Në kuadrin e zhvillimit të Konferencës Ndërfetare “Vëllazëria në Humanizëm” ditën e nesërme, 10 shkurt 2022, nga Këshilli Ndërfetar në bashkëpunim me “Religions for Peace, Europe”, Presidenti i Këshillave Ndërfetarë të Europës (RfP Europe) Dr. Luigi De Salvia, zhvilloi sot, më datë 9 shkurt 2022, një vizitë në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane - Selia e Shenjtë, në Tiranë, ku është pritur edhe nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Kryegjyshi, Dede Edmond Brahimaj, pasi i ka uruar mirëseardhjen, e njohu Presidentin De Salvia me udhëtimin shpirtëror të bektashinjve prej vitit 1930, kur Qendra Botërore u vendos në Tiranë dhe deri më sot si dhe bëri me dije gjithashtu, për sakrificat e panumërta të klerikëve bektashinj, kontributin e tyre për liri e pavarësi, si edhe urtësinë për t’iu afruar me devocion Krijuesit.
Midis të tjerave, në takim, Kryegjyshi foli për projektet për harmoninë ndërfetare, luftën kundër ekstremizmit dhe vëllazërisë në humanizëm ku Kryegjyshata është e hapur dhe bashkëpunuese.
Më pas vizita vijoi në mjediset e Odeonit (qendër fetare-kulturore), ku Dr. Luigi u njoh nga afër me muzeun e bektashizmit, bibliotekën, arkivin, fototekën/fonotekën, IT, galerinë etj.
President i feve për paqe të Evropës, Dr. Luixhi De Salvia, u shpreh shumë i kënaqur për pritjen, duke vlerësuar lart kontributin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane si në kontekst të harmonisë fetare, vëllazërisë në humanizëm, dialogut ndërfetar, ashtu edhe sfidat e lirisë së besimit dhe të fesë, gjë e cila, mund të merret edhe si model nga shumë vende të tjera të Europës.
Në përfundim, foto dhe lenia e përshtypjes së Ambasadorit pas vizitës në Selinë e Shenjtë.
Të pranishëm gjatë kësaj vizite ishin edhe znj. Sheldiana Agaraj Jano shefe e protokollit pranë Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe Dr. Genti Kruja Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Nderfetar të Shqipërisë.
(Fotot: N. Çumani )