i baba Aliut të Bubësit, u qofshin kurdoherë ndihmë dhe dritë në udhëtimin tuaj shpirtëror!
Sot, mbushen plot 15 vite, nga dita kur tyrbja me mezarin e baba Aliut, çeli derën e saj dhe priti pelegrinët e parë, pas vitesh të tërë të obskurantizmit fetar dhe tranzicionit plot drama të shqiptarëve. Ka qenë ditë e paharruar jo vetëm për besimtarët e Bubësit dhe Përmetit, por për krejt bektashizmin, sepse çelej një derë e mbyllur prej katër dekadash. Mbushej ky oborr me bisedat, zërat dhe këngët e mrekullueshme përmetare të qindra besimtarëve, të cilët jetonin një realitet aq prekës, dritën e vetë Zotit!
Gëzimit të asaj dite të 15 viteve më parë, i shtohej padyshim edhe prania e myrshidit tonë, Dede Reshat Bardhit, i cili ndonëse i lodhur prej privacioneve të së shkuarës, nuk mund ta linte pa parë këtë teqe me histori të madhe, nuk mund të mos kuvendonte në heshtje me baba Ali Bubësin, atë dinjitar dhe shërbestar të doktrinës sonë të kulluar. Fjalët e Dede Reshat Bardhit, në ditën e rihapjes së teqesë, do të mbeten të skalitura në memorien tonë dhe tuajën për breza me radhë. Ato do na nxitin gjithmonë për punë dhe vepra të mira.
Fjala dhe bekimet e Dede Reshatit tonë u bënë realitet. Ja si qëndron sot kjo tyrbe madhështore në gjoks të maleve. Ja si fjalosemi të gjithë së bashku me mezarin e baba Aliut dhe me njëri – tjetrin. Shikoni se sa bukur përcillen urimet bektashiane dhe nefeset me të cilat u edukuan breza të tërë besimtarësh. Shikoni nga disa pemë të pakta, se si u mbush ky vend me mijëra të tilla që vazhdojnë të rriten dhe të shtohen dita – ditës. Dhe shikoni të mirën, nënë Sanijen që e ka zërin si 15 vite më parë. Ky është tarikati ynë që shpërndan paqe, dashuri dhe jetë!
Motra dhe vëllezër!
Ne të gjithë jemi sot dëshmitarë të largimit masiv të rinisë nga Shqipëria. Kjo është e dukshme, por edhe e dhimbshme, sepse largohet jo thjesht një numër njerëzish, por vetë e ardhmja. Kjo që po ndodh sot, është tragjedi kombëtare. Në këtë ditë feste, nuk jemi as në vendin dhe as në kohën e duhur të bëjmë analiza politike apo ekonomike. Por sigurisht kemi të drejtë t’i drejtohemi realitetit dhe ta shohim në sy, atë. Sepse kemi të drejtë t’i drejtohemi Zotit, me lutje dhe me siguri Ai do na dëgjojë.
Vite të shkuara edhe djemtë e vajzat e familjes Zaimaj u larguan për një jetë më të mirë në dhera të huaj. Por askush nga ata nuk e humbën besimin në Zot, besimin tek mrekullitë e baba Aliut, besimin se edhe këto toka mund të mbillen, të korren dhe të mbajnë të pafikur dritën e Haxhi Bektash Veliut. Ata u rikthyen këtyre vendeve dhe ja çfarë parajse u fali Zoti dhe djersa e tyre, ja çfarë përmasash festive marrin ditë të tilla të zakonshme qershori. Rikthimi i tyre në tokën stërgjyshore dhe në mënyrë të veçantë meraku dhe respekti i thellë për rigjallërimin e tarikatit tonë, janë dëshmi jo vetëm e sakrificave të tyre familjare, por edhe garanci e shpërblimeve që u vjen nga Haku.
Shembulli i djemve dhe vajzave të Zaimajve, si edhe përkushtimi ngazëllonjës i nënës sonë të mirë, Sanijes, na mbush të gjithëve me shpresë se, edhe në këtë dramë të largimit të dhimbshëm, do të jetë përmetarë apo shqiptarë të çdo krahine, që do të rikthehen në vendlindjen e tyre. Ne lusim Zotin e Lartësuar, që këto familje të jenë sa më të shumta, në çdo vis të kësaj toke të bekuar, duke besuar tek vargjet e famshëm të Naimit tonë:
Ti Shqipëri më ep nderë,
Më ep emrin shqiptarë…
Prandaj edhe një herë më lejoni t’ju falënderoj të gjithëve këtu, të ardhur nga larg, që kini ardhur në jubileun e 15-të të riçeljes së teqesë së Bubësit, e cila u është bashkuar prej kohësh lavdive të teqesë së Frashërit, të Alipostivanit, të Përmetit, në historinë e bektashizmit shqiptar dhe atij botërorë. Qofshin të betarë në familjet tuaja!
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!”

Përgatiti:
Xhorxhi ÇULLHAI