Ditën e sotme, më datë 19 shkurt 2022, në ambientet e Akademisë së Shkencave, u zhvillua simpoziumi me temë “Kurani dhe Njeriu”, kolana e autorit Xhemal Balla botuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (Drejtoria e Kulturës).
Të pranishëm në këtë simpozium ishin autori i kolanës, z. Xhemal Balla, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryetari i KMSH-s, H. Bujar Spahiu dhe Sheh. Bujar Horasani Tarikati Kadri dhe Sheh Qemaludin Reka Tarikati Rufai.
Profesori Xhemal Balla i përket asaj gjenerate të medresistëve që u mbrujtën me kulturë të gjerë fetare e sociale, e ruajtën dhe vunë në jetë dijen që morën në medrese. Ai është edhe një ndër kontribuesit kryesorë në lëmin e literaturës fetare e cila i shërbeu ringritjes së islamit në Shqipëri pas viteve ‘90.
Drejtori i Kulturës, z. Demetja, gjatë fjalës së tij tha se kjo kolanë vjen si botim i KMSH-së me 10 vëllime.
“Kolana sjellë pranë lexuesit komentimin e veprës “Ajka e kuptimit të Kurani Kerimit” të dijetarit të madh shqiptar Hafiz Ibrahim Dalliut.
Autori, duke u mbështetur në idetë bashkëkohore të Hafiz Dalliut në përkthimin dhe komentimin e Kur’anit mbi një shekull më parë, ai e sjell atë aktual, duke analizuar problemet dhe duke i komentuar ato mbi bazën e citimeve të Kur’anit.”
Simpoziumin e përshëndeti edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj ku vlerësoi dobinë e këtyre botimeve për besimtarët në veçanti, por edhe për publikun e gjerë.
Në fund të simpoziumit, Kryetari Spahiu i dha z. Xhemal Balla një çertefikatë mirënjohje në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, për kontributin e çmuar që ka dhënë në fushën e publicistikës islame.
Të pranishëm në simpozium ishin shumë besimtarë, intelektualë e dashamirës të librit.