Ditën enjten, më datë 3 nëntor 2022, ora 15:00, në Qendrën kulture të Katedrales Orthodokse në Tiranë, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj ishte i pranishëm në pritjen e lamtumirës, me rastin e përfundimit të misionit diplomatik, të Ambasadores së Greqisë në Shqipëri, znj. Sophia Philippidou.
Në këtë aktivitet, organizuar nga Ambasada e Greqisë dhe Zëvendës Shefja e Misionit znj. Valia Pentarvani, morën pjesë edhe partnerë e miq të shumtë, përfaqësues të komuniteteve fetare, ambasadorë, intelektualë, politikanë etj..
Kryegjyshi i shprehu znj. Sophia Philippidou vlerësimin për miqësinë që ka treguar ndaj Komunitetit Bektashian dhe popullit tonë, gjatë kohës së ushtrimit të detyrës në Shqipëri, duke i uruar suksese, në angazhimet e saj të ardhshme.
Kryegjyshi e përgëzoi për misionin e përmbushur me sukses në vendin tonë si dhe u shpreh midis të tjerave se marrëdhëniet midis Greqisë dhe Qendrës Botërore Bektashiane, do të jenë kurdoherë vëllazërore, në të mirë të paqes dhe të lirive fetare.
Ambasadorja Philippidou, pasi shprehu kënaqësinë për misionin e saj në Shqipëri, si dhe për cilësinë e marrëdhënieve midis institucionit që ajo përfaqëson dhe Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, shprehu edhe vlerësim të veçantë për kontributin që jep Komuniteti Bektashian, në harmoninë dhe dialogun fetar në Shqipëri, si një model tepër i çmuar.